Tetë zyrtarë policorë janë dekoruar me “Medalje për Shpëtim Jete” nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në shenjë nderimi për guximin, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë ndërhyrjeve për shpëtimin e jetës së qytetarëve.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, dekorimi është bërë pas përfundimit të procedurave të parapara sipas udhëzimit administrativ dhe me rekomandim të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha.
Gjatë ceremonisë, ministri Sveçla deklaroi: “Jam tejet i lumtur që jemi sot këtu bashkë, për të nderuar punën e tetë zyrtarëve tanë policorë, të cilët me aktin e tyre human e fisnik, duke rrezikuar vetveten, i dhanë kuptim misionit të Policisë së Kosovës. Këto akte dëshmojnë se, përveç profesionalizmit të lartë, pjesëtarët tanë policorë bartin edhe vlera të mëdha humane, të cilat ndërveprojnë me detyrën dhe përgjegjësinë zyrtare”.

Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, vlerësoi lart veprimin e zyrtarëve policorë:
“Veprimet tuaja të guximshme dhe profesionale janë një shembull i mirë dhe një burim i madh frymëzimi për të gjithë zyrtarët policorë që mbajnë këtë uniformë anembanë vendit. Ju vërtetuat se uniforma e PK-së nuk është thjesht një petk zyrtar, por ajo bart mbi vete një peshë të madhe të përgjegjësisë, një mision human dhe një gatishmëri të palëkundur për të shërbyer në çdo rrethanë ndaj qytetarëve dhe vendit, pavarësisht rreziqeve që mund të kanosen”.
Policia e Kosovës theksoi se akti heroik i zyrtarëve policorë dëshmon përkushtimin institucional ndaj qytetarëve dhe gatishmërinë për të vepruar në çdo situatë për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë publike./PrizrenPress.com/
Marketing
“V. Kryeziu” – Zgjidhje për rregullimin e oborrit të shtëpisë dhe hapësirave tuaja!
Realizoni projektet tuaja me BiCredit, partneri juaj i besueshëm financiar në Prizren!
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren
