2.6 C
Prizren
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Jasharaj: Ka nevojë për më shumë inspektorë, jo për testim të mësimdhënësve

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jashraj, ka thënë se ata arsyeshëm e me plot argumente i kanë kundërshtuar tendencat për testim të mësimdhënësve.

Sipas tij në vend të kësaj duhet të bëhet shtimi i inspektorëve të arsimit.

“SBASHK-u ka kundërshtuar arsyeshëm dhe fuqishëm e me plot argumente tendencat e individëve e institucioneve për organizimin e testitit me shkrim për njohuritë e punëtorëve të arsimit dhe ka kërkuar vazhdimisht që të shtohet numri i inspektorëve të arsimit, por jo me çfarëdo kuadrosh, po me individë me tituj të lartë arsimor dhe me një përvojë shumë vjeçare në arsim gjatë secilës ai është dëshmuar me arritje e suksese të larta në arsimimin dhe edukimin e brezave”, ka shkruar Jasharaj në një shkrim dërguar mediave.

Ai ka kritikuar Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), duke thënë se ajo dhe institucionet e tjera duhet ta dinë se detyrat e inspektorëve të arsimit dallojnë nga detyrat e inspektorëve në sektorë të tjerë

“Një konkurs i dështuar dhe një tjetër ‘i suksesshëm’ i MASHTI-t e i shpallur nga dikush tjetër, vështirë se do të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë në arsim. MASHTI dhe institucionet tjera është dashur ta dinë se detyrat e inspektorit të arsimit dallojnë nga detyrat dhe kompetencat e inspektorit të tregut, atij sanitar apo të inspektorit të punës. Teksa këta kanë obligim të monitorojnë dhe të gjejnë lëshimet e shkeljet dhe t’i ndëshkojnë fajtorët. Inspektori i arsimit ka detyrë që të monitorojë punën e punëtorit arsimor dhe të shoh anët pozitive e t’i lavdërojë ato, por edhe të shoh nga afër të metat në punën arsimore të mësimdhënësit dhe pastaj t’i ofrojë atij këshilla konkrete nga përvoja e tij se si të tejkalohen ato të meta me qëllim që mësimdhënësi të jetë edhe më i suksesshëm në punën e përditshme arsimore e edukative me nxënësit”, ka shkruar Jasharaj.

Sipas tij për ta kryer këtë mision, inspektori arsimor, duhet të jetë me ngritje më të lartë profesionale se mësimdhënësi i monitoruar dhe duhet të ketë përvojë të gjatë në arsim.

“Ky inspektor nuk guxon të jetë afër ndonjë subjekti politik, por duhet të jetë i dëshmuar se për arsimimin e brezave ka dhënë gjithë kontributin e mundur. Të tillët na duhen në shkolla e në klasë dhe me të tillët do të përmirësohej në vazhdimësi cilësia në arsim sepse mësimdhënësit do të ndihmoheshin që të jenë edhe më të mirë nesër se sa janë sot”, ka shkruar Jasharaj. Në të kundërtën sipas tij, “inspektorë të rekrutuar me ngritje më të ulët arsimore dhe me përvojë e arritje më të vogla se mësimdhënësi që do ta monitorojnë, irriton dhe krijon situata debatesh e përplasjes mes mësimdhënësit dhe inspektorit apo ‘ekspertit të arsimit’, siç mundohet t’i quaj dikush”, ka shkruar Jasharaj.

Sipas tij me mësimdhënësit duhet komunikuar qetë.

“Nëse MASHTI ka pasur idenë se duke rekrutuar emra të caktuar individësh si inspektorë të krijojnë kontroll ndaj arsimit dhe t’ua sjellin diellin mbi kokë mësimdhënësve ka gabuar shumë. Me mësimdhënësit duhet komunikuar qetë, pa presione dhe me qëllimin më të mirë që ata të mobilizohen e ndihmohen që të jenë edhe më të mirë e më të suksesshëm në misionin e tyre të shenjtë për arsimimin e edukimin e brezave”, ka shkruar Jasharaj.

Më Shumë

Usyk vazhdon si i pamposhtur, fiton me vendim unanim ndaj Furyt

Oleksandr Usyk ka arritur t’i mbrojë titujt në peshat e rënda, duke mposhtur sërish Tyson Furyn në Riad me vendim unanim. Dueli i dytë mes...

‘Karvani Multi Etnik për Paqe dhe Bashkëjetesë’ ndalet në Prizren, Totaj thekson rëndësinë e tolerancës

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, priti sot përfaqësuesit e “Karvanit Multi Etnik për Paqe dhe Bashkëjetesë”, një projekt i mbështetur nga Fondacioni...

Lajmet e Fundit