Si kudo, edhe në Shqipëri prodhohet shumë subkulturë, por vetë termi nuk është edhe aq i popullarizuar, prandaj, për arsye komunikimi normal, ia vlen të flitet për të. Fillimisht, duhet thënë se të gjitha shoqëritë ndryshojnë në atë që asnjëra nuk ka një sistem të përbashkët dhe uniform të vlerave, kodeve, riteve, konvencioneve, tabuve, etikave, sjelljeve, veshjeve, kuzhinës, besimeve religjioze, aktiviteteve krijuese dhe artefakteve. Kjo listë mund të zgjatet vazhdimisht dhe krahasimi i kulturave të veçanta do të na bindë lehtësisht për këtë. Termi i kulturës mund të përfshijë çdo aspekt të jetës së një shoqërie, por termi i subkulturës, me ngjyresën e të qenit ndryshe nga kultura mbizotëruese, është i vështirë të përcaktohet, por dihet se në raport me të parën, ai mbart kuptimin e “alternativës” dhe të fshehtës, duke përfshirë idenë e kulturës popullore.
Shembull klasik i zhvillimit të subkulturës dhe i mbajtjes së saj në këmbë për një periudhë të gjatë, është rasti i Shqipërisë në periudhën e pushtimit otoman: pavarësisht ndikimit të fortë, apo represiv, të shtrirë nëpër disa shekuj, shqiptarët mbajtën gjuhën, letërsinë, zakonet e traditat. Një shembull europian mund të merret nga Polonia e pushtuar nga Gjermania naziste: në shkollat dhe universitetet polake bëhej mësim “underground”. Prodhim i këtij fenomeni është edhe i ardhshmi papë Vojtila.
Në kuptimin e përgjithshëm subkultura lidhet me grupet e përziera sociale brenda një shoqërie: për shembull, getot dhe minoritetet priren të prodhojnë subkulturë. Kjo ndodh zakonisht me organizime të ndryshme dhe profesionistë (juristë, mjekë, mësues etj.), si edhe “rrethe” më të ngushta. Ajo që subkulturat përpiqen të kenë të përbashkëta, janë zhargonet, dialektet, shkalla e vlerave, kodet e pranuara e tipike, mënyrat e sjelljes e veshjes, konvencionet etike dhe aktivitetet krijuese (muzikë, poezi, këngë, kërcim).
Në disa raste, një subkulturë është rezistencë reale apo simbolike ndaj një autoriteti real apo imagjinar dhe të gjithë atyre që, dashur padashur, janë mbështetës të konformitetit dhe traditës.
Nga çfarë u tha, krijohet një ide se cila është kultura dhe cila është subkultura në Shqipëri, por kjo nuk do të thotë se hiqet mundësia e keqkuptimeve. Pas pyetjes se çfarë qëndron në themelet e një shoqërie të qytetëruar, sigurisht që rreshtohen edhe fjalët: kultura e leximit.
Por si paraqitet ndër shqiptarë ky element që fillon te shkolla?
Sipas projekteve të Ministrisë së Arsimit, ndodh që shqiptarët nuk duhet të lexojnë Floberin, por Zhorzh Sandin dhe Prosper Merimenë, nuk duhet të lexojnë Xhojsin, Prustin, Vulfin, Heminguejin, Eliotin, Paundin, por O’Henrin, Kroninin, Verkors, Sali Salminen, Eli Pelin, megjithëse pjesa më e madhe mund të mos studiohen as në vendin e tyre. Më tej, shqiptarët nuk duhet të lexojnë Ernest Koliqin, Mitrush Kutelin, Faik Konicën, Martin Camajn, Azem Shkrelin, Anton Pashkun, Kasëm Trebeshinën, për të mos thënë që listohen autorë larg hierarkisë së njohur nga lexuesi.
Arsyetimi i komisioneve se “këto na kanë sjellë botuesit”, mban erë të keqe, pasi kështu bëhet biznes dhe s’pyetet për përcjellje kulture. Arsyetimi se kemi listuar autorët që kanë fituar çmime, shtyn të mendosh se pse duhet mbledhur një komision ekspertësh, kur këtë e bëkan edhe një takëm burokratësh. Nga ana tjetër, shpesh, duket sikur përgatitësi i listës ka parë vetëm nga biblioteka personale.
Përpjekjes për t’i mësuar të rinjve shqiptarë se autorët e mëdhenj janë një shije e gjymtuar dhe jo ata që janë, i shtohet edhe keqkuptimi ndaj atyre që quhen “përkthyes të mirëfilltë”. Lista e tyre nuk të sqaron drejt se çfarë është pasur parasysh me këtë term, sepse aty nuk gjenden përkthyesit e veprave madhore të Homerit e Dantes. Turbullimi vazhdon kur në listë përfshihen emra, por nuk parashikohet të lexohen autorët që ata kanë përkthyer.
Epoka jonë, e quajtura postmoderne, nuk e pranon përjashtimin e kulturave nga njëra-tjetra, siç bënte epoka e modernizmit, mirëpo, epoka postmoderne e ka të qartë se ku studiohet ajo pjesë që quhet “kulturë e artë” dhe ku lihet për konsum ajo që quhet “kulturë e ulët”.
Përderisa kultura përfshin një ndërtim shoqëror të zgjedhur, që arrin t’i ndajë marrësit pasivë nga ata që kultivojnë ndërgjegjen e perspektivave shoqërore e kombëtare, një ngatërrim kulturash, si në rastin që po flasim, do të ishte një humbje e madhe. Kur flasim për shoqëri dhe mendim postmodern, kemi parasysh vende ku është kristalizuar prej kohësh institucioni i kulturës, një proces të nxëni ku mbijnë teoritë për mbrojtjen dhe ruajtjen e traditave, ku forcohet përmasa shoqërore dhe kombëtare e kulturës, duke u bërë kod vlerash dhe mënyrë perceptimi.
Mesazhi i këtij diskutimi të shkurtër është që të ndërtojmë si duhet një kulturë, për të kuptuar e vlerësuar çdo subkulturë, mënyra e vetme për t’i dalë përpara pasojave që do të vinin nga ngatërrimi i tyre.