31.8 C
Prizren
E hënë, 7 Korrik, 2025

“Komplot i fshehtë djallëzor të jetë ky, vallë?”- Poezi për Covid-19, Timo Flloko: Mesazhi që i dhashë botës nga shtëpia ime për vrasësin e padukshëm

Pasi u rrëfye me poezi tek Ardit Gjebrea, aktorin ikonë të kinemasë dhe teatrit shqiptar, Timo Fllokon, e pamë të vinte me një tjetër rrëfim poetik në ekran të hënën, pasi u shfaq në një video duke interpretuar vargjet e tij me titull “Në emër të jetës”.

Gjithçka e përgatitur për programin “Në Kurthin e Piter Pan”, një produksion me fëmijë dhe VIP-a i bashkëshortes së tij, regjisores së famshme Vera Grabocka dhe moderatores Alketa Vejsiu. Në formatin me filozofinë: “Një përrallë moderne për ata që nuk duan të rriten nga Alketa Vejsiu dhe Vera Grabocka”, Timo, si gjithmonë në superformë, recitoi vargjet e hedhura nga vetë ai në letër në prill 2020, të cilat i shkroi në periudhën e izolimit për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Në vargjet e kësaj poezie, Timo shpreh gjithë përjetimin e tij për virusin e kobshëm që gjunjëzoi njerëzimin dhe botën. Në kopshtin e shtëpisë së tij, që duket si parajsa vetë, ai reciton vargjet që i ka shkruar për veten dhe gjithë banorët e këtij globi, të vendosur para një dileme të madhe ekzistencialiste për jetë a vdekje.

“Rreken shkencëtarët, pa mundur ta ndalin. Këtë vrasës të padukshëm, tinzar e i kobshëm, komplot i fshehtë, djallëzor të jetë ky vallë, Fatalitet absurd, i përmortshëm…?!”, është një nga strofat e Timos, ku shkruan për Covid-19.

’Në emër të jetës’ është poezia që shkrova në prill dhe vendosa ta interpretoja nga oborri i shtëpisë sime, për t’u transmetuar në ‘Piter Pan’”, tha Timo Flloko për “Panorama Plus”.

Ai njihet për talentin e tij të veçantë në poezi, por edhe mjaft tekste këngësh të mrekullueshme për artistë të njohur, të cilat më pas janë kthyer në hite të padiskutueshme. Promovimi i librit të tij të dytë, “Kërcim në bosh”, ishte një takim i mrekullueshëm që bëri me miqtë, të cilët janë fansat e vargjeve të tij. Më poshtë sjellim vargjet e poezisë së tij “Në emër të jetës”.

Duke qenë se zotëron të dyja armët, edhe penën edhe intepretimin, shpesh e kemi parë në disa video ku reciton vargje që i shkruan vetë apo të autorëve të tjerë.

Në emër të jetës

Me lajme të trishtë vdekjesh, erren ditët,

Krah makthit, ankthit dëshpërues të netëve,

Covid – 19: Frikë e tmerr për jetën,

Për botën mbarë, për njerëzit dhe veten.

Rreken shkencëtarët, pa mundur ta ndalin,

Këtë vrasës të padukshëm, tinzar e i kobshëm,

Komplot i fshehtë, djallëzor të jetë ky, vallë,

Fatalitet absurd, i përmortshëm…?!

Apo mallkim qiellor për faje tokësore,

Për shkaqe të errëta, që s’ua gjejmë kuptimin…?

Nga erdh’ ky fat i keq e ra si kryq i tmerrshëm,

Mbi shpinë të planetit tonë, si ndëshkim?!

Pandemi e përbotshme, sa jetë po shuhen…

Përkundër vdekjes, vendosëm izolimin,

Ngujimim pa kohë, me muaj, ditë e net,

Si të vetmen udhëdalje shpëtimi…

Sado t’ia ndalësh frymën, njeriut në dobësi,

Mbyllur si në burg, t’ia privosh lirinë,

Etjen për jetë, shpresën dhe shpirtin e tij,

S’mund t’i prangosësh, t’iu vësh karantinë…

Ndale dorën vrasëse, virus i mallkuar,

Grykës i panginjur, që po na e sos durimin,

Jo mijëra… por miliona jetë sikur të marrësh,

Nuk mund ta shfarrosësh dot kurrë njerëzimin.

Nga hiri i vet mitik, do rilindë si feniksi,

Mjerë kush e shpërfill, fuqinë e të pambrojturit,

Që vdekjes i bën sfidë, e mposht a bëhet fli,

Në emër të jetës, që ia fali Zoti! (Prill, 2020 nga Timo Flloko)

Më Shumë

Reduktime të ujit në Suharekë për shkak të konsumit të lartë dhe keqpërdorimeve

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” Sh.A – Njësia Suharekë ka paralajmëruar se nga data 2 korrik do të nisë zbatimi i reduktimeve të...

Zihet ashurja në teqenë ‘Halveti’ në Prizren, tërheq vëmendje të madhe

Me rastin e muajit Muharrem, në Teqenë historike Halveti në Prizren kanë filluar të zihen kazanët tradicionale të ashures. Aktiviteti po tërheq vëmendjen e...

Lajmet e Fundit