6.8 C
Prizren
E shtunë, 17 Maj, 2025

Molliqaj: Qeveria rrëzohet vitin e ardhshëm (Video)

Duhet të kalohen disa dyer e disa oborre të fshatit Beleg të Deqanit për të arritur tek Sekretari Organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj.

Zyrtari i lartë i partisë është duke u ruajtur të mos u bie në dorë policëve dhe shpreson që do qëndrojë larg burgut deri në realizimin e kauzës së opozitës për rrëzimin e pushtetit dhe anulimin e marrëveshjeve për Asociacionin e Komunave Serbe dhe Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Pasi ka kryer ceremoninë e varrimit të gjyshes, Molliqaj pranoi të flasë për KALLXO.com në intervistën e parë të tij pas protestave të cilat ia dhanë atij ilegalitetin.

Shkak për këtë u bë momenti kur Molliqaj u pa gjatë protestës duke e larguar nga vetura zyrtare një këshilltar qeveritar,para se vetura të demolohej.

Në nisje të intervistës Molliqaj lë të nënkuptohet se nuk u ka rënë pishman fjalëve të tij para Kuvendit të Kosovës ku kishte deklaruar “o të gjithë në burg, o do lirohen të gjithë”.

“Në përpjekjen tonë për t’u çliruar nga mendësia politike që shteti i Kosovës të ndërtohet nga koncesionet dhe dialogu me Serbinë dhe për t’u çliruar nga bandat kriminale të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, kjo përpjekje do jetë ose të gjithë në liri, ose të gjithë në burg”, thotë Molliqaj.

Ditët e fundit Dardan Molliqaj thotë se ishte në Deçan, për të mobilizuar qytetarë për manifestimin e nesërm në Gjakovë, të organizuar nga opozita.

“Kam qenë nji kohë, këto dy-tri ditë në Dukagjin në mobilizimin e qytetarëve para manifestimit”, tha ai.

I pyetur pse nuk po del publikisht në aktivitetet e Vetëvendosjes, Molliqaj thotë që nuk ka asnjë thirrje prej policisë, por nuk është i gatshëm të kidnapohet, siç ai shprehet nga bandat kriminale.

“Unë nuk kam ftesë prej policisë as në shtëpi e as në zyre. Unë si çdo aktivist i Vetëvendosjes jam duke e bërë aktivitetin tim, por jam duke u kujdesur për shkak se nuk jam gati e ua lehtësu kidnapimin politik këtyre bandave kriminale. Kontributi i secilit aktivist është më i madh në liri se në burg”, thotë ai.

E me këto aktivitete kundërshtuese, Molliqaj po e sheh fundin e pushtetit aktual.

“Jo më larg se vitin e ardhshëm pushteti ka me u ndërru”, thotë Molliqaj.

Por, pse nuk ishte Dardan Molliqaj prezent në manifestimin e 28 Nëntorit?

“Unë do të jem në aktivitete, por jo në të gjitha. E për 28 Nëntor kam mungu sepse është vlerësu që është më e rëndësishme që atë ditë mos me qenë aty. Kam qenë nëpër komuna në mobilizim. E rëndësishme ka qenë që unë mos me u arrestu”, rrëfen Molliqaj.

Ai tregon për një nivel organizimi në Vetëvendosje ku sipas tij diskutohen edhe pjesëmarrja ose jo e dikujt në protesta. Për mos-pjesëmarrjen e tij më 28 Nëntor, Molliqaj thotë se ka vendosur kryesia dhe grupi parlamentar i VV-së.

Sipas tij, qëllimi i këtyre vendimeve është ruajtja e forcave dhe masivizimi i aktiviteteve.

“Qëllimi i organizatës tonë është qysh me i rujt forcat sa ma shumë. Qëllimi jonë është me i masivizu aktivitetet tona, me e goditë këtë pushtet kriminal dhe një ditë me e rrëzu komplet. E unë jam i bindun që kjo do të ndodhë”, thotë Molliqaj.

Duke folur për deklaratat e fundi të ndërkombëtarëve, Molliqaj është i bindur se tashmë është dëshmuar se vlerësimet e Vetëvendosjes kanë dalë të drejta.

Molliqaj ka folur edhe për paraqitjen e Albin Kurtit në protestën e 28 nëntorit duke i vënë kapak fjalëve se paraqitja e Kurtit ishte e planifikuar.

“Liderët opozitarë kanë qenë të njoftuar për fjalimin e Kurtit dhe është bërë në koordinim. Nuk ka qysh me pas çarje. Çdo tradhti e secilit prej neve në këtë proces përveç se është tradhti ndaj Kosovës, është edhe tradhti ndaj vetes”, thotë Molliqaj.

Ai parashikon edhe arrestime tjera të deputetëve.

“Unë mendoj qe ka me pas ende deputetë të arrestuar… Po sigurisht që do të ketë gaz, protesta e arrestime”, thitë ai.

Herën e fundit kur policia hyri në selinë e Vetëvendosjes për ta arrestuar Kurtin, nga aty doli me gjësende tjera e material të përdorur në protesta, përfshirë edhe bombola gazi lotsjellës.

Molliqaj thotë se nuk është asgjë befasuese ajo që gjeti policia.

“Ne kemi gjuajt gaz lotsjellës, ne kemi gjuajt sfera me ngjyrë në eskortën e kryeministrit Mustafa, kemi gjuajt Molotov nuk është asgjë. Ka pasur edhe miell sepse ka qenë e paraparë që pas aksionit me ve, ta gjujmë kryeministrin me miell”, thotë ai.

Ai flet edhe për aktivitetin e nesërm në Gjakovë, në të cilin thotë se nuk do të marrë pjesë.

Ai thotë se sado që nuk u përmbahet “urdhrave politikë” për t’iu dorëzuar policisë, dënimet e komunikacionit i paguan.

“Unë e asnjë aktivist i Vetëvendosjes nuk kemi asnjë rast tjetër të hapur të shkeljes së ligjeve, përveç aktiviteteve publike. Edhe dënimet e komunikacionit të gjithë i paguajmë”, thotë ai. /Kallxo.com

Më Shumë

Mamusha nënshkruan marrëveshje prej 400 mijë eurosh me MMPHI-në për asfaltimin e rrugëve

Kryetari i Komunës së Mamushës, Abdylhadi Krasniç, ka njoftuar se ka nënshkruar marrëveshjeje mirëbesimi me zëvendësministrin e MMPHI-së, Hysen Durmishi për një projekt kapital...

Spitali i Prizrenit nderon infermierët në ditën e tyre

Spitali i Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren në Ditën Botërore të Infermierëve që shënohet me 12 maj ka vlerësuar kontributin e përditshëm...

Magjia e dritës

Lajmet e Fundit