Blerta Kllokoqi-Rugova që është bashkëshortja e djalit e presidentit të ndjerë Rugova, Ukë Rugovës duket se nuk ka mundur të mos përfshihet në gjithë debatin e djeshëm lidhur me mbështetjen e familjes Rugova për qeverinë e mundshme Haradinaj.
Madje ajo përmes një statusi në llogarinë e saj në Facebook ka zgjedhur që të ironizojë me gjithë komentimet e pafundme gjatë ditës së djeshme pas vizitës së Haradinajt në familjen Rugova.
E për këtë ka zgjedhur edhe një fotografi të kreut të LDK-së dhe kryeministrit në largim, Isa Mustafa.
“Unë dhe Kryeministri kërkojmë urgjentisht të ndërprehet çfarëdo diskutimi se si Rugova i dha Ramush Haradinës mandatin dhe të fillojm të diskutojm se si Hashim Thaçi i dha Isa Mustafës mandatin”, ka shkruar Kllokoqi-Rugova.
Por duket se nusja e familjes Rugova u përfshi më shumë se kaq në këtë debat, pasi gjatë ditës ajo i doli në mbrojtje edhe kunatës së saj, deputetes së zgjedhur, Teuta Rugova.
“Teuta e ka sqaruar shumë mirë dhe kjartë ngjarjen e sotme. Një postim të përkryer me shumë sqarime e gjeni në faqen e saj të Facebook. Për ata që nuk ishin të kjartë ka lëshuar edhe një postim të dytë. Ajo qartë u bënë thirrje partive politike që për qëllim kanë shtetndërtimin e Kosovës, të ulen në tavolinën e paqes dhe të gjejnë një kompromis. Me sa pashë unë postimin, nuk ka vend për hutime, vetëm e lexoni me vëmendje dhe gjithçka është e qartë, përveç atyre injorantëve që nuk duan të kuptojnë dhe kanë qëllim vetëm të ofendojnë Teutën dhe familjen pa kurrëfarë baze”, ka shkruar ajo në llogarinë e saj në Facebook.
Por ajo e ka bërë të qartë edhe njëherë se familja Rugova e mbështetë Ramush Haradinajn për kryeministër, dhe në mes të këtij të fundit dhe kandidatit nga Vetëvendosja, Albin Kurtin zgjedhin Haradinajn.
“Mes të tjerash, më vije keq ta them sepse nuk i takon natyrës sime, por mes zgjedhjes së Albin Kurtit Kryeministër, person i cili asnjëherë nuk u përkul pranë varrit të Presidentit Rugova dhe nuk e njeh kontributin e Presidentit Rugova për shtetësinë e Kosovës (po flasim për veprime të tij deri në këtë moment sepse gjithqka mund të ndryshoj dhe uroj të ndodhë ashtu) dhe Ramush Haradinajt, person të cilin vet Presidenti e kishte zgjedhur Kryeministër, kishte bashkëpunuar me të dhe e çmonte kontributin e tij patriotik për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, atëherë është shumë e natyrshme që familja Rugova ta pres dhe mbështes Ramushin për kryeministër”.
E në fund ajo ka sqaruar se “Rezidenca e Presidentit Rugova është e hapur për të gjithë ata që kanë besim në këtë shtëpi dhe e dinë se gjithçka zanafillën e ka në këtë shtëpi”.