Lajmet për zhvillimet ekonomike në Eurozonë flasin për ecuri të reja më të favorshme, pas një periudhe goxha të zymtë, sidomos në periudhën e pandemisë dhe në muajt e parë post-Covid 10 dhe agresionit rus në Ukrainë, që i ka karakterizuar thuaja të 20 vendet që përdorin euron, si valutë kombëtare.
Ekonomia e Eurozonës ishte goditur rëndë dimrin e kaluar nga rritja e madhe e çmimeve të energjisë, si pasojë e luftës në Ukrainë. Por, të dhënat nga dy ekonomitë më të mëdha të Evropës, këto ditë kanë sinjalizuar se rimëkëmbja tashmë po ndodhë.
Sipas të dhënave të publikuara në mediet ndërkombëtare, prodhimi i brendshëm bruto në vendet që përdorin euron u rrit 0.3 për qind në tremujorin e dytë të 2023-tës, krahasuar me tre muajt e mëparshëm, sipas një vlerësimi zyrtar të publikuar të hënën. PBB-ja, siç dihet, në Eurozonë kishte rënë me 0.1 për qind në tre muajt e fundit të vitit 2022 dhe ngeci në tremujorin e parë të këtij viti. Ndërsa, të dhënat zyrtare tregojnë se edhe inflacioni vazhdoi të bjerë këtë muaj. Indeksi i çmimeve të konsumit në Eurozonë u rrit me 5.3 për qind, nga 5.5 për qind në qershor. Sipas ekspertëve, madje ecuritë ekonomikë në Eurozonë “do të forcohen ndjeshëm në tremujorët e ardhshëm”.
Ndërkohë, në Kosovë vazhdon prapambetja e zhvillimit ekonomik, e varfërisë së madhe, e ngecjes së investimeve edhe atyre të jashtme edhe investimeve kapitale, dhe e kaosit dhe anarkisë në fushën e çmimeve. Dhe, megjithë varfërinë e madhe dhe përqindjes së ndjeshme të varfërisë ekstreme, Kosova edhe më tej vazhdon të përballet me çmime enorme, sidomos të produkteve elementare ushqimore, të cilat janë, madje edhe më të larta se në vendet e zhvilluara të Evropës.
Në një listë të përpiluar nga portali gjerman DERËESTEN që trajton kryesisht çështjet ekonomike, siç është parë, Kosova është renditur si vendi i dytë më i varfër në Evropë për vitin 2023, pas Ukrainës, e cila është renditur e para.
Portali gjerman DERËESTEN ka listuar vendet më të varfëra në Evropë për vitin 2023. Lista është krijuar mbi bazën e prodhimit të brendshëm bruto (GDP) për frymë banori. GDP-ja (PBB-ja) pasqyron vlerën e të gjitha mallrave dhe shërbimeve të prodhuara në një vend. Për krijimin e listës, GDP është pjesëtuar me numrin e banorëve për të krijuar një listë sa më të saktë dhe të krahasueshme të vendeve më të varfra në Evropës, thuhet në artikullin e publikuar.
Në listën e 10 vendeve më të varfëra në Evropë DERËESTEN ka renditur 10 shtete: në vendin e 10-të renditet Serbia (me Prodhimin e Brendshëm Bruto-PBB prej 10,360.72 dollarë për frymë banori), vendi i 9-të: Mali i Zi, që ka një GDP prej 9,811.86 dollarë amerikanë për kokë banori, vendi i 8-të: Bjellorusia me një GDP prej 7,859,63 dollarë amerikanë, vendi i 7-të: Bosnja dhe Hercegovina me një GDP për frymë prej 7337.72 dollarë amerikanë, vendi i 6-të: Gjeorgjia me një produkt të brendshëm bruto për frymë prej 6670.73 dollarë amerikan, vendi i pestë: Maqedonia e Veriut – GDP për frymë prej 6,608.08 dollarë amerikan, e pasuar nga Shqipëria në vendin e katërt (PBB 6,457,22 dollarë për kokë banori dhe në vendin e tretë: Moldavia (me PBB për frymë 5,671.22 dollarë amerikan). Dhe, vendi i dytë më i varfër në Evropë, sipas revistës gjermane del të jetë Kosova me një prodhim të brendshëm bruto për kokë banori prej 5,290.48 USD.
Sipas revistës gjermane Kosova, shteti me rreth 2.5 milionë banorë, është ende një nga vendet më të varfra në Evropë, për shkak jo vetëm të politikave të dështuara sociale dhe ekonomike si pjesë e Jugosllavisë, por edhe të pasojave të luftës së Kosovës dhe një industrie mezi të zhvilluar.
Ndërsa vetëm Ukraina, me vetëm 4,348.57 dollarë amerikan PBB-në për kokë banori, sipas revistës DERËESTEN, del të jetë më e varfër se vendi ynë. Në pozicionin e Ukrainës për nga varfëria, dihet që kryekëputë ka ndikuar lufta me Rusinë.
Sidoqoftë, për pozitën e Kosovës sa i përket varfërisë, që realisht i bie të jetë e para në Evropë (të dhënat për Ukrainën në gjendje lufte nuk duhet marrë shumë parasysh) nuk është që dihet vetëm tani pas ranglistës së revistës gjermane. Kosova ka vite që gjendet në zonat e shteteve të varfëra, madje edhe të atyre ekstemisht të varfëra, me një armatë të tërë të papunësh, me bruto-produktin më të ulët vendor në rajon dhe me deficitin kolosal tregtar, edhe krahasuar me shtetet e rajonit veç e veç dhe me numër tronditës të kosovarëve të të gjitha profesioneve që po e braktisin vendin.
Në Kosovë, ndikim të madh në varfëri ka edhe ngecja evidente e investimeve kapitale, por edhe e investimeve të huaja direkte, sado që këto të fundit, sipas të dhënave zyrtare, kanë një goxha rritje krahasuar me dy tre vjetët e përparmë.
Ta përkujtojmë se Kosova ka vijuar të jetë ndër të fundit në Europë për të ardhurat për frymë edhe në vitin 2021 dhe më 2022 dhe me fuqinë më të ulët blerëse, duke zgjatur kështu rekordin negativ të mirëqenies së banorëve të saj, në krahasim jo vetëm me vendet e Bashkimit Europian, por edhe shtetet e tjera të rajonit.
Kosova në rrethanat aktuale shoqërore dhe ekonomike jo vetëm që nuk arriti ta zbusë varfërinë, por ç’është më keq, ka vazhduar, pra, ta thellojë atë. Në këtë mënyrë, Kosova vazhdon të jetë sot e kësaj dite e skamur. Është më e varfëra në rajon dhe me gjendje seriozisht të rënduar sociale.
Më konkretisht, edhe sipas të dhënave për renditjen e shteteve të botës nga i pasuri tek më i varfëri për 2022-ën, të publikuara në prill të këtij viti, Kosova del të jetë shteti më i varfër në rajon, duke u renditur në vendin e 105-të në botë me 13,964 dollarë, gjithsej të ardhura për kokë banori.
Revista “Global Finance” e cila ofron raporte ekonomike, listime apo edhe lajme financiare, ka publikuar renditjen e shteteve të botës nga më i pasuri tek më i varfëri për vitin 2022. Shifrat i referohen Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në publikimin “Prespektiva Ekonomike Botërore, prill 2022”. Sipas këtyre të dhënave, për gjysmën e parë të vitit 2022, Kosova doli të ishte shteti më i varfër në rajon, duke u renditur në vendin e 105-të në botë me 13,964 dollarë të ardhura për kokë banori. Shqipëria renditej e 90-ta mes 192 vendeve në total të marra në analizë me PBB për frymë me 17,383 dollarë.
Matja e vendeve të pasura dhe të varfra bëhet referuar PBB-së për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerëse.
Sipas Agjencisë së Statistikave (ASK), papunësia në Kosovë është mbi 25 për qind. Të dhënat e fundit të ASK-së për tregun e punës tregojnë se nga mbi një milion qytetarë në moshë pune në Kosovë, mbi 350 mijë janë të punësuar (sipas deklarimeve të këtyre ditëve të zyrtarëve aktualë janë të punësur 400 mijë kosovarë), ndërsa mbi 120 mijë janë të papunë.
Gjithnjë sipas ASK-së, rreth 750 mijë qytetarë janë ekonomikisht joaktivë, që do të thotë se nuk janë të punësuar, as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë.
Për varfërinë reale të Kosovës flasin edhe këto fakte: Të dhënat ndër më të fundit nga ASK-ja rreth statistikave të mirëqenies sociale në Kosovë, tregojnë se vetëm deri në fund të muajit qershor të këtij viti, kanë qenë të regjistruara gjithsej 21 mijë e 131 familje në skemën e ndihmës sociale (raste sociale, pra), me gjithsej 83 mijë e 395 anëtarë.
Sipas të dhënave të Bankës Botërore, rreth 18 për qind e popullatës në Kosovë vitin e kaluar kanë jetuar në varfëri, me më pak se 2 euro në ditë ndërsa 5 për qind e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë ekstreme ose me më pak se 1.50 euro në ditë.
Ndryshe, çmimet e të gjitha produkteve, e sidomos të atyre elementare ushqimore (mielli, buka, vaji, sheqeri, vezët etj), përditë shënojnë ngritje enorme të reja. Inflacioni në fund të vitit 2022 ka arritur diku afër 12 për qind, ndërsa sivjet Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 2,8 për qind në muajin qershor 2023, krahasuar me muajin qershor 2022.
Në këtë mënyrë, edhe më tutje, sot e kësaj dite, sigurimi minimal i ekzistencës për shkak të çmimeve enorme të shportës familjare dhe për shkak të pagave të ulëta, sidomos në sektorin privat, janë bërë sfidë e papërballueshme për shumë famije anekënd vendit. Çmimet e të gjitha produkteve, e sidomos të atyre elementare ushqimore (mielli, buka, vaji, vezët, sheqeri etj), siç u tha më lartë, përditë shënojnë ngritje të reja. Kosova tashmë garon goxha fortë me shtetetet e fuqishme financiare sa i përket çmimeve dhe ato janë të përafërta, madje edhe përtej çmimeve të shteteve të fuqishme të botës. Prandaj, për vrojtuesit dhe njohësit e rrethanave, ranglista e revistës gjermane është e përafërt me të dhënat dhe indikatorët e shpërfaqur tash e sa vite në vazhdimësi për vobektësinë e Kosovës. /Buletini Ekonomik/