Krenar Kabashi, i cili së bashku me Artan Jasharin dhe Përparim Berishën, akuzohen për grabitje të një barnatoreje në Suharekë, të hënën, ka deklaruar se gjatë marrjes në pyetje në Stacionin Policor në Suharekë, është sulmuar fizikisht.
I akuzuari Kabashi, ka thënë se në dhomën ku është marrë në pyetje kanë qenë 5 policë, ndërsa njëri prej tyre i ka rënë me shuplakë dhe e ka fyer me fjalë, duke shtuar se nga frika ka deklaruar ashtu si ata i kanë thënë, pasi që nuk ka pasur avokat.
Ky i akuzuar gjatë mbrojtjes së tij, ka thënë se nuk ka pasur të bëjë fare me grabitjen e ndodhur. Ai ka thënë se në ditën kritike e ka thirrur i akuzuari Artan Jashari, të cilin e ka pasur shok dhe i kishte thënë se do t’ia jep një borxh prej 50 euro që ia kishte pasur, ndërsa ky i kishte thënë që të takohen më shpejtë sepse kishte për të shkuar për Prishtinë.
Kur kishte shkuar tek vendi ku i kishte thënë i akuzuari Jashari, aty në veturë kishte hipur ai së bashku me të akuzuarin Përparim Berisha dhe e kishin lutur që t’i merrte me vete për në Prishtinë, gjë që ai kishte pranuar. Tutje, ka mohuar të ketë ditur se dy të akuzuarit Jashari dhe Berisha, kanë plaçkitur atë ditë ndonjë lokal.
Në këtë seancë, po ashtu ka dhënë mbrojtjen edhe i akuzuari Përparim Berisha, i cili ka thënë se në ditën kritike ishte takuar me të akuzuarin Artan Jashari, kishin konsumuar substanca narkotike, të llojit marihuanë dhe më pas kishin biseduar për të plaçkitur një barnatore në Suharekë.
Sipas Berishës, i akuzuari Krenar Kabashi nuk ka qenë pjesë e planit për grabitje, por se vetëm ka ardhur aty ku i ka thënë Artani dhe me kërkesë të tyre i ka dërguar në Prishtinë.
Me këtë rast, prokurori i rastit, Metush Biraj, e ka ballafaquar të akuzuarin me deklaratën në prokurori, ku ai kishte deklaruar se plani për grabitje është bërë në makinën e të akuzuarit, Krenar Kabashi.
Por, ai ka thënë se megjithëse ka pasur avokat gjatë deklaratës në prokurori, prej frikës ka shtuar gjëra, por që sipas tij, nuk janë të vërteta ato që ka thënë atëherë, por ato që ka thënë në seancën gjyqësore.
Pas përfundimit të mbrojtjes nga të akuzuarit, me kërkesë të avokatëve dhe prokurorit se kanë nevojë për kohë që të përgatisin fjalët përfundimtare të tyre, kryetarja e trupit gjykues, Raime Elezi, ka shtyrë shqyrtimin për 9 qershor 2017, 10:00.
Prokuroria Themelore në Prizren, më mars të këtij viti, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Artan Jashari, Përparim Berisha dhe Krenar Kabashi, të cilët i ngarkon me veprën penale të grabitjes.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë, më 3 shkurt 2017, rreth orës 20:30, sipas marrëveshjes paraprake në mes tyre, pasi kanë vëzhguar barnatoren “Vjosa-Pharm”, e kanë grabitur të njëjtën.
Aktakuza përshkruan se si dy të akuzuarit e parë kanë hyrë në barnatore me maska, kanë marrë arkën e lokalit, kanë kërcënuar shitësen, ndërsa më pas janë larguar me makinën e të akuzuarit Krenar Kabashi, në drejtim të Prishtinës./betimiperdrejtesi/