23.8 C
Prizren
E enjte, 19 Qershor, 2025

Aktakuza për korrupsion/ Gjykata ende nuk ka caktuar datën e shqyrtimit ndaj shtatë zyrtarëve të Komunës së Prizrenit

Gjykata Themelore në Prizren ende nuk ka caktuar datën e shqyrtimit fillestar ndaj shtatë zyrtarëve të Komunës dhe një personi përgjegjës të një kompanie në këtë qytet, të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës dhe mashtrim në prokurim publik.

Marcel Lekaj, udhëheqësi i Zyrës për Informim dhe Komunikim me Media të Gjykatës Themelore në Prizren, ka bërë të ditur se lënda nga Prokuroria Themelore është pranuar më 16 maj 2025 dhe i është ndarë gjyqtares së rastit.

“Megjithatë, shqyrtimi fillestar nuk është caktuar ende”, tha Lekaj për “PrizrenPress”.

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, muajn e kaluar pati ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Xh.D., Y.G., Q.K., S.V., E.Sh., L.S., dhe B.J., të cilët i ngarkon për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ndaj D.N., për keqpërdorim e mashtrim në prokurim publik.

Sipas aktakuzës, më 4 gusht 2022 në kohë të pacaktuar në Prizren, të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtarë, për vlerësimin e ofertave në tenderin “Renovim dhe mirëmbajtje të objekteve të Komunës së Prizrenit”, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare, duke mundësuar përfitim grupit të operatorit ekonomik “P.C.G. Sh.P.K.” dhe “A.-T. Sh.P.K.”.

“Të pandehurit, veprojnë në kundërshtim me Ligjin për Prokurorim Publik dhe në kundërshtim me Rregullat dhe Udhëzuesin e Prokurimit Publik, në atë mënyrë që i akuzuari Xh.D., në cilësinë e kryetarit të komisionit vlerësues, Y.G., dhe Q.K., anëtarë të komisionit, i rekomandojnë autoritetit kontraktues Komunës së Prizrenit, lidhjen e kontratës në vlerë 550.000,00 €, me grupin e operatorit të lartpërmendur, përkundër faktit që pesë operatorë të përgjegjshëm që nuk janë rekomanduar nga komisioni vlerësues, kanë qenë më të lirë rreth 203.47% përkatësisht 202.771.98 € sipas çmimeve mesatare të realizuar për tetë situacione deri më datë 05.08.2024”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, i akuzuari S.V., menaxher i kontratës, e akuzuara L.S., mbikëqyrëse e brendshme, i akuzuari B.J., mbikëqyrës i jashtëm, thuhet se gjatë ushtrimit të përgjegjësive të tyre nuk kanë vepruar konform legjislacionit të prokurimit, dhe nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar dëmin autoritetit kontraktues lidhur me keqmenaxhimin e kontratës.

Aty thuhet se i akuzuari E.Sh., në cilësinë e drejtorit të administratës – mbikëqyrës i menaxherit të projektit, ka ndikuar që operatorët ekonomikë gjatë fazës së ofertimit të manipulojnë me çmime për njësi.

Të pandehurit e lartcekur, sipas Prokurorisë, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre dhe qëllimisht kanë mundësuar përfitim të dobisë pasurore për grupin e operatorit ekonomik “P.C.G. Sh.P.K.” dhe “A.-T.” Sh.P.K, duke i shkaktuar dëm autoritetit kontraktues – Komunës së Prizrenit, në vlerë prej 412 mijë e 584 euro e 87 centë.

Me këto veprime, të njëjtit akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par. 2-1, lidhur me par. 3, nëpar. 3.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

“Ndërsa, i akuzuari D.N., në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë “A.T. Sh.P.K.”, Prizren, me vetëdije shkel rregullat e prokurimit publik, në atë mënyrë që paraqet dokumentacion të rremë sa i përket çmimeve të para- masës dhe para – llogarisë, me ç’rast shumica e pozicioneve kanë pasur çmime jo normalisht të ulëta dhe çmime spekuluese, ku nga 233 pozicione 74 pozicione nuk janë realizuar fare dhe qëllimi i uljes së çmimit në disa pozicione shumëfish nën çmimet e tregut ka qenë fitimi i tenderit”, thuhet më tej.

Me këto veprime, D.N., akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi apo mashtrimi në prokurim publik” nga neni 415, par. 3 lidhur me par. 1 dhe 2 të Kodit Penal.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit./PrizrenPresss.com/

Më Shumë

1.5 milion euro për siguri dhe strehim: Suhareka në bashkëpunim me “Jetimat e Ballkanit”

Komuna e Suharekës ka bërë një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të jetës së qytetarëve përmes një marrëveshjeje bashkëfinancimi me Shoqatën humanitare “Jetimat e...

Samir Zekiqi largohet nga Bashkimi pas dy sezoneve

Klubi i basketbollit Bashkimi ka zyrtarizuar dje largimin e basketbollistit Samir Zekiqi, duke përmbyllur një kapitull dyvjeçar bashkëpunimi, raporton PrizrenPress. Përmes një komunikate, klubi prizrenas...

Lajmet e Fundit