0.8 C
Prizren
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Gjykata Speciale mund të ketë mandat deri në 2025-n

Gjykata-peshorjaProfesori i së Drejtës Penale, Ismet Salihu dhe avokati Tomë Gashi, kanë thënë se Gjykata Speciale pritet ta fillojë punën gjatë verës. Sipas tyre, kjo gjykatë mund të ketë mandat deri në 2025-n.

Profesori i së Drejtës Penale, Ismet Salihu, ka thënë të premten se Gjykata Speciale do të punojë sipas statutit të vet, e jo sipas ndonjë rregullative juridike të Kosovës. Ai ka thënë se ekipi vendor do ta bëjë përgatitjen e infrastrukturës ligjore me anë të së cilës do të pranohet themelimi i kësaj gjykate.

“Këtë gjykatë, sipas të gjitha gjasave, do ta themelojë BE-ja. Kosova me aktet normative duhet ta ratifikojë themelimin e Gjykatës Speciale, përndryshe kjo gjykatë e ka projektin e statutit i cili duhet të aprovohet. Statuti i saj do të jetë një lloj Kodi Penal, Kod i Procedurës Penale ose ligj për ekzekutimin e sanksioneve. Kështu që, kjo gjykatë do të punojë sipas këtij statuti, e jo sipas ndonjë rregullative juridike të Kosovës. Por, në rastin e gjykimit lidhur me veprat penale dhe këto të tjerat që ndërlidhen me atë, do të merren parasysh dhe do të bëhen sipas ligjit penal që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së krimeve për të cilat mendohet se janë kryer gjatë dhe menjëherë pas luftës”, ka thënë Salihu për “Epokën e re”.

Ai ka treguar se Gjykata Speciale do të funksionojë me të gjitha kriteret, parametrat, normat dhe parimet e një gjykate penale ndërkombëtare.

“Në esencë, kjo është gjykatë penale ndërkombëtare, por pse i atribuohet kjo speciale nuk po e kuptoj, edhe pse jam jurist që 45 vjet. Kjo gjykatë do të funksionojë me të gjitha kriteret, parametrat, normat dhe parimet e një gjykate penale ndërkombëtare. Dëshmitarët do të dërgohen atje për të dhënë dëshmi dhe do të jenë të mbrojtur. Të gjithë gjyqtarët, prokurorët dhe hetuesit do të jenë ndërkombëtarë, kurse gjykimi do të bëhet jashtë territorit të Kosovës, në Holandë, Hagë. Edhe nëse shpallet fajtor dikush, dënimin me burgim do ta mbajë jashtë Kosovës, pra në shtetin ku e cakton gjykata”, ka deklaruar Salihu.

Ai ka thënë se puna e Gjykatës Speciale do të fillojë në verë dhe mandati i saj mund të mos jetë pesëvjeçar.

“Sipas të gjitha gjasave, punën kjo gjykatë do ta fillojë në verë, në muajin qershor, korrik apo gusht, ndërsa mandati i saj do të jetë për pesë vjetët e ardhshëm, por me mundësi vazhdimi. Mund të jetë deri në 2025-n. Kjo gjykatë nuk është mirë të cilësohet si gjykatë e cila do të merret me krimet e UÇK-së dhe nuk është mirë të thuhet kështu. Gjykata Speciale do të ketë juridiksion për t’i gjykuar edhe kryesit e krimeve të rënda të cilat janë kryer pas çlirimit të Kosovës, pas 12 qershorit të ’99-s”, është shprehur Salihu.

Sipas tij, Gjykata Speciale do të jetë e dhimbshme, por është proces i ndërkombëtarëve, i cili duhet të kalohet.

“Atë që duhet ta dijë opinioni është se askush nuk do të mund të dënohet i pafajshëm për shkak se ka një rëndësi juridike penale ndërkombëtare. Sfidat do të jenë të tilla, për të gjithë neve ka me qenë e dhimbshme, por kështu ka vlerësuar bashkësia ndërkombëtare, se duhet të veprohet për shkak se në Kosovë nuk u arrit të ndërtohet një sistem i drejtësisë efikase dhe autonome. Por, nëse kjo gjykatë është themeluar për shkak të dështimeve të sistemit të drejtësisë në Kosovë, atëherë fajin më të madh e kanë ndërkombëtarët, të cilët e kanë menaxhuar sistemin e drejtësisë”, ka thënë Salihu.

Ndërsa avokati Tomë Gashi ka thënë se Gjykata Speciale po krijohet me kërkesën e ndërkombëtarëve për shkak të neglizhencës së Kosovës dhe dështimit të drejtësisë ndërkombëtare.

“Janë dy arsye që e kanë shtyrë bashkësinë ndërkombëtare të bëjnë presion të paparë në institucionet e Kosovës, posaçërisht në qeverinë e kaluar, që të dalë me një përfundim për themelimin e kësaj gjykate; neglizhenca e gjyqësorit të Kosovës që nuk ka pasur fuqinë t’i zgjidhë dyshimet që janë paraqitur, dhe dështimi i gjykatave apo gjyqtarëve dhe prokurorëve të huaj që kanë qenë në misionin e UNMIK-ut dhe EULEX-it. Posaçërisht nuk jemi marrë me pretendimet që janë dhënë në raportin e Dick Martit, ndërsa më herët ka qenë i botuar edhe libri nga kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte”, ka deklaruar Gashi për “Epokën e re”.

Gashi ka thënë se Kosova do të ketë punë deri në themelimin e Gjykatës Speciale pasi, sipas tij, duhet të ndryshohet pjesërisht edhe Kushtetuta. Ai ka thënë se asgjë e mirë nuk mund të pritet nga kjo gjykatë.

“Tani është faza përfundimtare e përgatitjes së legjislacionit meqë duhet të ndryshohet pjesërisht edhe Kushtetuta e Kosovës. Duhet të ndryshohen edhe disa prej dispozitave apo krejtësisht ligjet penale në Kosovë, posaçërisht Ligji i Procedurës Penale. Paksa është e dhimbshme që jemi detyruar t’i aprovojmë këto presione të BE-së dhe SHBA-së, meqenëse nuk është duke u lejuar të jetë gjithçka në duart e Kosovës si shtet i ri. Nuk kemi përformuar siç është pritur nga ne dhe rruga ka qenë e mirë, por nuk i kemi kryer ashtu siç duhet detyrat tona të shtëpisë. Sigurisht se asgjë e mirë nuk mund të pritet nga Gjykata Speciale”, ka theksuar Gashi, duke shtuar se funksionimi i kësaj gjykate pritet të bëhet në verë, kurse nuk dihet se me çfarë rregullore do të punojë.

Por, sipas tij, kjo gjykatë duhet të punojë vetëm me dispozita të ligjit të Kosovës.

“Ne ende nuk e dimë se me çfarë rregullore do të punojë gjykata, por kërkesa kryesore e jona do të jetë që ky tribunal të punojë vetëm me dispozitat e ligjit të Kosovës dhe do të mund të quhej eventualisht nën ombrellën e Kosovës. Por, mund të ketë edhe intenca të tjera që gjykata të formojë një statut ashtu siç e ka Tribunali i Hagës, pastaj ligjet e Kosovës të mos vlejnë fare. Këtu janë krejt dilemat. Nuk pres që kjo gjykatë të funksionalizohet para verës së këtij viti. Mandati nuk është i përcaktuar, por duke e ditur nivelin e veprave penale të pretenduara që mund të jenë të rënda dhe të niveleve të larta, atëherë është e pamundshme që kjo gjykatë të jetë nën mandat pesëvjeçar. Besoj se mandati i saj do të zgjasë deri në dhjetë vjet, meqenëse përafërsisht duhet që një lëndë të jetë e plotfuqishme”, ka deklaruar Gashi.

Më Shumë

Drita shkëlqen ndaj Suharekës, rrëmben kryesimin

Drita ka arritur një fitore bindëse 4:2 ndaj Suharekës në ndeshjen e Superligës së Kosovës, duke marrë kreun e tabelës me 28 pikë. Golat...

Shyhrete Behluli shënon 50-vjetorin e karrierës së saj muzikore

Një nga emrat më të dashur të muzikës shqiptare, Shyhrete Behluli, ka festuar 50-vjetorin e karrierës së saj muzikore. Këtë moment të veçantë e ka...

Lajmet e Fundit