Dy libra që ndriçojnë trashëgiminë shpirtërore dhe folklorike të trevës së Opojës së Dragashit janë promovuar në Prizren.
Librat “Materiale nga etnokultura e Opojës” i Xhafer Kabashit dhe “Lirika popullore e Opojës” i dr. Yrjet Berisha janë vlerësuar lart nga njohës të fushës së etnografisë dhe folklorit, si kontribute të rëndësishme në dokumentimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të trevës së Opojës.
Të dy autorët, tashmë të ndjerë, kanë lënë pas vepra që dëshmojnë përkushtimin e tyre ndaj kulturës popullore dhe kujtesës kolektive
Veprat sjellin në dritë rrëfime, zakone, këngë dhe vargje popullore të mbledhura me përkushtim nga autorët, duke dokumentuar një pjesë të rëndësishme të identitetit kulturor të kësaj treve.
Për librat folën dr. Nexhat Çoçaj, dr. Xhafer Beqiraj,Demir Reshiti,Ibrahim Skenderi dhe Bedri Halimi.
Dr.Nexhat Çoçaj tha se Xhafer Kabashi ishte më shumë se mbledhës i folklorit .
“Ai ishte ruajtës i kujtesës kolektive, sepse kuptoi herët se trashëgimia gojore është pasuri që zhduket nëse nuk shkruhet”, tha Çoçaj.
Sipas tij, vepra e Xhafer Kabashit është akt dashurie ndaj kulturës popullore.
Ndërkaq, Bedri Halimi e cilësoi Kabashin si doajen të arsimit dhe krijues të përkushtuar.
“Kudo që shkonte, me vete kishte një bllok shënimesh. Çfarëdo që dëgjonte nga pleqtë dhe plakat, e shënonte si vlerë të etnokulturës”, tha Halimi.
Prof.Dr. Xhafer Beqiraj tha se Yrjet Berisha nuk ishte mbledhës mekanik i vargjeve, por interpretues i tyre.
“Ai dëgjoi zërin e opojarëve si dëshmi e gjallë e kulturës”, u shpreh Beqiraj.
Demir Reshiti foli për jetën dhe veprën e dr. Yrjet Berishës.
” Pas më shumë se një dekade nga ndarja e tij nga jeta, kontributi i tij mbetet i pazëvendësueshëm”, tha Reshiti.
Promovimi u mbajt në Shtëpinë e Kulturës “Xhemail Berisha” në Prizren, në praninë e shumë artdashësve.
Aktiviteti u organizua nga Shoqata për Kulturë dhe Art “Fidani” dhe Shoqata Kulturore “Ymer Prizreni”, nën udhëheqjen e Berat Batiut. Programin e udhëhoqi prof. Fikret Ramadani./PrizrenPress.com/