Viti 2017 do të sjellë finalizimin e projektit për restaurimin dhe konservimin e tërësishëm të Kalasë së Prizrenit, duke bërë kështu që të ruhet gjendja e kalasë, e cila është një nga pikat e turizmit kulturor në qytetin e Prizrenit. Javën e kaluar, Komisioni i përbërë nga Vjollca Aliu, Samir Hoxha, Enver Rexha, Mon Gojani, Rreze Vitaku, Artan Hoxha dhe Agim Gërguri, ka shqyrtuar edhe projektin në tërësi, ndërsa, siç është thënë, së shpejti vendimi do të bëhet publik, derisa është bërë e ditur që do të ketë edhe dy debate publike për kalanë.
Punimet në Kalanë e Prizrenit kanë vazhduar në pjesën të cilën e financon Ambasada Amerikane, por jo edhe në pjesë e ashtuquajtur “ambienti ekspozues” që e financon Qeveria e Kosovës, kjo pasi Ministria e Kulturës nuk i ka bartur mjetet për këtë projekt në llogarinë bankare të Institutin Arkeologjik të Kosovës.
Shafi Gashi, udhëheqësi i Projektit për Kalanë e Prizrenit, ka thënë për gazetën “Zëri” se momentalisht janë duke punuar në pjesën e qytetit të poshtëm, jugor, të Kalasë së Prizrenit, e cila financohet nga Ambasada e Amerikës në Kosovë. “Punimet kanë karakter kryesisht të pastrimit dhe të konservimit të strukturave arkitektonike”, ka thënë Gashi për “Zërin”. Shafi Gashi, arkeolog nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, ka treguar se punimet janë ndërprerë në pjesën që e kanë quajtura “ambienti ekspozues”. “Punimet janë ndërprerë në këtë pjesë. Edhe vitin e kaluar i kemi kryer punimet aty dhe nuk kemi vazhduar më në atë pjesë, sepse ajo pjesë financohet nga buxheti i Qeverisë së Kosovës dhe buxheti ende nuk është alokuar në Institutin Arkeologjik nga ana e Ministrisë së Kulturës”, ka treguar Shafi Gashi, për të shtuar se, me pastrimin kanë filluar vetëm në fund të javës së kaluar për të bërë pastrimin, sepse nuk ka qenë moti i mirë.
“Do të bëjmë edhe konservimin e murit të shembur”, ka thënë Gashi, duke shtuar se nuk kanë punuar në këtë pjesë më herët për faktin se aty punohet me material gëlqeror. “Gëlqerja e shuar duhet të ketë temperatura mbi 15 gradë, kjo edhe është arsyeja pse nuk kemi intervenuar deri më tani me sanimin e gjendjes”, është shprehur Shafi Gashi. Ai ka thënë se projekti i Kalasë së Prizrenit parasheh punime në vitet 2015, 2016 dhe 2017. “Për këto vite planifikohet që të ketë punime intensive dhe që kalaja të marrë formën përfundimtare që të jetë në gjendje të mirë, për figurën e vetë monumentit, por edhe për turizmin kulturor”, ka thënë arkeologu Gashi.
Samir Hoxha, drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, ka thënë për gazetën se punimet janë pezulluar në pjesën e qytetit të epërm të Kalasë së Prizrenit, me ç’rast udhëheqësi i projektit nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, Shafi Gashi, ka kërkuar nga Komisioni për Shqyrtimin e Kërkesave dhe Projektpropozimeve për ndërhyrje restauruese –konservuese, që ta trajtojë plotësim-ndryshimin e vendimit për vijimin e punimeve të mëtutjeshme. “Instituti Arkeologjik i Kosovës është duke zhvilluar gërmime arkeologjike me karakter pastrimi dhe konservimi të strukturave arkitektonike në pjesën e qytetit të poshtëm të Kalasë së Prizrenit”, ka thënë Hoxha.
Ai ka treguar se Instituti Arkeologjik i Kosovës mbështetur nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, javën e kaluar kanë filluar me pastrimin e rrënojave të pjesës së shembur të murit të Kalasë. “Në fillimi të kësaj jave do të bëhet vendosja e skelave, të cilat do të shërbejnë që bashkëpunëtorët profesionalë të kenë mundësi që të afrohen e të shohin për së afërmi shkaqet që kanë çuar deri të shembja e murit, e ku më pas do të përgatitet raporti final.
E pas kësaj, shumë shpejt do të fillohet me sanimin e dëmeve të shkaktuara në këtë pjesë të murit”, ka thënë Samir Hoxha, për të shtuar se procesi i punimeve në projekte të tilla është delikat dhe kërkon kohën e duhur për implementimtë punëve restauruese dhe konservuese. “E vërteta është se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe e Sporteve e ka të vendosur në prioritetet e saja në Kornizën afatmesme buxhetore Kalanë e Prizrenit”, është shprehur Hoxha, duke shtuar se janë të aprovuara edhe mjetet nga fondi i Ambasadës Amerikane në Kosovë për këtë fazë të projektit, për vitet 2014-2017 . “Me përfundimin e këtyre punëve jemi të bindur se Kalaja e Prizrenit do të jetë në shërbim të Turizmit Kulturor në qytetin historik të Prizrenit”, thotë Samir Hoxha
Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit për Trashëgimi Kulturore në Ministrinë e Kulturës, ka thënë për “Zërin” se nuk mund ta ndalin projektin, të cilin e bashkëfinancon Ambasada e Amerikës. “Javë e kaluar e kemi shqyrtuar edhe projektin në tërësi. Rekomandimet i ka proceduar Komisioni. Në momentin kur të merret vendimi do të bëhet publike”, është shprehur Aliu, teksa ka thënë se punimet në Kalanë e Prizrenit kanë vazhduar me pastrimin e saj. “Komisioni ka trajtuar shumë komponentë, me përjashtim komponentin e ndriçimit, që do të vendosen më vonë pas një apo dy diskutimeve publike që do t’i organizojë Instituti Arkeologjik”, ka thënë Vjollca Aliu, duke shtuar se ka pasur edhe të tjera diskutime publike, por Komisioni ka konstatuar se duhet ende të ketë diskutime.
“Në mënyrë që të arrihet një konsensus i përbashkët i të gjitha palëve të përfshira dhe që në këtë rast do të jetë në të mirën e monumentit, në këtë rast Kalasë”, është shprehur Aliu, derisa ka thënë se i kanë përfunduar rekomandimet që do t’i dorëzohet ministrit dhe do të shohin pastaj sesi do të vazhdojnë procedurat. “Është trajtuar projekti në tërësi”, ka thënë Vjollca Aliu.
Punime që janë duke u kryer aktualisht në Kalanë e Prizrenit janë duke u mbështetur nga Ambasada Amerikane në Kosovë./Zëri/