16.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Anulohet konkursi i Drejtorisë së Arsimit në Rahovec

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, e ka aprovuar kërkesëpadinë e paditëses Nasibe Rexha, e cila ka kërkuar anulimin e konkursit për përzgjedhjen e mësimdhënësve të programit fillor, të shpallur nga Drejtoria e Arsimit në Rahovec.

Sipas aktgjykimit të 10 shkurtit 2022, gjykata e ka aprovuar si të bazuar kërkesëpadinë e paditëses Rexha, si dhe ka anuluar konkursin e të paditurës Komuna e Rahoveci- Drejtoria Komunale e Arsimit me nr.04/637,  të 26 janarit 2021, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Komuna e Rahovecit gjithashtu obligohet t’i paguajë shpenzimet e procedurës, në shumën prej 644 euro.

Në aktgjykim thuhet se gjykata si fakt relevant në këtë çështje kontestimore vlerëson se e paditura ka vepruar në kundërshtim me ligjet dhe udhëzimet në fuqi, duke e shpallur një konkurs në kundërshtim me ligjet dhe udhëzimet në fuqi që rregullojnë procedurat e punësimit në sektorin publik.

E kjo thuhet duke filluar që nga shpallja e konkursit, emërimi i komisionit, përpilimi i testit me pyetje për kandidatët, lëshimet e komisionit ad-hoc i themeluar me vendim nga drejtoria komunale e arsimit, por të gjithë procedurën e konkursit e ka zbatuar drejtori i Arsimit, pastaj në lidhje me vlerësimin e paditëses, duke i mohuar të drejtën në ankesë prej 3 ditëve ashtu siç e parasheh udhëzimi 07/17, kur pala nuk është e kënaqur me vlerësimin e testit me shkrim.

Po ashtu, në aktgjykim thuhet se e paditura duke vepruar sërish në kundërshtim me ligjin, pa kaluar afati 8 ditor, në ditën e shtatë ka nënshkruar kontrata pune me shumicën prej kandidatëve të pranuar në konkurs.

Tutje thuhet se e paditura me rastin e publikimit të rezultateve të testit me shkrim, nuk e ka paraparë të drejtën ligjore për ankesë prej 3 ditësh, edhe pse paditësja ka kërkuar qasje në test brenda afatit prej 3 ditësh, nuk i është lejuar dhe të njëjtën kryetari i komisionit e ka udhëzuar që ka të drejtë të paraqes ankesë pas përfundimit të intervistës me gojë ose përfundimit të të gjithë procedurës, e të cilën e pohon edhe vet në seancën e shqyrtimit gjyqësor.

Sipas aktgjykimit, gjykata duke vërtetuar gjendjen faktike në mënyrë të plotë me prova materiale bindëse, e duke u mbështetur me dispozitat ligjore të Ligjit mbi Zyrtarët Publikë, Udhëzimit Administrativ 07/17 dhe dispozitave të Ligjit mbi Procedurën Kontestimore, është vërtetuar se e paditura ka vepruar në kundërshtim duke i mohuar të drejtën në punësim të barabartë të paditurës në raport me kandidatët tjerë, duke bërë shkelje të procedurave dhe afateve ligjore, këto të cilat vërtetohen nga provat e administruara.

Tutje në aktgjykim thuhet se nga provat e administruara, gjykata ka vlerësuar se konkursi është hapur sipas Udhëzimit Administrativ nr. 10/18 për normativ për kuadrin profesional.

Ndërsa, thuhet se e tërë procedura është zhvilluar sipas Udhëzimit Administrativ 07/2017, për rregullimin e procedurave në sektorin publik.

Po ashtu, theksohet se nga dëgjimi i dëshmitarëve në seancë, është vërtetuar dhe të njëjtit e kanë pranuar faktin se nuk janë juristë dhe nuk kanë njohuri të dispozitave ligjore të cilat e rregullojnë tërë procedurën e rekrutimit.

Ndryshe, në padinë e ushtruar më 11 maj 2021, paditësja Nasibe Rexha, kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, anulimin e konkursit për pozitën mësimdhënëse e programit fillor të shpallur nga Drejtoria e Arsimit në Rahovec.

Sipas padisë, paditësja kishte aplikuar në konkursin e shpallur nga DKA-ja në Rahovec, duke iu nënshtruar testimit me shkrim, duke qenë njëra ndër kandidatët, që i kishte plotësuar kushtet e konkursit.

Por, sipas pretendimeve në padi, e njëjta në procedurën e testit me shkrim me qëllim ishte vlerësuar pak, duke mos ia llogaritur përgjigjet e sakta në proporcion me kandidatët e tjerë me qëllim që të mos kalonte në fazën tjetër, sepse sipas saj, do të paraqiste problem në realizimin e qëllimeve të drejtorit të drejtorisë së arsimit në pranimin në punë kandidatëve të paracaktuar.

Tutje në padi, ajo pretendon se në testin me shkrim ka pasur disa pyetje të përpiluara gabim dhe me qëllim të caktuar, pyetjet të cilat sipas saj, i ka përpiluar drejtori i arsimit dhe jo komisioni për zhvillimin e procedurës së konkursit.

Kundër vendimit për listën përfundimtare, paditësja kishte ushtruar ankesë në afatin e rregullt ligjor, duke ofruar një sërë shkeljesh procedurale që kishte bërë komisioni ad- hoc, i themeluar nga Drejtoria Komunale e Arsimit.

Në padi thuhet se Drejtoria Komunale e Arsimit në Rahovec, duke vepruar në kundërshtim me ligjin, udhëzimet dhe të gjitha aktet që rregullojnë procedurat e ankesës, i cakton sipërfaqësisht pa asnjë bazë ligjore, jo profesionale për shqyrtimin e ankesave ligjore, disa persona, kinse janë komision për shqyrtimin e ankesave.

Tuje, në padi thuhet se të njëjtit prapë duke vepruar në kundërshtim me të gjitha ligjet dhe rregulloret dhe duke vepruar joprofesionalisht, sepse të njëjtët nuk kanë as përgatitje as njohuri për procedurat e vlerësimit, duke vepruar sipas udhëzimeve të drejtorit të DKA-së më 14 prill 2021, kthejnë një përgjigje, ndërsa duhej të ishte vendim me të cilin aprovohet apo refuzohet ankesa, në të cilën përgjigje mundohen t’i shpjegojnë ankesat e saj të cilat ishin të shumta.

Po ashtu, paditësja thekson se baza juridike e padisë bazohet në: Ligjin e Punës, Udhëzimin administrativ 07/17, Ligjin për arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës, Ligjin për arsimin në komunat e Republikës së Kosovës, Ligjin për zyrtarët publikë, Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe Kushtetunën e Kosovës.

Andaj, duke pretenduar se e gjithë procedura e konkursit është përcjellë me shkelje procedurale, e manipuluar dhe jotransparente, me preferenca partiake dhe interesa të ngushta personale, paditësja ka paraqitur këtë padi duke kërkuar anulimin e këtij konkursi si dhe masën e sigurisë. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Lajmet e Fundit