Kjo është një nga të shumtat histori të shqiptarëve emigrantë të martuar me shtetase të huaja, që për shkak të kulturave të ndryshme, nuk munden të kenë një lidhje të shëndoshë dashurie.
Ata u njohën në SHBA disa vite më parë, periudhë në të cilën shqiptari jetonte si emigrant dhe po ashtu vajza, që sapo kishte mbërritur në shtetin amerikan nga Polonia.
Nga lidhja e tyre e dashurisë, në mars të vitit 2006, vjen në jetë fëmija i parë i çiftit, vajzë e dy vjet më vonë, lindin një djalë.
Shqiptari punonte për të siguruar të ardhurat e familjes, ndërsa gruaja polake qëndronte në shtëpi dhe kujdesej për fëmijët. Në vitin 2011, burri kthehet i detyruar në Shqipëri pasi dokumentacioni i tij nuk ishte i rregullt. E nga dashuria, nga pas e ka ndjekur edhe bashkëjetuesja me dy fëmijët.
Pas disa vitesh bashkëjetesë, me kthimin në Tiranë ata kanë vendosur të lidhen në martesë duke u drejtuar në zyrat e gjendjes civile. Kështu ata nisin jetën në shtëpinë e djalit, bashkë me nënën e tij.
Por historia nis dy vite më pas, në 2013-ën, kur vajza polake, ka pasur kontradita me bashkëshortin, pasi dyshonte në sjelljet e tij, duke menduar se ai e kishte humbur interesimin rreth saj, derisa një ditë në konflikt e sipër, ai e ka dëbuar gruan nga banesa, thuhet në vendimin e gjykatës.
PRETENDIMET
Nga ky moment, nisin gjithë peripecitë dhe kalvari i gjatë i mosmarrëveshjeve civile dhe ndërpersonale, por dhe ato gjyqësore mes çiftit.
Pas dëbimit, fëmijët jetonin në shtëpinë e babait, duke u mbajtur larg nënës së tyre, asnjë takim, asnjë telefonatë.
Gruaja polake, sipas atyre që ajo ka shprehur në gjykatë, ka shpjeguar ndër të tjera, faktin se është ndjere e keqtrajtuar nga bashkëshorti duke përjetuar ndjenja vetmie, përbuzje, distance, nga ftohtësia e burrit.
Këtë gjë, sipas të pandehurës, burri e ka përcjellë dukshëm dhe sistematikisht edhe tek fëmijët e tyre te mitur, të cilëve në emër të garantimit të kushteve materiale për një jetë më të mirë e të sigurt, u ka mohuar praninë, dashurinë, ngrohtësinë e nënës së tyre.
Ndaj polakja rezulton të ketë kërkuar e para urdhër mbrojtje në Gjykatë, e më pas edhe kujdestarinë e përkohshme të dy fëmijëve të mitur, por kjo e dyta nuk i është pranuar.
VUAJTJET ME FËMIJËT
Por gjatë gjithë procesit gjyqësor, shqiptari ka bërë disa kallëzime penale ndaj bashkëshortes, që të pengonte me çdo formë kontaktet e saj me fëmijët.
Madje në çdo takim të përcaktuar sipas kushteve të gjykatës, nëna përballej me refuzimin dhe reagimin agresiv të fëmijëve.
Por ka qenë një ditë Gushti në vitin 2014, ajo çka acaroi edhe më tej raportet dhe ka ndarë përfundimisht palët.
Në këtë datë ishte edhe dita e takimit në prani të përmbaruesit gjyqesor, me fëmijët. Teksa nëna përpiqej t’i afrohej fëmijëve, ata refuzonin dhe kështu, përmbaruesi ka mbyllur takimin dhe është larguar. E dëshpëruar, polakja ka nisur të qajë dhe kur bashkëshorti ka marrë fëmijët për tu larguar, ajo i ka ndjekur nga pas duke iu lutur që t’i përqafonte qoftë edhe një herë.
Teksa fëmijët kanë vrapuar e ajo njëkohësisht pas tyre po ashtu, djali i saj në vrap e sipër i ka rrëshqitur këmba, dhe është rrëzuar në tokë.
Duke vrapuar ai ka tentuar të dalë në rrugë ku kishte edhe shumë makina, dhe për të shmangur ndonjë rrezik, e ëma e ka kapur nga krahu duke u përpjekur ta ndalojë.
Nga kjo situatë, i bindur se për fëmijët e tij nëna paraqiste rrezik, i është drejtuar Komisariatit Nr. 3 të Policisë Tiranë, ku ka kryer një kallëzim penal për të shoqen.
Ditë më pas, polakja ka mundur të gjejë një punë në një “Call center” dhe ka marrë me qira një shtëpi, e i është drejtuar gjykatës duke kërkuar kujdestarinë e përkohshme të dy fëmijëve. Kërkesa është pranuar nga gjykata në dhjetor të vitit 2014, por nuk u realizua asnjëherë për shkak të refuzimit të fëmijëve.
Takimi i fundit i saj me fëmijët ka qenë në Mars 2015.