15.8 C
Prizren
E martë, 7 Maj, 2024

Fishta arkitekt, mit a realitet?

Nga: Frano Kulli

Një syth monografik i Fishtës, përmendur më rrallë prej biografëve të tij, është edhe dimensioni projektues i tij. Vetëm, tani së fundi, ka zënë vend në një projekt kulturor: “Itinerari kulturor – gjurmët fishtiane”. Nën hijen e rëndë të veprës së vet madhore letrare në të gjitha gjinitë e krijimtarisë; epikë, lirikë, dramatikë, satirë, publicistikë, thua ka qenë e arsyeshme të ndodhte kështu?

Opera Omnia

Sipërmarrja e parë dhe më serioze për botimin e veprës së plotë letrare të Fishtës u ndërmor, siç dihet, nga Instituti i Studimeve shqiptare, kryetar i të cilit qe Ernest Koliqi. Nisma zë fill pak ditë para datës 10 tetor 1942, datë, të cilën mban në krye letra që nga ky Institut i drejtohet provinçialit të Françeskanëve, në Shkodër, At Anton Harapi. Letra fillon me: “I dashuni shok” – dhe vijon “Sikurse kemi nda në mbledhjen e pergjithëshme mbajtun me 21 shtatuer k. v [të këtij viti], në të cilën more pjesë edhe Ti, do të ja nisim veprimit për botim të “Opera Omnia [vepra e plotë]” të të ndjerit At Gjergj Fishta, shok i jueji rregulltarie dhe Antar i Institutit tonë. ” Në korespondencën e mëpasme priten e përcillen propozimet, e përballen idetë rreth botimit. At Antoni, në emër të “grupit që do të kurojë botimin”, i gjegjë: të botohen të gjitha veprat e auktorit, tue perfshi edhe artikujt e letrat e botueme. Më pas theksohet rendi kronologjik, veprat të dallohen mbas gjinish: satirika, epika, lirika, dramatika, proza. Proza të rregullohet simbas planit që ka lanë vetë auktori:I-Sociologji, II-Polemikë, III-Ligjirata, IV-Miscellanea [të përzjera]. Në mbarim do të shtohet epistolari …

Siç shihet, ideuesit e botimit të “Opera Omnia”, pra veprës së plotë kanë arsyetuar të përfshihet e gjithë vepra e tij e të gjitha gjinive. Edhe publicistika e epistolari, letërkëmbimi pra, një “gjini” përtej krijimtarisë së mirëfilltë letrare. Ndërsa, as nuk përmendet në këtë rast arkitektura. Qoftë vetëm si një produkt i krijimtarisë së tij intelektuale a artistike. Gjë që nuk ka ndodhë me teatrin, bie fjala. Ashtu siç është botuar si gjini më vehte krijimtaria dramturgjike, mjaft e begatë, janë bërë edhe studime e botime të thella për veprimtarinë teatrore të Fishtës. Madje janë sjellë e publikuar përfundime se Fishta është edhe themelues i teatrit kombëtar, aty në Kuvendin e shkollën “Illyricum” të Shkodrës. Po a mund të zinin disa prej skicave më të zgjedhura, qoftë edhe ndonjë fashikull të “Opera Omnia” ?

Pasë parasysh se jemi , jo më shumë se një vit e do muaj mbasi Fishta ka ndërruar jetë e ka kaluar në amshim e, gjithçka e lënë prej tij është e paprekur, e e ruajtur me kujdes e sqimë të posaçme. Jemi gjithashtu, dy vite e do muaj para se me zbritë pushteti i “të ardhunve prej malit”, kur nis ai çasti i anatemës e rroposjes “shtatë pash nen dhé” të autorit e veprës së tij.

 …  dhe Arkitektura

Simbas të dhënave të derisotme, rezulton se janë njëmbëdhjetë objekte, kryesisht kishtare në Shqipëri ku, në mënyrë tërësore apo të pjesëshme, ato janë edhe produkt i vizatuar prej dorës së tij, çka ndërkohë paraqesin edhe një profil të tij në këtë gjini të krijimtarisë. Kisha e Shëlbuemit Rubik, Kuvendi Françeskan “Zoja Nunciatë” Lezhë, Kuvendi i Troshanit Lezhë, Kuvendi i Motrave Karmelitane – Ipeshkëvia e Sapës Nënshat-Shkodër, Kuvendi Françeskan Gjuhadol Shkodër, Kisha e Zojës Rruzare “Arra e Madhe” Shkodër , Kisha e Shen Kollit Rus-Shkodër , Kisha e Motrave Stigmatine Gjuhadol-Shkodër, Kisha e Shën Mhillit Laç-Kurbin, Kisha e Prekalit-Postribë, Shkolla “Illyricum” Gjuhadol-Shkodër. Po, a e “diplomon” ky produkt projektues arkitekturor, Fishtën edhe si arkitekt?

At Leon Kabashi [1] (25. 03. 1906-11. 11. 1998), nxënës e mandej edhe koleg mësuesie i Fishtës në liceun “Illyricum”, i vetmi ndër françeskanët e kohës, i cili, përposë studimeve teologjike në Siena-Itali, kryen më pas atje edhe ciklin e plotë të studimeve në Akademinë e Arteve të Bukura, shkruan: Tue njoftë cillsít e tija artistike, Provinçja françiskane shqyptare e Arqipeshkvija e Shkodres e Dioçezi i Dukagjinit e zgjodhen A. Fishten si arkitekt zyrtar, por pse kû nevojët financiare, kû pamundsija e realizimeve prej anës së kryepuntorëve, arkitektit tonë iu desht sa herë me u kufizue në të endun të pjaneve … ” Për Kishën e Rubikut, ai përmend si vizatime (projekte) të Fishtës “balli i guri s’dhenun i Kishës Monumentale të Rrbigut”, për Kuvendin e Lezhë shkruan “ndertesa e bukur qela[Kuvendi] e Lezhës, ku dritore të mdha të hiejshme grishin udhtarin … ”. Për kishën e Prekalit (Dukagjin), “A. Fishta në bashkëpunim me xansin e mikun e vet Z. Ingjinier L. [Ludovik] Zojsi sajuen, rrealizuen pjanin e ri … në vjetin 1938.

Kurse për Kishën e Motrave stigmatine ajo që vjen e shkruar është kumt më i prerë: “arkitekturë e Fishtës, vjeti 1927”.

Nga kjo dëshmi që na vjen e shkruar prej një bashkëpunëtori krejt të afërt të Fishtës, i vetmi në fushë të arteve të bukura, ku përngjitas me to, han arsye të shënojmë edhe arkitekturën, dy kumtet e fundit na e hapin horizontin e arsyetimit për me arrit në një përfundim përreth definicionit nëse Fishta, përpos se gjithçka tjetër, aq i madh sa ishte, qe edhe arkitekt. Marrim të parin; bashkëpunimin me inxhinierin Ludovik Zojsi, “xansi [nxënësi] dhe miku i vet … Ludovik Zojsi, inxhinier i zoti, mjaft i njohur asokohe në Shkodër e më përtej, projektuesi i Kishë-kapelës në varrezat e Rr’majit, në formën e një akropoli, e cila u inaugurua e bekua në vitin 1937 nga Arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Gasper Thaçi. [2] Unike dhe e pangjashme me ndonjë tjetër vepër në Shqipëri. Ftesa për bashkëpunim me inxhinierin, që mendja ta thotë se vjen nga vetë Fishta, pa mëdyshje është shprehje e egzigjencës (kërkesës) së tij të lartë, e dallueshme në rendin e punëve që ai merr përsipër. Dhe shembujt ilustrues këtu janë të shumtë. Pa u hallakatë shumë, por vetëm në fushë të arteve po të rrimë, na vjen të kujtojmë ofertën bashkëpunuese që e dëshmon piktori Simon Rrota (1887-1961) [3] në kujtimet e veta. I pari piktor shqiptar i lauruar në Akademinë “Brera”. I ri, para se të nisej për studime, Fishta e fton për të bashkëpunuar në skenografinë e shfaqjeve që përgatiste aty në teatrin e françeskanëve. Sigurisht, mbasi kishte pikasë talentin e djaloshit ëndërrimtar. Një përvojë kjo që lë gjurmë te artisti i ardhshëm e që ai i përkujton me veneracion … Punë të përvetçme, pra këto, por edhe bashkëpunuese, me mjeshtra që i çmonte, si konfermë për sipërmarrjen e për produktin e saj.

Siç është e ditur, Fishta nuk kishte formim skolastik(shkollor) për arkitekturën, përveçse dijeve të përgjithshme për kulturën e artin klasik, që i kishte marrë në ciklet e studimeve të veta teologjike, të filluara që në bankat e mësojtoreve të para të mirëformuara të Shkodres, simotra me ato të Europës e deri në përfundimin e tyre në Livno të Bosnjes. E gjithë ajo çfarë ai intelektualisht prodhoi në këtë fushë është rrjedhë e përftimit autodidakt, të një personi, profili i begatë i të cilit do të shpërfaqej në vijim, shkon në hullinë e cilsive e dallesave që shfaqen, kryesisht te gjenitë. “Ndiqëshe kursin e III t’Akademís së pikturës në vjetë 1933- kujton prap At Leoni [4] – kur rá rasa me vizitue muzejt e disa pinakoteka t’Italis’ bashkë me tê; jam bindë si me dijtë ai, pa ndjekë Akademí, me dhanë gjyqe[gjykime], me bâ krahasime aq t’imta ndermjet shkollave të ndryshme, me shijue bukurít e shprehjet e mbrendshme t’artit … Blète libra, riprodukcione arkitekturet e pikturet autorësh me famë … e, nuk e lëshoi kurr doret traktatin e arkitekturëVignola [5]”. Këmbëngulja e tij në sipërmarrjen krijuese, sikurse edhe në krejt veprimin e vet publik e atdhetar do të shfaqej me të njëjtin temp e nerv edhe këtu. Përposë projekteve konkrete të hartuara e aplikuara prej tij, ai mori përsipër dhe hartoi edhe tekste mësimore të kësaj fushe. Njëri prej tyre është edhe “Permbi pêsë rende t’arkitekturës marë” [6], projekt tekstor i përgatitur për kurset e shkollës “Ilyricum” ku si bazë për këtë punë, autori shërbehet prej botimeve më serioze të shkollës europiane të arkitekturës, “duke mos e lëshuar asnjiherë doret traktatin Vignola”, vlera dhe rëndësia e të cilit është e njohur mirë prej shkollës së arkitekturës edhe sot. Kurse në kreun e dytë të punimit (Leksikologjië Arkitekturet, kryy i Dytë), radhiten disa terma profesionalë të arkeologjisë, për të cilat sillet kuptimi dhe shqiptimi i tyre në dy gjuhët, shqip dhe italisht. Shembull: Lpizë-cornicione( Lpizë quhet sergjia, qi asht njajo drrasë të shumen e herës e dhenun e qi tuj u endë krees s’murit t’odës, del jashta penit të murit. Cornicione, godië gursh, qi buzës s’pullazit a strehës del jashta pênit t’murit). Ose Kryyth- capitello; Krytraa- architráve; Cirkë-goccia etj.

E bën këtë, siç edhe vetë pohon nga nevoja për të njësuar kërkesën teorike të njohjes së kësaj terminologjie, por edhe me kuptimin e përdorimin praktik të tyre. Duke ruajt e shfaq atë merakun e tij të gjithhershëm për gjuhën, për shqipen.

Udobisht [kollaj, lehtësisht] mundet me ndollë qi êmnat e fjalët teknike n’ket veperz, nuk i pergjigjen krykput natyrës s’gjuhës shqype, por megjith kta nuk do t’qiten poshtë e do t’perdorohen dersa nevoja me kohë t’mos ketë xjerrë prej palcit të gjuhës fjalë kryekput shqyptare. [7] E përkitas me shpjegimin vjen krahasimi elegant, nëpërmjet të cilit del në krye “meraku” për gjuhen shqipe: “Deti, të gjitha njato sende qi nuk bahen nji me natyrë t’tij, a i l’shon n’fund a se, tallaz mbas tallazit, me kohë i qet n’breg. Kshtu asht edhe gjuha; t’tana fjalët, qi nuk pelqejnë me natyrë t’sajë, me kohë i len mas doret … ” [8]

Kurse, Kisha e Motrave Stigmatine, “arkitekturë e Fishtës, vjeti 1927”, pra projekt autentik, fillim e mbarim i tij, është joshëse edhe sot, pas gati një shekulli, jo vetëm për fasadën, por edhe për elementë të tjerë funksionalë-utilitarë, të detajuar si prej një profesionisti të shkallës së epërme. E kam dëgjuar vite më parë dhe, më vjen për mbarë ta rikujtoj, konsideratën e muzikantit të njohur shkodran Gjon Shllaku se: salla e atyshme ka akustikën më të mirë prej sallave që gjinden sot në Shkodër e ndoshta edhe në Shqipëri.

_________

[1]? Leon Kabashi: At Gjergj Fishta në arte. ”At Gjergj Fishta, numer perkujtimuer, botue neper kujdes t’At Benedikt Dema ofm. ”, Shkodër 1941, fq. 54

[2]? Stefan Çapaliku: “Një antologji e vogël e vdekjes”, Botimet Fishta, 2020, fq 40

[3]? Simon Rrota: “Po shkruej për vedi e për Shkodren”, Botimet Fishta, 2018

[4]? Leon Kabashi, Po aty.

[5]? Giacomo da Vignola, (1507-1573), arkitekt i stilit barok, arkitekti kryesor në Romë, pas Mikelanxhelos, hartues i atij që quhet:Traktati Vignola me Pesë urdhërat e arkitekturës.

[6]? Arkivi i shtetit, F. 17(Gjergj Fishta), D. 2-7, Projekte shkollash e kishash, hartuar prej vetë Gjergj Fishtës(dorshkrime)

[7]? Arkivi i shtetit, F. 17(Gjergj Fishta), D. 2-7, ”Permii pêsë rende t’arkitekturës marë”

[8]? Po aty. / KultPlus.com

Më Shumë

Moti sot me shi

Moti sot fillimisht parashihet të jetë kryesisht i vranët dhe me reshje shiu të intensitetit të ndryshueshëm, të pranishme në pjesën dërrmuese të Kosovës...

Iu gjetën mbetjet 25 vjet pas zhdukjes, varroset në Piranë patrioti Ukë Sait Ukaj

Sot në Piranë varroset trupi i Ukë Sait Ukaj, për fatin e të cilit nuk është ditur nga viti 1999 e deri më tani. E...

Lajmet e Fundit