13.6 C
Prizren
E enjte, 18 Shtator, 2025

Krasniqi: Peticioni është zëri i qytetarëve

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi thotë se peticioni i iniciuar sot nga partitë opozitare, është zëri i qytetarëve dhe një protestë legjitime.

Krasniqi thotë se koalicioni aktual qeverisës PDK-LDK po qeveris shumë keq me vendin dhe janë qytetarët ata që duhet të ndalojnë një gjë të tillë. Peticioni sipas tij, është forma më qytetare e protestës duke u bërë thirrje qytetarëve që të japin nënshkrimin e tyre.

Shkrimi i plotë i Krasniqit në Facebook:

PETICIONI ËSHTË ZËRI I QYTETARËVE – ËSHTË PROTESTË LEGJITIME

Sot qeveria foli përmes opinionistëve, për të qenë “analizat” e saja më bindëse për qytetarët, për të mbytur zërin e qytetarëve që janë zoti i vërtetë i këtij vendi. Ata po harrojnë se edhe në të kaluarën kishte “marrëveshje” për t’ju aneksuar Serbisë, se kishin arritur ti bindin disa delegatë në Prizren (korrik 1045), “se ishte interesi i Kosovës që t’i bashkohej Serbisë, se Shqipëria ishte e varfër”. Po edhe në atë kohë, kishin qenë disa zëra që patën kundërshtuar, ani pse ata do te dënoheshin me burg të përjetshëm. Por nuk pat munguar as zëri i guximit njerëzor i Ramiz Cërnicës, i cili kishte thënë: “Me Shqipërinë, JO me Serbinë”!

Pas Kuvendit, kur Rifat Berisha ia kumtoi lajmin Tahir Berishës, se Kosova i ishte aneksuar Serbisë, ai i thotë: “ se shumë gjak do të derdhet për të ndryshuar ketë vendim” (parafrazim). Se nga e si ecëm për të ardhur deri të 17 shkurti i vitit 2008 e dimë të gjithë. U deshën mbi 600 shekuj burg për ata që guxuan të kërkojnë çlirimin nga Serbia, u deshën qindra mijëra shqiptar të shpërndarë në katër anët e Globit, u deshën rreth 100.000 viktima e martirë pas Luftës se Dytë Botërore e shkatërrime të shumta ekonomike. Jo vetëm këto që i ceka, ishin pasojë e një vendimi mendjelehtësh. Edhe atëherë vendimi ishte marrë nën presion e frikë. E sot?

I thash të gjitha këto, jo pse dua të vej shenja barazimi, në mes së sotshmes e se djeshmes, por për të treguar sesa të dëmshme janë vendimet që merren nën çdo formë të diktatit apo presionit. Sesa të dëmshme janë vendimet që merren pa e dëgjuar zërin e qytetarëve te vendit. Nuk kam asnjë dyshim, siç nuk ka as shumica e qytetarëve tani, se koalicioni qeverisës është duke qeverisur keq, madje tepër keq. Gjithë veprimet e vendimet e saj, me vërejtjet e Shoqërisë Civile, te këtyre dite e konfirmojnë ketë. Edhe marrëveshja e 25 gushtit në Bruksel me marrëveshjen e demarkacionit janë tepër të dëmshme për Republikën tonë. Për këto arsyeje të cekura e për shumë të tjera që nuk i ceka, duhet të merr pozicion qytetari ynë.

Nënshkrimi i Peticionit që po e afron opozita e bashkuar nga ana e qytetarëve, është akti më i rëndësishëm i qytetarëve, është vërejtja më serioze që qytetarët ua bëjnë shërbëtorëve të tyre, zyrtarëve të shtetit. Çdo zyrtar i zgjedhur, i emëruar apo zyrtar tjetër që paguhet nga paraja publike, është shërbëtor i qytetarëve e jo zot i tyre, si po pretendojnë e krekosen qeveritarët tanë.

Nënshkrimi i Peticionit nga qytetarët është forma më qytetare e protestës, është vërejtja më serioze paqësore e demokratike, që u drejtohet atyre që nuk po dinë të qeverisin, atyre që po marrin vendime të dëmshme për vendin, atyre që po u lënë pasoja të pa parashikueshme gjeneratave të ardhshme.

Është momenti i fundit, që qeveritarët duhet të tërhiqen nga marrëveshjet e dëmshme, të cilat ende nuk janë të finalizuara, pasi ende nuk kanë folur përfaqësuesit e popullit. Ky edhe është mesazhi i nënshkruesve të peticionit! Mesazhi është fisnik, për secilin që dinë ta lexoj shqip!

Qytetarët duhet të vrapojnë për të shprehur qëndrimin e tyre, për një të ardhmen më të sigurt për fëmijët e tyre.

Më Shumë

Policia konfiskon mbi 500 kg marihuanë në Suharekë

Policia e Kosovës ka realizuar një aksion në një fshat të Suharekës, ku ka konfiskuar mbi 500 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar të llojit...

Bashkimi mposhti Trepçën në miqësore

Bashkimi ka shënuar fitore ndaj Trepçës në miqësoren e zhvilluar sonte në “Sezai Surroi” në Prizren, ku kishte rreth 1 mijë shikues. Ekipi prizrenas ka...

Lajmet e Fundit