Pas një procesi të hapur dhe të suksesshëm të tenderimit, kryeshefja Ekzekutive e Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, nënshkroi sot kontratën kornizë, në vlerë prej 15 milionë eurove, në mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë Ericsson Nikola Tesla nga Zagrebi, me të cilën vazhdon bashkëpunimi në mes të dy kompanive për modernizimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit mobil të Telekomit të Kosovës Sh.A.
“Në fund të këtij procesi, Telekomi i Kosovës do të jetë i pajisur me teknologjinë e fjalës së fundit dhe shtrirjen/mbulueshmërinë më të madhe në territorin e Kosovës me teknologjinë 4G+ dhe 5G. Ndërsa qytetarët e Kosovës, përkatësisht konsumatorët e Telekomit të Kosovës do të kenë shërbimet më të avancuara dhe produktet më atraktive në treg”, thuhet në njoftimin e Telekom Kosovës.
Kontrata përfshin instalimin e pajisjeve moderne Ericsson 4G+ dhe 5G në pjesën radio të rrjetit mobil të Telekomit të Kosovës dhe mirëmbajtjen e rrjetit!
Bëhet e ditur se kryeshefja Ekzekutive e Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, shprehet e lumtur që pas një procesi të hapur dhe të suksesshëm tenderues, nënshkroi kontratën për modernizimin e plotë të rrjetit mobil Vala (400 Stacione Bazë) me kompaninë prestigjioze ndërkombëtare Ericsson Nikola Tesla.
“Me këtë, po i kurorëzojmë përpjekjet tona për modernizimin e plotë të telefonisë mobile Vala, përfshirë këtu edhe teknologjinë e avancuar 5G”, tha ajo, duke shtuar se “me këtë do të ju ofrojmë konsumatorëve të Telekomit të Kosovës, fjalën e fundit të teknologjisë, duke u ofruar kështu qytetarëve të Kosovës shërbime të avancuara, kurse bizneseve mundësi më të mëdha për zhvillimin e aktivitetit të tyre”, thuhet në këtë njoftim.
Hana gjithashtu ka njoftuar se projekti i modernizimit të përgjithshëm të rrjetit, në tërësi do të implementohet deri në fund të vitit 2024, ndërsa regjioni i Prishtinës do të modernizohet tërësisht dhe do të ketë mbulueshmëri të plotë qysh gjatë verës së këtij viti.
Ndërkaq, Gordana Kova?evi?, presidente e Ericsson Nikola Tesla, lidhur me nënshkrimin e kësaj kontrate ka thënë: “Më vjen mirë që po vazhdojmë bashkëpunimin tonë me Telekomin e Kosovës për modernizimin dhe zgjerimin e rrjetit të tyre mobil. Platforma e fuqishme 5G e Ericsson, e kombinuar me zgjidhje inovative të TIK-ut nga ekspertët tanë, është baza për shërbime të avancuara të komunikimit dhe një sërë mundësish të reja që do të jenë në dispozicion të qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë. Vazhdimi i partneritetit tonë do të kontribuojë në forcimin e pozitës sonë në tregun e Kosovës, ku kemi qenë prezent për shumë vite. Ne kemi punësuar një numër ekspertësh të rinj në zyrën tonë në Prishtinë vitin e kaluar, të cilët së bashku me kolegët nga i gjithë Grupi Ericsson Nikola Tesla, marrin pjesë në zhvillimin dhe zbatimin e zgjidhjeve më të fundit teknologjike për operatorët kryesorë në botë”, ka thënë ai
Qytetarët e Kosovës dhe konsumatorët e Telekomit të Kosovës, me këtë projekt do të kenë teknologjinë e fjalës së fundit të rrjetit mobil, rrjetin funksional të standardeve më të larta dhe mirëmbajtjen më efektive, si dhe shërbimet dhe produktet më atraktive në fushën e telekomunikacionit, në tregun e Kosovës!
“Me këtë rast, duhet falënderuar posaçërisht aksionarin, Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe qytetarët e Kosovës të cilët edhe përkundër gjendjes së mjerueshme në të cilën e gjetëm Telekomin e Kosovës në vitin 2020, besuan dhe mbështetën projektin e rimëkëmbjes dhe fuqizimit të operatorit të vetëm publik të telekomunikacionit në vend”, thuhet në njoftimin e Telekomit.