3.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarit se ushtroi dhunë në ditën kur i vdiq bashkëshortja, mbrojtja lirimin e tij

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të mërkurën, ka përfunduar gjykimi ndaj të akuzuarit Ilir Haxhiaj, me ç’rast prokuroria ka kërkuar dënimin e të njëjtit, kurse mbrojtësit e tij, avokatët Shkelzen Sopjani dhe Shkodran Manaj, kërkuan lirimin e tij.

Haxhiaj po akuzohet se pas mosmarrëveshjeve të mëhershme me bashkëshorten e tij H.D, teksa kishte qenë duke vozitur, kishte ndalur makinën, kishte nxjerrë nga vetura me forcë tani të ndjerën dhe kishte filluar ta sulmojë fizikisht duke e grushtuar në të gjitha pjesët e trupit dhe pasi e ndjera ishte rrëzuar në asfalt të rrugës, ia ka kapur kokën dhe disa herë e ka goditur për asfalti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Metush Biraj, ka thënë se sipas udhëzimeve të Gjykatës Supreme, përmes administrimit të provës së ekspertit mjeko-ligjor, deklaratës dhe ekspertizës së ekspertit të komunikacionit, është vërtetuar teza e aktakuzës së i akuzuari ka kryer vepër penale “Lëndimi i rëndë trupor”.

Po ashtu, Biraj tha se qëndron pranë fjalës përfundimtare të dhënë në gjykimin e mëhershëm dhe ka propozuar të merren parasysh të gjitha rrethanat rënduese dhe lehtësuese, e sidomos ato rënduese dhe i akuzuari të shpallet fajtor e të gjykohet sipas ligjit.

Kurse, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Zahir Hamza e ka mbështetur fjalën përfundimtare të  prokurorit Biraj dhe ka thënë se mbetet në tërësi pranë fjalës përfundimate të dhënë më herët pasi që është rasti në rigjykim.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Haxhiaj, avokati Shkelzen Sopjani në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se shkaktar i vdekjes së tani të ndjerës H.D janë lëndimet që ka marrë e njëjta me rastin e daljes nga makina e cila ishte në lëvizje, e që këtë sipas tij e ka vërtetuar ekspertiza e ekspertëve mjeko-ligjor.

Tutje, Sopjani ka kërkuar se raportit të ekspertit të komunikacionit, Ejup Qehaja, gjykata të mos is falë besimin, pasi që konstatimi i vetëm i tij është se nuk ka mundësi të konstatojë se pasagjerja ka mundur të kërcejë nga vetura dhe se i njëjti nuk jep përgjigje dhe nuk dëshmon asgjë.

Sopjani ka cilësuar deklaratat e dëshmitarëve si të parëndësishme, pasi sipas tij të njëjtat nuk i ka trajtuar as Gjykata Supreme me rastin e shqyrtimit të kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë, e që dëshmitë e tyre janë konsideruar jorelevante.

Po ashtu, ai tha se i akuzuari Haxhiaj pas aksidentit është munduar t’ia ofrojë ndihmën e parë dhe tani të ndjerën H.D e ka dërguar në Qendrën e Mjekësis Familjare për t’i ofruar tretman mjekësor me qëllim që ta shpëtojë.

Në fund, Sopjani ka kërkuar që ndaj të mbrojturit të tij të merret aktgjykim lirues ngase sipas tij është vërtetuar qartë se i njëjti nuk ka kryer veprën për të cilën ngarkohet.

I akuzuari Haxhiaj ka mbështetur në tërësi fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 16 janar 2023.

Ndryshe, Haxhiaj ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prizren në shkurt të vitit 2021 dhe ndaj tij ishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 vitesh.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur më 30 gusht 2019, Ilir Haxhiaj akuzohet se më 31 maj 2019, rreth orës 17:30 minuta, duke drejtuar veturën “Suzuki” Wagon R+ në rrugën “Gusia” në dalje të fshatit Samadraxhë, ku ishte me bashkëshorten e tij, të ndjerën H. D., e ulur mbrapa me të cilën për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme janë fjalosur, e pastaj i akuzuari Ilir Haxhiaj e ka ndalur makinën në anën e djathtë të rrugës dhe e ka nxjerrë nga vetura me forcë të ndjerën.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Haxhiaj pasi kanë dalë jashtë nga vetura, ka filluar ta sulmojë fizikisht bashkëshorten e tij, tani të ndjerën H. D., duke e grushtuar në të gjitha pjesët e trupit e cila pastaj është rrëzuar në asfalt të rrugës, ia ka kapur kokën dhe disa herë e ka goditur për asfalti ku i pëson thyerje të kockës zverkore, gjakderdhje masive në cipat e buta trunore dhe në vertikuj.

Si pasojë e dëmtimeve në kokë, fytyrë, gjoks, shpinë dhe duar, H. D., kishte vdekur në QKUK në Prishtinë. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Në Prizren janë regjistruar 33,756 qytetarë

Në Prizren, procesi i regjistrimit të popullsisë është në rrugën e duhur, me 33,756 qytetarë të regjistruar deri më tani. Koordinatori i komisionit komunal, Haxhi...

Policia në Suharekë konfiskon dy armë zjarri

Në 24 orët e  fundit, policia në Suharekë ka konfiskuar dy armë zjarri.     Siç bëhet e ditur, në rastin e parë, gjatë  kontrollit në automjetin...

Lajmet e Fundit