7.6 C
Prizren
E martë, 10 Shkurt, 2026

Dëmet nga ngricat në Rahovec: Vreshtat dhe kulturat bujqësore përballen me humbje të mëdha

Ditëve të fundit, Komuna e Rahovecit është përballur me temperatura të ulëta dhe ngrica, të cilat kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në sektorin bujqësor, përcjell PrizrenPress.

Në bashkëpunim me Departamentin e Vreshtarisë të MBPZHR-së, ekipet profesionale janë në terren për të bërë një vlerësim të saktë të dëmeve. Nga të dhënat paraprake, kryetari i komunës Smajl Latifi theksoi: “Dëmet më të mëdha janë në kultivarët e hershëm të rrushit, me theks të veçantë rrushi i tryezës, që në disa parcela humbjet shkojnë deri në 90%.”

Përveç vreshtave, janë prekur rëndë edhe kulturat tjera bujqësore. Sipas Latifit, “Pemëtaria, ndonëse jo shumë e zhvilluar në territorin tonë, ka pësuar dëme të mëdha nga ngricat pranverore.” Po ashtu, “Dëme të theksuara janë evidentuar edhe në sektorin e perimekulturës, veçanërisht te patatja e hershme.”

Përkundër dëmeve të pësuara, kryetari i Komunës ka apeluar për vazhdimin e procesëve agroteknikë, duke shtuar: “Apelojmë që proceset agroteknike të vazhdojnë, për të ruajtur vitalitetin e bimëve për vitin e ardhshëm tek kulturat shumëvjeçare.”

Latifi gjithashtu ka theksuar mundësinë e ndikimit afatgjatë të kësaj fatkeqësie: “Ndikimi i kësaj fatkeqësie natyrore, për fat të keq, mund të reflektohet edhe në vitin 2026.”

Komuna e Rahovecit qëndron pranë fermerëve, duke bërë fillimisht vlerësimin e dëmeve për të vazhduar më pas me masa të tjera mbështetëse. “Me ngulm kërkojmë nga Ministria e Bujqësisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës që ta kenë në konsideratë situatën e krijuar dhe të marrin vendimet e duhura për kompensimin e dëmeve.”

Në fund, ai apelon për veprime konkrete: “Është koha për veprim konkret dhe për të dëshmuar se bujqësia është realisht prioritet. Vetëm në këtë mënyrë mund të ruajmë motivin dhe besimin e fermerëve për të vazhduar të punojnë tokën dhe të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe për ta ruajtur identitetin bujqësor të kësaj zone.”/PrizrenPress.com

Më Shumë

Zyrtare: Leci largohet nga Liria

Liria ka njoftuar zyrtarisht largimin e trajnerit të ekipit të parë, Liridon Leci, nga drejtimi i skuadrës, raporton PrizrenPress. Përmes një njoftimi publik, klubi prizrenas...

Një person gjendet i pajetë në Rahovec, trupi dërgohet në IML

Policia e Kosovës ka njoftuar se më 4 shkurt 2026, rreth orës 08:35, në Rahovec është raportuar një rast i hetimit të vdekjes. Sipas njoftimit...

Lajmet e Fundit