5 C
Prizren
E martë, 4 Shkurt, 2025

Shembet muri i një ndërtese në Qendrën Historike të Prizrenit, institucionet nuk ndërmorën masa emergjente mbrojtëse

Muri i ndërtesës me fasadë karakteristike në rrugën “Marin Barleti” në Prizren është shembur, disa muaj pasi që Komisioni komunal për vlerësimin e objekteve që paraqesin rrezikshmëri për qytetarët ka adresuar komentin se duhet të merren masa dhe të intervenohet sa më parë nga institucionet përkatëse që të parandalohet ndonjë fatkeqësi.

Ky komision më 26 shtator 2024 ka qenë në terren, në objektin në ngastrën kadastrale nr.03338-1, ku pas evidentimit në vendin e ngjarjes ka pohuar se pas zhvillimeve të punimeve në ngastrën fqinje për gërmimin e bodrumit ka ardhur deri te dëmtimi i themelit të ndërtesës, e cila ka pësuar zhvendosje dhe për pasojë janë paraqitur plasaritje dhe humbje në stabilitet.

Komisioni asokohe ka pohuar se objekti rrezikon të shembet dhe paraqet rrezik permanent për pronarin dhe kalimtarët, të cilët frekuentojnë në perimetër të objektit, dhe ka kërkuar masa e intervenim të menjëhershëm.

Pas këtij raporti, me 10 tetor 2024 edhe QRTK-Prizren ka kërkuar nga DES marrjen e masave lidhur me këtë ndërtesë.

“Sipas verifikimit në terren, gjatë punimeve në ngastrën e lartpërmendur, përmes gërmimit me ekskavator është dëmtuar ndërtesa fqinje dhe se pas shkaktimit të dëmit të konstatuar, nga inspektorati nuk janë ndërmarrë asnjë masë mbrojtëse në sigurimin statik dhe parandalimin e shkatërrimit total të ndërtesës dhe rrezikimin e kalimtarëve të rastit. Andaj, sipas kompetencave dhe përgjegjësive tuaja, kërkojmë që të ndërmerren masat emergjente mbrojtëse për ndërtesën në ngastrën kadastrale P-71813068-03338-1”, thuhet në shkresën e QRTK-Prizren.

Pas shembjes së një pjese të ndërtesës gjatë javës së shkuar, QRTK-Prizren më 30 janar 2025, sërish ka dërguar një shkresë në adresë të DES-it, ku thuhet se nuk është ndërmarrë asnjë masë, dhe se pas ndodhisë inspektorët komunal e kanë siguruar hapësirën përmes vendosjes së shiritave për pengimin e qarkullimit të njerëzve në këtë hapësirë.

Sipas QRTK-së, hapësira ku ndodhet kjo ndërtesë është brenda Qendrës Historike të Prizrenit, e cila gëzon status të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Në vijim QRTK ka ofruar udhëzime për ndërmarrjen e masave parandaluese të rrezikut, në mënyrë që të aplikohen standardet për ruajtjen e mbrojtjen efektive të trashëgimisë kulturore.

Komisioni komunal për vlerësimin e objekteve që paraqesin rrezikshmëri për qytetarët më 30 janar 2025 ka dalë në terren për të inspektuar këtë ndërtesë dhe ka konstatuar se situata është përkeqësuar më tej, “pasi një mur i ndërtesës është shembur plotësisht, duke rritur ndjeshëm rrezikun për banorët dhe kalimtarët”.

Komisioni edhe në këtë rast ka vlerësuar se ndërhyrja emergjente është e domosdoshme për të parandaluar dëme të mëdha materiale dhe njerëzore.

Lidhur me këtë rast, EC ka kërkuar informata edhe nga DI, por ende nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.
Për EC-in, neglizhenca e institucioneve përkatëse për të ndërmarrë masa emergjente mbrojtëse në raste të tilla është e papranueshme për shkak se në këtë mënyrë mund të rrezikohen jetët e njerëzve.

EC përsërit qëndrimin e kahershëm se siguria e qytetarëve është prioritet, dhe në këtë linjë thekson qëndrimin se institucionet përgjegjëse në bashkëpunim me komunitetin duhet të ndërmarrin veprime adekuate me kohë që ndërtesat e vjetra mos të degradojnë deri në masën sa të paraqesin rrezik për sigurinë e pronarëve të tyre dhe qytetarëve tjerë. Në këtë rast edhe zhvillimi i punimeve nga investitorët e punëkryesit duhet të jetë i kujdesshëm për mos dëmtimin e strukturave të ndërtesave të vjetra në Qendrën Historike.

Për këtë arsye, EC kërkon nga institucionet përgjegjëse që të rrisin vigjilencën për të monitoruar situatën e punimet, dhe për të ndërmarrë veprime të duhura ligjore me kohë ashtu që ndërtesat e vjetra në Qendrën Historike mos të shndërrohen në rrezik për qytetarët, por të jenë vlerë e qytetit dhe ti shërbejnë zhvillimit të qëndrueshëm./EC Ma Ndryshe/

 

Më Shumë

Fatmir Limaj: Billusha e Prizrenit, me vullnet dhe besim, rreshtohet pranë njerëzve që kanë veçVEPRA

Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj lajmërohet nga Prizreni, ku thotë se në Billushë u pritën me shumë vulnet e besim nga qytetarët. Limaj thotë se...

Bob Dylan: Nëse ndonjëherë ju kërkohet të shikoni veten, mos e bëni

Bob Dylan ka qenë për më shumë se pesë dekada një influencë e jashtëzakonshme në muzikën dhe në kulturën botërore, jo vetëm me notat...

Lajmet e Fundit