22.5 C
Prizren
E premte, 27 Qershor, 2025

Gjimnazistët e “Gjon Buzukut” në Prizren me peticion kërkojnë drejtësi për punëtorët e arsimit

Nxënës dhe ish – nxënës të Gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren kanë nisur një peticion për të kërkuar, siç thonë ata drejtësi për punëtorët e arsimit.

Kjo nismë po vjen pas lajmit të publikuar në media rreth mësuesit Shpend Goranci, i cili edhe pse i sëmurë është detyruar të dal në punë.

Duke parë trajtimin e këtij profesori që po i bëjnë institucionet përgjegjëse, nxënësit përmes një njoftimi për media bëjnë me dije për nismën e këtij peticioni, për përmirësimin e kushteve dhe mirëqenies së gjithë punonjësve në Kosovë.

Lexojeni të plotë njoftimin e dërguar nga nxënësit e kësaj shkolle.

PETICION:

Kërkojmë drejtësi për punëtorët e arsimit!

Ne, nxënës dhe ish-nxënës të Gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren, qytetarë të Prizrenit dhe të Kosovës, jemi thellësisht të brengosur dhe të indinjuar me lajmin e bartur nga Koha.net më 28 shkurt, mbi gjendjen e profesorit të nderuar Shpend Goranci.

Dr.Shpend Gorancin e njohim si një njeri me kulturë të gjerë, sens humori dhe zemërgjerësi të rrallë. Për shumë nga ne, janë edukatorët si ai, që na kanë mbajtur aftësinë për të ëndërruar gjallë, edhe në kushtet më të rënda. Shumë nga ne kanë arritur suksese të mëdha profesionale, në Kosovë dhe më gjerë, falë përkushtimit e punës vetëmohuese si ajo e profesor Shpendit.

Atij sot i mohohet e drejta për kompensim të plotë të pagës – gjatë rehabilitimit mjekësor të nevojshëm në afat më të gjatë kohor, aq se e kërkon gjendja e tij shëndetësore. Në mungese të dispozitave ligjore që do të rregullonin rastet e tilla, ky mësimdhënës është detyruar të punojë me orar të plotë edhe pse gjendet ende në gjendje mjaft të rëndë shëndetësore.

Profesori thotë që këtë e bën me dëshire dhe kjo është padyshim e vërtetë. Mirëpo, në të vërtetë, ai fare nuk e ka opsionin që të marrë pushimin e nevojshëm dhe të kalojë aq kohë sa i nevojitet për t’u rehabilituar. As Lig ji i Punës (03/L -212) dhe as Kontrata Kolektive e Arsimit Parauniversitar nuk u mundëson mësimdhënësve të shfrytëzojnë më shumë se 20 ditë pushim mjeksor me pagesë. Poashtu, për dallim nga vendet tjera në rajon, Kosova nuk ka ligj që garanton pushimin invalidor me pagesë për mësimdhënës. Ata poashtu nuk kanë sigurim mjekësor – gjë që do të duhej të ishte e garantuar në një sistem shoqëror të drejtë.

Gjendja e rëndë shëndetësore e profesor Gorancit si dhe nevoja për trajtim të vazhdueshëm mjekësor kanë shkaktuar harxhime të mëdha për familjen ( kredi prej €5000, mes tjerash), përveç mundimeve dhe tronditjeve të mëdha të ballafaqimit me një sëmundje të rëndë.

Mjafton vetëm ta përkujtojmë punën vetëmohuese dhe sakrificat e arsimtarëve tanë në kohë të represionit serb. Edhe pse pa kompensim dhe në kushte shumë të rënda, ata e vazhduan punën me përkushtim dhe profesionalizëm. Janë ato gjenerata të shkolluara nga arsimtarë si Shpendi që kanë diplomuar në disa nga qendrat kryesore universitare në botë, dhe janë nxënësit e arsimtarëve si Shpendi që sot janë mjekë, avokatë, ekonomistë, arkitektë, apo artistë të kalibrit më të lartë (Siç është, padyshim, edhe vetë Shpend Goranci).

Heronjtë e Kosovës së pavarur nuk janë vetëm ata që luftuan me pushkë. Janë edhe ata që luftuan me, dhe për dije – punëtorët e arsimit. Tani është koha që ta shpaguajmë borxhin.

Andaj, ne të nënshkruarit, e konsiderojmë këtë rast jo vetëm si një padrejtësi të rënde, por edhe sulm dhe ofendim personal ndaj çdo vlere civilizuese që e gëzojmë falë pedagogëve siç është profesor Shpendi. Kur arsimtarët tanë poshtërohen, poshtërohemi të gjithë ne. Kur atyre iu mohohen të drejtat themelore njerëzore, pësojmë ne dhe pësojnë fëmijët tanë.

Me këtë rast, bëjmë thirrje për aksion si vijon:

1. Institucionet relevante si Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Minisitrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Asamblenë Komunale dhe Drejtorinë e Arsimit në Prizren, Sindikatën e Bashkuar të Arsimit të Kosovës dhe Sindikatën e Gjimnazit “Gjon Buzuku”: Kërkojmë nga ju që ky rast të merret urgjentisht dhe të sigurohet së paku paga prej 70% në rast të pushimeve mjekësore afatgjata, apo çfarëdo lehtësimi që do të ishte i pranueshëm në këtë rast, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi dhe kontratën kolektive.

2. Presidentit, Kryeministrit dhe Ministrit të Arsimit: kërkojmë urgjentisht të vihet në rend të ditës shqyrtimi i një sigurimi gjithëpërfshirës mjekësor dhe invalidor për punëtorët e arsimit publik. Kërkojmë që kjo të merret si një çështje me rëndësi jetike për vendin.

3. Opozitës: kërkojmë që ta kryeni detyrën tuaj si opozitë lojale e Republikës së Kosovës dhe të bëni trysni në Qeverinë e Kosovës që kjo çështje të merret me prioritet të lartë.

5. Gjithë spektrit politik (Pozitë dhe Opozitë): Si çdo kosovar, edhe ne kemi bindje dhe qëndrime politike, duke përfshirë edhe mospajtime serioze. Por në këtë rast, jemi parimisht neutral. Prandaj, i bëjmë apel vullnetit të mirë tuaj, ndërgjegjes suaj, si dhe obligimeve qe keni marrë përsipër si shërbyes publikë që të punoni me përkushtim për mirëqenien e qytetarëve kosovarë. Kur është çështja te sigurimi i një jete dinjitoze të atyre që përkujdesen për shkollimin e brezave të rinj, atëherë aty jemi një.

6. Qytetarëve të Republikës: Kërkojmë që secili të kontaktoni përfaqësuesin e juaj në Kuvend dhe të loboni për këtë çështje. Ju bëjmë thirrje që ta konsultoni linkun më poshtë për numrat e telefonit dhe adresat e-mail të deputetëve në Kuvendin e Kosovës, si dhe Ministrisë së Arsimit.

Jemi plotësisht të vetëdijshëm që Kosova gjendet në një situatë të vështirë politike. Por jemi poashtu të bindur që ndryshimet e mëdha fillojnë me një hap të vogël. Populli ynë është treguar i aftë të mobilizohet dhe të tregojë shkallë të lartë solidariteti në kushte edhe më të vështira se këto. Ta dëshmojmë, pra, edhe njëherë se jemi të denjë për sakrificat e mësimdhënësve tanë. Ndërmerr aksion që tani!

/RTK/

Më Shumë

Policia shqiptoi për 24 orë, 1782 gjoba në trafik

Policia e Kosovës njofton se për 24 orë, ka shqiptuar 1782 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar disa aksidente...

Veselaj-Gutaj shpreh mirënjohje për përfundimin e suksesshëm të vitit shkollor në Prizren

Drejtoresha e Arsimit në Prizren, Luljeta Veselaj-Gutaj, me përfundimin e vitit shkollor, ka dhënë një mesazh falënderues dhe përplot mirënjohje për nxënësit, mësimdhënësit, prindërit...

Lajmet e Fundit