15.8 C
Prizren
E shtunë, 4 Maj, 2024

Deklarohet i pafajshëm polici i akuzuar për rrahjen e dy personave në stacionin policorë në Malishevë

Zyrtari policor i akuzuar për tre vepra penale, Mehdi Hoxha, në seancën e mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, është deklaruar i pafajshëm për veprat penale “keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve publike”, dhe “lëndim i lehtë trupor”.

Pasi që me kërkesë të të akuzuarit Hoxha, aktakuza u konsiderua e lexuar, i akuzuari u deklarua i pafajshëm për veprat për të cilat ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mos pranimi i fajësisë nga i akuzuari Hoxha u mbështet edhe nga mbrojtësi i tij, avokat Emrush Kastrati.

“Flok Art Studio” në Prizren shpall konkurs për 6 vende të punës

“Pajtohem me deklarimin e të mbrojturit tim, lidhur me pafajësinë e tij, për veprat penale që ngarkohet në aktakuza, e po ashtu kërkoj që sipas dispozitave ligjore të pajisemi me të gjitha provat të cila i posedon prokuroria”, tha avokati Kastrati.

Ndërsa i dëmtuari Safet Suka, kërkoj nga gjykata që i akuzuari të dënohet sipas ligjit, dhe i njëjti kërkon kompensim dëmi.

Këtë deklarim të të dëmtuari e mbështeti edhe përfaqësuesi i autorizuar i të dëmtuarit Safet Suka, avokati Ndrecë Dodaj.

“Për momentin nuk kam ndonjë deklarim të veçantë, por varësisht nga vendimi i gjykatës do të paraqesim kërkesën për kompensimin e dëmit”, deklaroi avokati Dodaj.

Pa kësaj edhe i dëmtuari Arton Suka u deklarua se kërkon nga gjykata që i akuzuari të dënohet sipas ligjit dhe kërkon kompensimin e dëmit.

Meqenëse i akuzuari Hoxha nuk e pranoi fajësinë për veprat penale, gjykatësi Njazi Morina e njoftoi atë dhe mbrojtësin e tij lidhur me të drejtën për paraqitjen e kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Gjykatësi Morina, seancën e shqyrtimit të dytë e caktoi me datë 3 mars 2021, në ora 13:00.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 2 tetor 2019, ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Mehdi Hoxha, me arsyetimin se i njëjti, me 25 dhjetor 2018, rreth orës 12:12 minuta, në hyrje të objektit të Stacionit Policor në Malishevë, ka kryer veprat penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve publike”, dhe veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.

Sipas dispozitivit të parë të aktakuzës, i akuzuari Hoxha, me datë 25 dhjetor 2018, rreth orës 12:12 minuta, në Stacioni Policor në Malishevë, pikërisht në hyrje të objektit në cilësinë e personit zyrtar policor keqpërdor detyrën dhe autorizimet e tij, duke keqtrajtuar dhe fyer rëndë dinjitetin e të dëmtuarit Safet Suka.

Në aktin akuzues thuhet se për shkak të parkimit jo të rregull të veturës së të dëmtuarit Safet Suka, i njëjti ftohet në stacionin policor, ashtu që i dëmtuari së bashku me vëllain Arton Suka, hyjnë në oborrin e stacionit policor me veturë dhe më pas shoqërohen për krahu nga zyrtarë policor, ku i akuzuari Hoxha del nga kabina dhe shkëmben fjalë fyese me të dëmtuarin, ku më pastaj vrapon pas të dëmtuarit dhe e godet me shqelma në pjesë të trupit, derisa ndërhyjnë zyrtarët e tjerë policor.

Për këto veprime Hoxha akuzohet se ka kryer veprën penale “keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve publike” nga neni 198, paragrafi 1, të KPRK-së.

Tutje, sipas dispozitivit të dytë të aktit akuzues, i akuzuari Hoxha, me kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë, i shkakton lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Safet Suka, ashtu që  duke hyrë tek dera hyrëse e stacionit policor, i akuzuari vrapon pas tij, e godet me shqelma në këmbë dhe pasi rrëzohet në tok i dëmtuari, i akuzuari  e godet disa herë në pjesë të trupit, me çka i shkakton lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin , të vërtetuara sipas ekspertizës mjeko-ligjore.

Për këto veprime Hoxha akuzohet se ka kryer veprën penale “lëndimi i lehtë trupor” nga neni 188, paragrafi 1, nën paragraf 1.4, të KPRK-së.

Kurse në dispizitivin e tretë të aktakuzës, Hoxha akuzohet se në kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë, i njëjti në cilësinë e zyrtarit policor, keqpërdor detyrën dhe autorizimet e tij, duke keqtrajtuar dhe fyer rëndë të dëmtuarin Arton Suka, si dhe duke e goditur me shqelma në pjesën e këmbëve, derisa ndërhyjnë zyrtarët e tjerë policor.

Për këto veprime Hoxha akuzohet se ka kryer veprën penale “keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve publike” nga neni 198, paragrafi 1, të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Moti sot me diell dhe vranësira

Moti sot parashihet të jetë me diell dhe vranësira, të cilat gjatë ditës pritet të shtohen, ku ka mundësi të sjellin ndonjë reshje të...

Parashtrohet kërkesa për paraburgim ndaj të dyshuarës për aksidentin në Suharekë

Prokuroria Themelore në Prizren ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarës për aksidentin në Shirokë të Suharekës, ku vdiqën...

Lajmet e Fundit