Prokuroria Themelore në Prizren, ka pushuar hetimet ndaj Samir Hoxhës, Nijazi Kryeziut dhe Vesel Hoxhajt. Ata kanë qenë të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në rastin e rrënimit e Shtëpisë dhe Hanit të Mullafazlive në Prizren.
“Pushohet procedura hetimore kundër të pandehurve Samir Hoxha, Nijazi Kryeziu dhe Vesel Hoxhajt nga Prizreni”, thuhet në aktvendimin e Prokurorisë Themelore të Prizrenit.
Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Samir Hoxha, drejtori i Urbanizmit, Nijazi Kryeziu dhe ish-kryesuesi i Këshillit për Trashëgimi Kulturore të Prizrenit, Vesel Hoxhaj nga muaj dhjetor i vitit të kaluar, kanë qenë duke u hetuar nga Prokuroria Themelore e Prizrenit.
Këta tre zyrtarë janë hetuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e rrënimit e Shtëpisë dhe Hanit të Mullafazlive në Prizren.
Prokuroria në Prizren, ndërkaq për këtë rast ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Nexhmedin Musliu, inspektor i ndërtimtarisë në Drejtorinë e Inspektoratit të Komunës së Prizrenit si dhe ndaj Refki Musbegut, bashkëpunëtor profesional në Drejtorin e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Prizren.
“Ua bëj me dije se për rastin në fjalë ku ndaj të lartëpërmendurve kanë pushuar hetimet kemi ngritur aktakuzë ndaj Nexhmedin Musliut dhe Refki Musabegut”, thuhet në aktvendimin e Prokurorisë në Prizren, shkruan PrizrenPress.
Hani i familjes Mullafazliu, një prej objekteve të rralla në Prizren, kaloi më 2 gusht të këtij viti në pronësi të një biznesmeni të shitjes së tekstilit. I njëjti e rrënoi atë. Pas kësaj Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj rrënuesit.
Për këtë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve kishte mohuar se ia ka dhënë lejen për rrënim duke paralajmëruar se do të nis procedurat për rrënimin e shtëpisë. Bashkë edhe drejtori i Urbanizmit, Nijazi Kryeziu, i kishte thënë se objekti i Hanit nuk ka pasur leje për rrënim. Por, Arben Berisha, biznesmeni,pretendoi se kishte leje për rrënim.
Edhe shoqëria civile në Prizren, pati reaguar për rrënimin e objektit./PrizrenPress.com/