Ajo u shfaq e qeshur dje, në ekranin e madh vendosur në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, duke dhënë kështu “koncertin” e fundit të saj. Më flokët që gjithnjë i binin shkujdesur mbi supe, fustanet e thjeshta dhe buzëqeshjen që e dallonte nga larg, ajo bëri dhe njëherë një udhëtim në këngët që bënë karrierën e saj, për një spektator, që e shoqëroi këtë koncert me duartrokitje dhe lot. “E dua vendin tim”, “Erë pranverore”, “E bukura more”, “Djaloshi dhe shiu”, apo “Valsi i lumturisë”, e risollën Vaçe Zelën në kohë të ndryshme të jetës së saj. Kjo ishte një dalje që ajo e kishte kërkuar aq shumë, teksa në shtëpinë e saj në Bozano në Zvicër, çonte ekranin e televizorit në stacionet shqiptare. Nuk ka asgjë që mund të dhembi më shumë për një artist sesa ndarja nga skena. E ky ishte dhe pengu me të cilën iku nga kjo jetë Vaçe Zela. Këngët e zgjedhura të repertorit të saj, u shoqëruan dhe me fjalime miqsh, artistësh, njerëz të politikës dhe njerëz që ndoshta ajo si takoi asnjëherë, por që me zërin e saj, ajo u kishte dhënë më shumë se në takim. Fjalime të ndjera, për një artiste e cila do t’i mungojë gjatë publikut shqiptar.
Ceremonia e lamtumirës së artistes Vaçe Zela i ngjasonte një spektakli, ku publiku priste me ëndje vetëm një të ftuar speciale. Por e ftuara e këtij spektakli rrinte e heshtur e mbyllur në arkivolin e mbuluar me flamurin shqiptar, duke u bërë njëherësh protagoniste dhe spektatore. “Jo vetëm bashkëkohësit e saj, jo vetëm ne që patëm fatin e madh që të punojmë me të, por çdo njeri i thjeshtë, kur dëgjon zërin dhe këngën e saj, me siguri brenda vetes me fantazi krijon monumentin e këngës shqiptare, një piedestal dhe mbi të Vaçja me thjeshtësinë dhe madhështinë e saj”, tha regjisori, Bujar Kapexhiu. Për këngëtarin Sherif Merdani, “Vaçja me profesionalizmin e saj, me këngët e saj të mrekullueshme bëri një popull të tërë që të ndihet krenar”.
“Vaçe Zela nuk la asgjë në dorën tonë. Ajo e dinte më mirë se të gjithë se rinia e mendjes, e trupit dhe e shpirtit nuk takohen asnjëherë me njëra-tjetrën. Si një Greta Garbo fisnike vendosi të largohej, duke siguruar përjetësinë e zërit të saj drithërues, në shkëmbim të vdekjes së parakohshme publike”, tha gazetari Sokol Balla.
“Këto ditë kam ndier diçka të veçantë, një ndjenjë kombëtare për të cilën flitet shumë. Një njeri i vetëm si Vaçja, në mënyrë të natyrshme, pa urdhëruar sensibilizoi të gjithë njerëzit. Vaçja i mori të tëra kur ishte gjallë. Kemi punuar dhe jetuar në një sistem ku të gjenim edhe vrima që t’i çanim, Vaçja me imponimin e saj krijoi një oaz lirie në shkretëtirë. Lamtumirë Vaçe!”, tha Aleksandër Lalo. Të ndjera qenë fjalët që Kryeministri Edi Rama tha për të. “Unë të kam parë, të kam ndjekur, të kam kënduar me vete, por s’e pata kurrë fatin të të afrohem, sepse kam qenë dhe jam shumë i vogël përpara teje. Sot je këtu afër dhe unë ndiej mall siç edhe ti vetë ke thënë “sa mall kemi sa deti valë”. Ne Vaçe të duam shumë, por ti vetë prapë e ke thënë “Dashuria është si kënga dhe do sot gjithë botën ta pushtoj”. Prandaj po të lë Vaçe që të na pushtosh siç na ke bërë gjithmonë, që atje lart tek yjet se pjesë e tyre ke qenë dhe je. Prej ku do të na vazhdosh të na shohësh duke na pushtuar të gjithëve”, tha ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro. Fjalët për të dje ishin pambarim. Ato erdhën nga personazhe të njohura të politikës shqiptare ndër vite, përfaqësues të trupit diplomatik, por edhe njerëz të thjeshtë.
“Është dhe mbetet zëri dhe kujtesa e saj, përjetë mes nesh, në zemrën e një kombi të tërë, mirënjohës dhe krenar për të dhe për veprën e saj, çka shihet qartë edhe nga bashkimi i mijëra e qindra mijëra shqiptarëve në homazhet dhe nderimin për të paharruarën Vaçe Zela”, tha kryebashkiaku Lulzim Basha. Ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha e quajti atë “disidenca e këngës shqiptare, në atë regjim barbar të antivlerave”. Ish-presidenti Alfred Moisiu tha se artistja iku nga jeta, por la kaq shumë gjurmë dhe pasuri që do të mbahet mend në jetë të jetëve.
“Kam privilegjin të shpreh pak fjalë zemre për një artiste të madhe që na shoqëroi nga fëmijëria në pjekuri. Vaçja lindi dhe u rrit si një talent natyral, i lindur në një shtëpi të thjeshtë dhe në një familje të thjeshtë pa asnjë lloj përkujdesje në fillimet e karrierës së saj. Por sikurse thotë Gëte “talentet e lindura ndihen të lumturuara nëse arrijnë ta përdorin atë në funksion të të tjerëve”. Kam bindjen se Vaçja talentin e saj, jo vetëm e realizoi në funksion të imazhit të saj, por këtë lumturi arriti ta përçojë në gjithë brezat”, tha ish-presidenti Bamir Topi. Asnjë vdekje nuk ka bërë bashkë kaq njerëz në dëshpërim. Homazhet për të nisën rreth orës 10.00 të paradites e vazhduan deri në orën 13.00, kohë kur arkivoli me trupin e saj, zbriti shkallët përmes tapetit të kuq që ishte vendosur për ikonën e muzikës shqiptare, në Teatrin e Operës dhe Baletit. Qindra njerëz hodhën lule mbi arkivol teksa në sfond dëgjohej kënga e Whitney Houston “I will always love you”, e mbretëresha e këngës shqiptare po bënte udhëtimin e fundit mbi tokë, mes duartrokitjesh. Kortezhi i gjatë është drejtuar drejt varrezave të Sharrës ku artistja do prehet përgjithmonë. Vaçe Zela është një personalitetet e kulturës shqiptare, një emër e cila do të lidhet përjetësisht me muzikën tonë. Zëri i saj i mrekullueshëm, do të kujtohet si zëri i një epoke, që do të dëgjohet gjithmonë, pavarësisht kohëve që do të vijnë. Ajo u nda nga jeta të enjten, në moshën 74-vjeçare pas një sëmundjeje të gjatë. Amaneti i saj ishte të prehej në atdhe, në një udhëtim ku do të prekte jo vetëm Shqipërinë, por edhe Kosovën, që qe gjithnjë në zemrën e saj. Trupi i saj u prit të premten rreth orës 14.00 në aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës, në një ceremoni ku morën pjesë personalitete të politikës dhe kulturës në Kosovë. Dje e gjithë Shqipëria u përul para saj, dhe pse nuk patën mundësi të gjithë të ishin në Teatrin e Operës dhe Baletit për të hedhur një lule, në shtëpitë e tyre, çdo shqiptar u përul përpara kësaj artisteje të madhe.