Sipas njoftimit të Policisë, pas një pune intensive operative dhe hetimore që ka zgjatur rreth një vit, hetuesit policorë në Pejë, kanë siguruar dëshmi se i dyshuari ka kryer veprat penale  “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe  “marrja e ryshfetit”.

“Sot, më 30.06.2023, është zbatuar urdhri i lëshuar nga Gjykata Themelore Pejë, ku është kontrolluar prona e të dyshuarit Sh.G. (mbikëqyrës në Qendrën Korrektuese Dubravë). Ai dyshohet se në katër raste ka marrë ryshfet (1880 euro), në këmbim të ofrimit të disa favoreve ndaj të burgosurve. Pas përfundimit të kontrollit i dyshuari është shoqëruar për intervistim në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit kompetent të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orë”, njofto policia.

Rasti i dytë, sipas të njëjtit njoftim, është zhvilluar në Prishtinë dhe në Prizren dhe me vendim të gjykatës, është zhvilluar një urdhër-kontrolli për të siguruar dëshmi shtesë në rastin “kurdisje e ndeshjes ose sportit”.

“I dyshuari i parë (refer me licencë ndërkombëtare), dyshohet të ketë kurdisur ndeshjet basketbolli në kuadër të Super ligës së Kosovës, Ligës Unike Kombëtare dhe Ligës Ballkanike, veprimet i ka kryer në bashkëveprim me të dyshuarin e dytë (trajner basketbolli). Të dyshuarit i kanë kryer këto veprime me qëllim të përfitimit material. Po ashtu, i dyshuari i parë, ka bashkëvepruar edhe me referë dhe trajnerë ndërkombëtarë në kurdisjen e lojërave basketbollistike, me qëllim të fitimit të basteve. Gjatë kontrollit janë sekuestruar disa fletëpagesa, katër telefona dhe dy shtëpiza të kompjuterit”, njofton policia.

Të dyshuarve  pas intervistimit, sipas policisë, me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve.