Liria e Prizrenit e ka quajtur absurde ankesën e Ferizajt duke u arsyetuar se lojtarët e tyre kanë kontrata deri më 30 qershor në FIFA Connect.Kështu deklaroi se paku presidenti i klubit Qemal Krasniqi.
Ferizaj bëri ankesë te organi i FFK-së shkaku që Liria e Prizrenit në ndeshjen e barazhit luajtën me katër futbollistë të cilëve u skadon kontrata më 30 maj.
Krasniqi për Nacionalen tha se lojtarët i kanë të regjistruar deri më 30 qershor dhe se të gjithë janë në rregull, pasi edhe janë licencuar nga FFK-ja.
“Fillimisht mund të them se kjo që ka ndodhur është absurde. Ne të gjithë lojtarët i kemi të regjistruar në FIFA Connect deri më 30 qershor, pra askush nuk mund të largohet para kësaj date pavarësisht që disa kontratë skadojnë më 31 maj”.
“Ne kemi diskutuar me disa në FFK, pra juristë dhe na kanë thënë që jemi në rregull dhe besoj shumë që kjo do të dëshmohet. FFK na ka licencu pasi jemi në rregull. Nuk është që na kanë thënë shkoni vazhdojani lojtarëve kontratën edhe për një muaj, por na licencuan”.
Tutje, ai shtoi se shumë klube i kanë të regjistruar lojtarët deri më 30 maj dhe që një situatë e tillë ka ndodhur edhe në kampionatet e tjera, duke përmendur një rast te Galatasaray i Turqisë.
“Më vjen keq prej Ferizajt, por ne jemi Liria dhe është dashur të fitojnë në fushë. E pamë si fituan ndaj Dukagjinit, por ne e merituam rikthimin. Shumica e klubeve në Kosovë kontratat e futbollistëve i kanë deri më 31 maj, veç kush rren. Ndoshta këto klubet që kanë luajtur në Evropë mund të jenë paksa më rregull, por 90 për qind i kanë deri më 31 maj”.
“Nuk jemi vetëm Kosova me një situatë të tillë. Në Turqi një lojtar i Galatasarayt luajti më 4 qershor pavarësisht që kontrata i skadonte më 31 maj. Por ne jemi ku jemi dhe bëhen këso gjërash”.
Ndërkohë, vendimi përfundimtar i FFK-së pritet të merret të mërkurën.Gazeta Nacionale.