Rahoveci do të mirëpresë më 22 qershor Festivalin Poetik “Muzat e Vreshtave”, një manifestim kulturor që i kushtohet poetit të ndjerë Xhevdet Bajraj dhe trashëgimisë së tij letrare.
I organizuar nga Klubi Letrar “Xhevdet Bajraj”, festivali synon të bashkojë poetë, krijues letrarë dhe dashamirë të artit nga Kosova dhe më gjerë, duke promovuar poezinë dhe vlerat kulturore, raporton PrizrenPress.

Aktivitetet do të nisin me homazhe te varri i poetit në Rahovec, ndërsa gjatë ditës pjesëmarrësit do të vizitojnë disa prej pikave më të rëndësishme kulturore, historike dhe natyrore të komunës, përfshirë Bibliotekën Komunale “Sulejman Krasniqi”, Lugun e Gjerakinës, Shtëpinë-Muze të Ukshin Hotit dhe Muzeun e Masakrave në Krushë të Madhe.
Ngjarja qendrore e festivalit do të mbahet në Gradish, ku nga ora 18:00 do të zhvillohet “Ora e Madhe Poetike – Muzat e Vreshtave”, kushtuar jetës dhe veprës së Xhevdet Bajrajt. Në kuadër të këtij aktiviteti do të ndahen çmime, mirënjohje dhe Çmimi Special “Xhevdet Bajraj”.

Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe të poetëve, krijuesve dhe artdashësve, duke theksuar se festivali synon të krijojë një hapësirë të veçantë për artin e fjalës së shkruar dhe të forcojë lidhjet ndërmjet krijuesve.
“Ky festival synon të bashkojë zërat krijues, të promovojë poezinë dhe vlerat kulturore, si dhe të krijojë një hapësirë të veçantë për artin e fjalës së shkruar”, thuhet në ftesën e Klubit Letrar “Xhevdet Bajraj”.
Festivali pritet të shënojë një ngjarje të rëndësishme në kalendarin kulturor të Rahovecit, duke e kthyer qytetin në një pikëtakim të poetëve dhe dashamirëve të letërsisë në nderim të njërit prej emrave më të njohur të poezisë shqipe bashkëkohore./PrizrenPress.com/
Marketing
Realizoni projektet tuaja me BiCredit, partneri juaj i besueshëm financiar në Prizren!
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren
