Sot në qytetin e Vlorës u zhvillua ceremonia zyrtare e rivarrimit të eshtrave të Eqrem bej Vlorës, diplomat, politikan dhe historian, personalitet i shquar i letrave shqipe. Me këtë rast, u bënë homazhe dhe u vendosën kurora në arkivolin me eshtrat e tij, në mjediset e shtëpisë së familjes në qytetin e Vlorës, atje ku ai u largua 70 vite më parë drejt Austrisë.
Kurorën në emër të kryeministrit Edi Rama e vendosi Këshilltari për Diplomacinë Kulturore dhe Rilindjen Evropiane, Fate Velaj, i cili vlerësoi figurën e Eqrem bej Vlorës, si një personalitet i kulturës dhe i letrave shqipe.
Bënë homazhe dhe vendosën kurora edhe kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, zv/ministri i Kulturës, Zef Çuni, Princ Leka II, qytetarë vlonjatë dhe nga rrethe të tjera të vendit. zv/ministri i Kulturës, Zef Çuni, në fjalën e tij në ceremoninë zyrtare, u shpreh mes të tjerash se, Eqrem bej Vlora është personalitet i shquar i letrave shqipe.
“Shpirti i tij endet mes letrave dhe dilemave politike”, theksoi Çuni. Kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj, në një prononcim për mediat e cilësoi Eqrem Bej Vlorën, personalitet të kulturës dhe një figurë poliedrike që, pavarësisht se e diskutueshme, ka lënë gjurmë dhe kontributin e vet në historinë e Vlorës dhe të Shqipërisë, një nga pinjollët e familjes Vlora.
Nga ana e tij, nipi i Ismail Qemal Vlorës, Darling Vlora, falënderoi në emër të familjes kryeministrin Edi Rama, për vendimin për kthimin në atdhe të eshtrave të Eqrem bej Vlorës. Ai u shpreh se vepra e Eqrem bej Vlorës, është aty dhe flet vetë.
Arkivoli me eshtrat e Eqrem bej Vlorës, i mbështjellë me flamurin kombëtar, u vendos në sheshin përpara ish- shtëpisë së Vlorajve në qendër të qytetit, e cila i është kthyer vajzës së tij. Ceremonia vazhdoi më pas në fshatin Kaninë, ku do të prehen eshtrat e Eqrem bej Vlorës në përmbushje të amanetit të tij.
Eqrem bej Vlora ndërroi jetë në mars të vitit 1964 në kryeqytetin e Austrisë, në Vjenë, ku edhe u varros. Vendimi për kthimin e eshtrave të tij u mor nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë më 7 mars./shekulli/Politikanët serbë të Kosovës qendrore kanë paralajmëruar se miratimi eventual nga Kuvendi i Kosovës i Projektligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, pa ndryshimet që ata i kërkojnë, do ta vë komunitetin serb në pozitë që t’i bojkotojë zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës së përbashkët serbe, Rada Trajkovic, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se vënia e këtij projektligji në rend dite për diskutim në Kuvendin e Kosovës, ka qenë arsye e braktisjes së seancës së ditës së premte nga ana e deputetëve serbë.
Trajkovic thotë se shumica e deputetëve serbë kanë mendim të përbashkët që për komunitetet pakicë, duhet të mbeten vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës edhe për dy mandate, gjë që është paraparë në projektligjin në fjalë.
“Mendojmë dhe jemi gati se të gjithë të bashkuar në atë që vendet e rezervuara duhet të mbeten të tilla. Unë mendoj se e kemi pasur planin e Ahtisarit, të cilin shteti i Serbisë e ka refuzuar. Por, me marrëveshjen e Brukselit, shteti serb sikur e ka pranuar një lloj modifikimi të Ahtisarit. Në këtë kuptim, unë mendoj se vetëm tash, në zgjedhjet e ardhshme, duhet të fillohet me vendet e rezervuara dhe që ato të mbeten për dy mandate. Kjo për faktin se tashmë është pranuar në gjithë territorin e Kosovës, sepse deri më tash nuk ka qene i pranuar nga shteti i Serbisë dhe nuk kemi pasur integrim të veriut”, ka vlerësuar Trajkovic.
Ajo ka shtuar se për integrimin e veriut janë shumë të rëndësishme vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës. Gjithashtu, sipas saj, vendet e rezervua janë të nevojshme deri në përfundimin e, siç e ka quajtur ajo, procesit të kthimit të serbëve të zhvendosur.
Lideri i Iniciativës Qytetare Serbe, Vladeta Kostic, më herët u ka bërë thirrje deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës që ta braktisin seancën, duke theksuar se Projektligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme nënkupton spastrim administrativ të serbëve nga Kosova. Sipas tij, janë tri pika, siç i quan ai, neuralgjike në këtë projektligj, me të cilat serbët nuk pajtohen.
“Pika e parë është për vendet e rezervuara. Pika e dytë neuralgjike dhe e cila është diskriminuese për të gjitha bashkësitë pakicë në Kosovë, ka të bëjë me të drejtën e votës së personave të zhvendosur. Ata gjenden në listat zgjedhore dhe vetë heqja e tyre nga këto lista do të paraqiste një spastrim etnik administrativ”, tha ai.
Sipas projektligjit të ri për zgjedhjet, bashkësitë pakicë nuk do ta kenë asnjë komisionar ose anëtar të Këshillit zgjedhor në vendvotime…
Në anën tjetër , në bazë të Kushtetutës, vendet e rezervuara pushojnë nga mandati i ardhshëm. Pas zgjedhjeve të ardhshme fillon mandati i 20 vendeve të garantuara, të cilat do të ndaheshin 10 për komunitetin serb dhe po aq për komunitetet tjera.
Zyrtarët e institucioneve të larta të Kosovës edhe më parë kanë theksuar se çështja e ulëseve të rezervuara ka përfunduar dhe se Kushtetuta nuk mund të preket vetëm për një mandat.
Por, sipas liderëve serbë, duhet kërkuar një zgjidhje ose modalitet, që nuk do t’i cenonte vendet e rezervuara për komunitetet pakicë në Kuvendin e Kosovës dhe që do të ishte i pranueshëm për të gjitha palët. Deputetja Trajkovic, shpreh bindjen se nëse kjo nuk ndodh, serbët do të jenë të detyruar të zgjedhin bojkotimin e zgjedhjeve.
“Unë mendoj se tash është më së miri që çështja e ligjit të shtyhet, nëse sidoqoftë është e mundur. Kjo sepse, që ditën që u mbajt seanca, komunat me shumicë serbe janë solidarizuar me ndërprerje të punës për 15 minuta. Ky është paralajmërim se mendojmë seriozisht dhe dëshirojmë seriozisht ta zgjidhim problemin. Unë gjithmonë jam për gjetjen e një zgjidhje të mirë, sepse neve na duhet ajo. Nuk dua asnjëherë që t’i motivoj njerëzit për bojkot, por bojkoti është mjeti i vetëm nëse nuk do të mund të arrijmë deri te vendet e rezervuara”, është shprehur Trajkovic.
Ndryshe, Kostiq ka vlerësuar se vazhdimi i mandatit të vendeve të rezervuara, nuk e shkel Kushtetutën e Kosovës.
Politikanët serbë, gjithashtu kanë shprehur mendimin se Ligji për zgjedhjet e përgjithshme, është një çështje shumë serioze dhe ai duhet të sillet në Kuvendin e Kosovës me përbërjen e ardhshme, si dhe pas një kohe më të gjatë dhe pasi që projektligji t’i kaloj diskutimet publike nga të gjitha bashkësitë në Kosovë