6.1 C
Prizren
E hënë, 24 Shkurt, 2025

Panairi i 21-të i Librit me përkrahje të zvogëluar e me lokacion të njëjtë

Java që vjen sjell edicionin e 21-të Panairit të Librit në Prishtinë. Ceremonia e hapjes së Panairit të Librit do të bëhet në ambientet e Pallatit të Rinisë më 5 qershor, në orën 12:00, kurse Panairi do të mbyllet më 9 qershor, në orën 19:00.

Për gazetën “Zëri” Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, që e organizon këtë panair, ka shpalosur detaje rreth këtij edicioni.

Ndër vite kritika kryesore që u jepet organizatorëve të Panairit të Librit në Prishtinë është hapësira e papërshtatshme në ambientet e Pallatit të Rinisë, ku edhe mbahet Panairi. E edhe organizatorët pajtohen se ky është vend joadekuat, por theksojnë se Prishtinës i mungon një hapësirë ku do të zhvillohej një ngjarje e tillë.

“Për çdo vit problemi kryesor me të cilin ballafaqohemi është hapësira në të cilën organizohet Panairi i Librit. Prishtina është i vetmi vend që nuk ka një sallë panairesh. Hapësira në të cilën organizohet Panairi nuk është më e përshtatshmja e mundshme. Kjo është kritika e vetme të cilën e marrim për çdo vit, por kushtet janë këto që janë dhe nuk kemi çka të bëjmë”, shprehet Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve.

Zeneli ka thënë për “Zërin” se nuk është e lehtë që prapë edicionin e 21-të ta vazhdojnë në hapësirat që janë kritikuar, por ai rri me shpresën se në vitin që vjen do të ketë ndryshime.

E më e habitshmja për Shoqatën e Botuesve është edhe ulja e mbështetjes nga Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit. Sipas tyre, më e keqja është se mungon arsyetimi i Ministrisë në fjalë për këtë vendim.

“Ministria e Kulturës për habinë tonë ka shkuar duke e ulur mbështetjen. Kjo që është e habitshme për ne kur e dimë që Panairi i Librit është me gjasë ngjarja kryesore kulturore në Kosovë, ose thënë më saktë hyn në mesin e tri-katër ngjarjeve kulturore më me rëndësi në Kosovë”, thekson Zeneli. Këtë edicion sipas Zenelit Panairi i Librit pritet të gjejë pak më shumë përkrahje nga Komuna e Prishtinës. “Po besojmë që sivjet duke qenë se Panairi i Librit do të jetë pjesë e aktiviteteve që do të zhvillohen në kuadër të 20-vjetorit të çlirimit të Prishtinës, me gjasë do ta kemi një përkrahje më të madhe nga Komuna. Qoftë mbështetje monetare, qoftë edhe në forma të tjera”, tha ai.

Zeneli vlerëson se, sipas mendimit të tij, nuk ka pasur mjaftueshëm kujdes institucional për një ngjarje të tillë, por prapëseprapë kjo nuk e dëmton fare Panairin. “Janë 21 edicione, me këtë të fundit që sivjet mbahet dhe kësisoj ne i dimë sfidat, i dimë problemet dhe njëkohësisht i kemi të qarta edhe gjërat që dëshirojmë t’i arrijmë. Parapërgatitjet që duhet t’i ndërmarrim veç i kemi kryer, jemi në hapat përfundimtarë. Do të kemi shkrimtarë që vijnë prej Shqipërisë e Francës, janë rreth 100 botues pjesëmarrës dhe të gjithë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, tashmë jemi në hapat finalë të përgatitjes”, thekson Zeneli.

Edhe sivjet organizatorët po presin që Panairi të ketë numër të konsiderueshëm të vizitorëve. “Ideja kryesore është që të paraqiten botimet e reja si krijues, funksioni kryesor që lexuesit t’i shohin botimet e reja dhe të informohen për titujt e rinj.

Ka fituar popullaritet të jashtëzakonshëm Panairi, duke pasur parasysh përvojën organizative dhe në këtë sens po mendoj që jemi shumë stabilë, shumë në rregull”, përfundoi kështu kryetari i Shoqatës së Botuesve, Edon Zeneli.

Të pyetur se pse ka shkuar duke u zvogëluar përkrahja për ngjarjen më të rëndësishme të librit, nga Ministria e Kulturës thonë se që të përkrahen më shumë aktivitete është dashur që disa panaireve t’u reduktohet shuma përkrahëse.

“Ministria e Kulturës edhe këtë vit ka vazhduar me mbështetjen për panairet e librit. Për shkak që konkurrenca te panairet e librit ka qenë e madhe, komisionet vlerësuese për projekte të Ministrisë kanë vendosur që të përkrahin më shumë aktivitete, më shumë panaire dhe rrjedhimisht disa panaireve u është reduktuar shuma përkrahëse”, ka thënë Samir Hoxha, këshilltar i ministrit Kujtim Gashi.

Në anën tjetër, puna intensive nëpër shtëpitë botuese po vazhdon deri në hapjen e Panairit.

Shtëpitë botuese si “Dudaj”, “Toena”, “Artini”, Instituti Albanologjik, “Hamska” e instituti “Lumo Skendo” do të përfaqësohen në Panair në stendën e librarisë “Artini”. Kështu ka njoftuar për gazetën “Zëri” drejtuesi Artin Ahmeti. “Si librari marrim pjesë, por me botime dhe duke i përfaqësuar edhe disa shtëpi të tjera botuese, pesë-gjashtë shtëpi botuese që marrin pjesë me një stendë të librarisë ‘Artini’. Jemi shumë të gatshëm, kemi nxjerrë tituj të rinj dhe aspekti i përgatitjeve është finalizuar”, tha Ahmeti.

Ai vlerëson se këto dy-tre vjetët e fundit janë duke kaluar shumë më mirë në aspektin e profesionalizmit e sipas tij është vërejtur që ka rritje të interesimit. “Tash varet edhe prej cilësisë çka boton, qysh boton. Kemi shumë tituj të rinj këtë vit dhe sa më shumë tituj të rinj më i lartë është interesimi. Pres veç efekte pozitive.

Ne e kemi prej edicionit të parë e deri sivjet të njëjtën hapësirë në Panair dhe as edhe këtë vit nuk e ndërrojmë si hapësirë”, tha Artini.

Nga shtëpia botuese “Koha” Fidan Imeri ka thënë për “Zërin” se prej vitit të kaluar e deri sivjet janë botuar 16 tituj të rinj. “Si gjithherë shtëpia botuese ‘Koha’ do të ketë deri në 70 për qind zbritje, diku rreth 30 e më shumë tituj janë me çmim nga një euro. Këtë vit risi është se do të jepen libra falas”, njofton Imeri.

Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë, nga ora nëntë e mëngjesit e deri në tetë të mbrëmjes. Në të pritet të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora. Numri i titujve të rinj do të jetë rreth 1500-1700, ndërsa numri i titujve të viteve të fundit është rreth 5500.

Më Shumë

Ndahet nga jeta veterani i UÇK-së nga Prizreni, Fahri Osi

Ka ndërruar jetë në moshën 53 vjeçare, veterani i UÇK-së nga Prizreni, Fahri Osi. Varrimi i veteranit të ndjerë do të bëhet ditën e hënë...

Tërhiqet shorti i Kupës, duele interesante

Të mërkurën në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës, është hedhur shoti për fazën çerekfinale të Kupës së Kosovës në futboll. Ky short ka...

Lajmet e Fundit