3.8 C
Prizren
E martë, 26 Nëntor, 2024

Arsyetimi i gjykatës për lirimin e ish-drejtorit të Arsimit në Prizren dhe dy të tjerëve nga akuza për korrupsion

Gjykata Themelore në Prizren, me 2 korrik të këtij viti, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-drejtorit të Arsimit në Komunën e Prizrenit, Nexhat Çoçaj, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Bashkë me të, nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë liruar edhe dy mësimdhënësit, Bekim Thaqi dhe Bedri Çeku, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi është shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi, e cila ka deklaruar se një vendim i tillë është marrë në mungesë të provave, duke cekur edhe pamundësinë e Komunës së Prizrenit për përcaktimin e dëmit.

Në aktgjykimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se gjykata nuk i ka vlerësuar provat sa i përket veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, si në dispozitivin e parë, me çka ngarkoheshin Thaqi dhe Çoçaj, që ka të bëjë me vitin 2010, me arsyetimin se në rastin konkret bëhet fjalë për parashkrimin absolut të veprës penale, duke marrë parasysh faktin se e njëjta është kryer gjatë periudhës kohore maj-qershor 2010, që nënkupton se ka kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit, për çka dhe është marrë aktgjykim refuzues.

Kurse sa i përket veprave penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, si në dispozitivin e dytë dhe të tretë, që kanë të bëjnë me vitet 2011-2012, në aktgjykim thuhet se në rastin konkret nuk është kontestuese fakti se të hollat për organizimin e manifestimit “Java e Remzi Ademaj” janë derdhur në xhirollogaritë private të kryetarëve të këshillit organizativ, varësisht se cili prej të akuzuarve ka qenë atë vit, mirëpo kontestuese është se cilat janë ato veprime inkriminuese të të akuzuarve me të cilat do të formoheshin elementet e veprës penale për çka dhe janë akuzuar.

“Nga provat e administruara nuk është vërtetuar asnjë veprim i inkriminuar i këtu të akuzuarve, përveç faktit se prej vitit 2011-2012 të gjitha mjetet për organizimin e këtij manifestimi janë lejuar-lëshuar sipas konkluzioneve të kryetarit të komunës, pa ndonjë procedurë të tenderimit, pasiqë të gjitha këto mjete janë nga pozicioni i subvencioneve për të cilat nuk kërkohet procedurë e tenderimit. Edhe pse ka patur mjete shtesë të lëshuara, ato janë bërë me vendime përkatëse, lejimi i mjeteve shtesë për mbulimin e shpenzimeve të manifestimit është bërë konform autorizimeve ligjore të përgjegjësve të drejtorisë së arsimit dhe shkencës. Mjetet janë shpenzuar për destinimin për të cilin edhe janë lëshuar-për manifestimin e organizuar, pasiqë me mjetet e lëshuara janë mbuluar shpenzimet e këtij manifestimi dhe se për asnjë vit të këtij manifestimi nuk është vërtetuar se i është shkaktuar dëm komunës së Prizrenit. Poashtu edhe nga raportet e auditorit për vitin 2011 dhe 2012 nuk është vërtetuar se ka dëmtim të buxhetit të komunës, e që përputhet edhe me mendimin e ekspertëve Isak Krasniqi dhe Bekim Shala të cilët kanë deklaruar se në rastin konkret nuk ka dëmtim të buxhetit komunal”, thuhet në aktgjykimin e përpiluar nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi.

Sipas vendimit, bazuar në këto fakte dhe prova, gjykata ka vërtetuar se në veprimet e të akuzuarve nuk formohen asnjë nga elementet inkriminuese të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi l të Kodit Penal, për çka edhe gjykata i liroi të akuzuarit, pasi thuhet se me asnjë provë nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale për të cilat edhe janë akuzuar.

“Në asnjë dispozitiv të aktakuzës nuk ceket se të akuzuarit me veprimet e tyre cilën dispozitë të cilit ligj e kanë shkelur, pasiqë medoemos duhet të shkelen dispozitat e ndonjë ligji tjetër për tu konsumuar në veprimet e të akuzuarve elementet e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo i autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 të KP”, thuhet në vendim.

Tutje, thuhet se akuza nuk ka arritur me asnjë provë bindëse që të vërtetoi me prova bindëse fajësinë e të akuzuarve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Është obligimi i prokurorisë që të parashtroj prova fajësuese mbi të cilat e bazon aktakuzën. Mirëpo, në këtë drejtim akuza ka dështuar që të provoj një gjë të tillë, pasiqë nga provat e propozuara dhe të administruara nuk është vërtetuar fajësia e të akuzuarve.”, thuhet në aktgjykim.

“Vepra e lartcekur penale – keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar nga neni 422 par.I. lidhur me par.2.nen par.2.2. të KP, kryhet vetëm me dashje, pasi për ekzistimin e kësaj vepre penale është i nevojshëm sigurimi për vete ose për tjetrin çfarëdo përfitimi material apo jomaterial, shkaktimi i dëmit një personi tjetër ose që seriozisht ti shkelen të drejtat e personit tjetër, që do të thotë se çdo keqpërdorim i detyrës zyrtare nuk nënkupton edhe konsumimin e kësaj vepre penale pa u vërtetuar dashja, e qe kjo në këtë rast nuk është provuar”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës së Prizrenit.

Andaj, sipas trupit gjykues, në mungesë të provave qe do ta vërtetonin faktin e fajësisë së të akuzuarve, gjykata mori aktgjykim lirues.

Ndryshe, në qershor të vitit 2016, i akuzuari Çoçaj ishte dënuar me tre vjet burgim efektiv, Thaqi ishte dënuar me një vit e dy muaj burgim, ndërsa Çeku ishte dënuar me gjashtë muaj burgim.

Më 27 shtator 2016, Apeli kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve dhe kishte kthyer lëndën në shkallën e parë për rivendosje.

Sipas Apelit, për tejkalimet e buxhetit duhej sqaruar nëse janë përgjegjës të akuzuarit në fjalë apo zyrtarët komunalë që i kanë lëshuar mjetet.

Kjo gjykatë, gjithashtu kishte kërkuar që të përcaktohet se sa është tejkalimi i buxhetit, a është shkaktuar dëm, kujt i është shkaktuar dhe kush është përgjegjës, sepse nëse mjetet shtesë janë lejuar atëherë përgjegjësia është te zyrtarët komunalë.

Pas kthimit të rastit në rigjykim, Gjykata Themelore në Prizren, më 19 nëntor 2018, kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj Nexhat Çoçajt, Bekim Thaqit dhe Bedri Çekut.

E më pas, më 15 gusht 2019, Apeli kishte aprovuar kërkesën e prokurorisë dhe kishte kthyer lëndën në rigjykim për të dytën herë.

Gjykata e Apelit, kishte kërkuar që në rigjykim, gjykata t’i administrojë edhe njëherë të gjitha provat në këtë çështje penale dhe të bëjë vlerësimin e provave të administruara.

Gjithashtu, gjykata e shkallës së dytë kishte kërkuar që të dëgjohet edhe njëherë përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit, lidhur me faktin se sa ka qenë dëmi në këtë rast.

Apeli kishte kërkuar që edhe njëherë të dëgjohen ekspertët që kanë bërë super ekspertizën në këtë rast.

Ndryshe, në dhjetor të vitit 2014, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj Nexhat Çoçajt, Bekim Thaqit dhe Bedri Çekut, të cilët i akuzon se duke qenë drejtorë të manifestimit kulturor “Remzi Ademaj”, kanë keqpërdorur mjetet e ndara për këtë manifestim.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit në fjalë, me qëllim të përfitimit për vete apo tjetrin, secili në vitin përkatës brenda periudhës 2008-2012, kanë përdorur mjetet e derdhura në xhirollogarinë personale të secilit, për të blerë gjera, me të cilat veprime i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.

Nexhat Çoçaj, po ashtu akuzohet se duke qenë kryetar i këshillit organizativ, ka bërë furnizime nga firma “Bogdani’ pronar i së cilës është vet ai dhe ka tërhequr para nga xhirollogaria e tij, pa iu ditur destinacioni, duke e tejkaluar buxhetin e lejuar në shumën prej mbi 4000 eurove, pa vendim përkatës të komunës. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

MKRS-ja merr përsipër restaurimin e Kinemasë Lumbardhi, të anuluar nga Zyra e BE-së

Projekti për rivitalizimin e Kinemasë Lumbardhi në Prizren do të realizohet me mjetet nga buxheti i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, pasi mbështetja...

Në rastin “Kobra”, babai i viktimës: Më ka ik fëmija në moshën më të mirë, arma nuk përdoret tek vëllezërit

Babai i viktimës Visar Cengut, Behar Cengu gjatë shqyrtimit gjyqësor që po mbahet sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka thënë se arma nuk...

Lajmet e Fundit