Në Rahovec është mbajtur edicioni i parë i Festivalit Poetik “Muzat e Vreshtave”, një manifestim kulturor i organizuar nga Klubi Letrar “Xhevdet Bajraj”, kushtuar jetës dhe veprës së poetit të shquar Xhevdet Bajraj.
Aktivitetet e festivalit nisën me homazhe pranë varrit të poetit në varrezat e qytetit të Rahovecit. Më pas, poetë nga Rahoveci dhe përfaqësues të klubeve letrare nga treva të ndryshme shqiptare vazhduan aktivitetet sipas agjendës së paraparë.
Pjesëmarrësit vizituan Majën e Shkodranit, shtëpinë e ish-anëtarit të klubit, profesor Sabahajdin Cena, në Lugun e Gjeraqinës, Bibliotekën Komunale “Sulejman Krasniqi” në Rahovec, si dhe zonën e Urës së Fshajtë pranë lumit Drini i Bardhë. Në kuadër të festivalit u realizuan edhe vizita në Krushë të Madhe, përkatësisht në Shtëpinë-Muze të Ukshin Hotit dhe Muzeun e Masakrës.

Pjesa qendrore e festivalit, Ora e Madhe Letrare, nisi me promovimin e librit në dorëshkrim të poetit Xhevdet Bajraj, me titull “Dyert e burgut janë të hapura”, botuar nga Shtëpia Botuese “Drini” në Ferizaj.
Më pas, autorët pjesëmarrës interpretuan krijimet e tyre poetike, ndërsa juria profesionale, e përbërë nga Leonora Bruçaj-Keka, Bedri Zyberaj dhe Zyrafete Shala, shpalli fituesit e konkursit letrar.
Çmimi i parë iu nda Suzana Gjergjit për poezinë “Do të besoja verbërisht”, çmimi i dytë Muzafer Ramiqit për poezinë “Testament”, ndërsa çmimi i tretë Mirvete Kabashi-Lekut për poezinë “Atdheu në një pikë boje”.
Po ashtu, u ndanë edhe çmime të veçanta: Çmimi Post Mortem për profesorin Sabahajdin Cena, Çmimi i Mërgimtarit për Merita Kafexhiu Kadirin dhe Çmimi Special “Xhevdet Bajraj” për krijuesin Agim Metbala, për veprimtari jetësore.
Festivali u përmbyll me ndarjen e mirënjohjeve për pjesëmarrësit dhe me promovimin e librit me poezitë e autorëve pjesëmarrës në konkursin letrar./PrizrenPress.com/
Marketing
Realizoni projektet tuaja me BiCredit, partneri juaj i besueshëm financiar në Prizren!
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren
