11.3 C
Prizren
E premte, 9 Maj, 2025

Arsimi i Prizrenit në peshore të drejtësisë

gjykata peshorejaKa denoncuar shumë raste të keqpërdorimeve dhe shkeljeve në punësimin e mësimdhënësve. Të gjitha rastet e dyshuara tashmë i ka dërguar për hetime në polici. Një status në rrjetin social ”Facebook” dhe më pas një letër e hapur drejtuar Kryeministrit, Kryeparlamentarit dhe Ministrit të Arsimit, nga gazetari Rami Berisha, për punësimet e jashtëligjshme të mësimdhënësve, ka ngjallur reagime të mëdha në Prizren.

Berisha ka publikuar disa shkelje që Drejtoria e Arsimit i ka bërë në largimin dhe punësimin e mësimdhënësve, duke përdorur emrin e Kadri Veselit.

Ai thotë se në Prizren, ata që punojnë dhe ata që janë në pritje të një vendi të punës në arsim, u ka hyrë frika në palcë dhe nuk guxojnë të flasin edhe kur shkelet dinjiteti dhe personaliteti i tyre. Sipas tij, çmimi për një vend të punës në arsim ka arrit deri në 6 mijë euro.

“Në Prizren, në institucionet e vendit po shitet vendi i punës. Çmimi për një vend pune në arsim ka arritur në 6000 mijë euro”, thotë ai.

“Në Prizren një kandidat është pranuar pa intervenime, i ka qeras shokët, por pas dy dite i është thënë gabim të kemi pranuar. Një tjetër është ftuar të shkojë të punojë të hënën, por kur ka ardhur e hëna i është thënë jo tjetër kush është pranuar”, tregon ai.

“Një tjetër e ka paguar “kaparin” 1 mijë euro të pazarit prej pesë mijë eurove për punësim në arsim. Ende nuk është punësuar parat e kaparit nuk i janë kthyer”.

Gazetari Berisha thotë se të gjitha punësimet e jashtëligjshme tashmë janë duke u hetuar nga organet e drejtësisë. Ai shpreson se një ditë do të ndriçohen keqpërdorimet në arsimin e Prizrenit.

Drejtori i Arsimit në Prizren, Nexhat Çoçaj, ndërkaq mohon të gjitha akuzat e ngritura nga gazetari Berisha. Ai thotë se Berisha po merret me shpifje. Çoçaj dhe Berisha janë “pajtuar” që akuzat për punësim me ryshfet dhe me ndikim të Kadri Veselit t’i sqarojnë në gjykatë.

Çoçaj mohon se në punësimin e mësimdhënësve ka dorë Kryeparlamentari Kadri Veseli.

“Sa i përket asaj se DKA po punëson njerëz me urdhra të Kadri Veselit kjo është një shpifje tjetër e radhës”.

Zëvendëskryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i cili është edhe Kryetari i Kuvendit, nuk ka qëndruar indiferent ndaj lakimit të emrit të tij, për ndikimin e tij në punësime në Prizren. Ai ka kërkuar hetime nga Prokuroria. Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit në Prokurorin Themelore në Prizren, Metush Biraj ka pranuar se Veseli ka kërkuar hetime në zbardhjen e lakimit të emrit të tij në punësimin e mësimdhënësve.

Çoçaj thotë se Berisha ka kërkuar t’i punësohet vajza e vëllait.

“Është vet Rami Berisha që ka kërkuar t’i punësohet vajza e vëllait dhe i kam thënë se nuk mund t’i përzihem Komisionit”, tregon ai. Ndërkaq, Berisha pranon se ka kërkuar një nderë nga Çoçaj.

“Është e vërtet, se nga ai, si njeriu i parë i DKA-së në Prizren, i kam kërkuar një nder. I kam kërkuar që të respektohen ligjet e Arsimit”.

Kryesuesi i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, Nait Hasani, thotë ndërkaq se organet e drejtësisë duhet t’i ndriçojnë këto akuza publike.

“Nëse ka diç të tillë duhet organet e drejtësisë të thonë fjalën e vet. Unë nuk po besoj në këto akuza, sepse janë më shumë thashetheme”.

“Por, nëse ka diç, kjo është skandaloze. Drejtësia duhet të fillojë hetimet dhe nëse ka diç të vërtet t’i dënojë kushdo që është, sepse njerëz të tillë kanë ndikuar edhe në migrimin e shqiptarëve”.

“Kushdo që e ka bërë duhet të dënohet, sepse të tillët nuk kanë as etni, as parti”.

Për akuzat e ngritura nga gazetari Rami Berisha, sqarime kanë kërkuar edhe partitë politike. Pozita dhe opozita janë pajtuar që çështja e arsimit të diskutohet në Kuvendin Komunal. Partitë opozitare kanë kërkuar nga kryetari Ramadan Muja, që të shkarkohet nga detyra drejtori i DKA-së, Nexhat Çoçaj. LDK, VV, BD, akuzuan Çoçajn se ka shkatërruar sistemin e arsimit në Prizren.

Lëvizje Vetëvendosje ka kërkuar arrestimin drejtorit të Arsimit në Prizren, Nexhat Çoçajt dhe përshpejtimin e procedurave ndaj tij. Kurse, nga kryetari i kësaj komune, Ramadan Muja, Vetëvendosje ka kërkuar ta shkarkoj nga pozita këtë drejtor.

Sipas VV-së, skandalet e publikuara së fundmi flasin qartë për gjendjen e pashpresë në arsim, degradimi i së cilës filloi nga pushtetet e paraluftës dhe kulmoi në epokën e Nexhat Çoçajt.

“VV në Prizren shpreh habinë për mosveprimin e organeve të drejtësisë për pretendimet e shumta për parregullsi në këtë sektor. Sipas legjislacionit në fuqi, Prokuroria e Shtetit duhej të vepronte me automatizëm, sipas detyrës zyrtare, sa herë që flitet për vepra të cilat cenojnë ligjet në fuqi”, ka thënë Artan Abrashi nga VV në Prizren.

“Gjithashtu Këshilli Prokurorial i Kosovës duhej të vepronte sa herë që ndonjë prokuror nuk i përmbahet funksionit të tij zyrtar. Mirëpo kjo nuk po ndodh edhe kur Prokuroria Publike e Qarkut në Prizren ka zgjedhur heshtjen dhe dorëzimin para krimit, bile edhe në raste kur ka bashkëpunuar haptas me ata”.

“Kjo flet për kapjen e tyre nga krimi. Këtë e dëshmon më së mirë hudhja poshtë e aktakuzave ndaj drejtorit të DKA-së Nexhat Çoçajt nga prokurorja Ervehe Gashi, në këmbim të punësimit të vajzës së saj në Qendrën për Kompetencë në Prizren”

“Keqpërdorimet fillojnë nga shitjet e blerjet e vendit të punës. Këto keqpërdorime fillojnë prej 500 euro deri në 6000”.

Kuvendarët e LDK-së, Mybera Mustafa dhe Haziz Hodaj thonë se PDK-ja ka punësuar njerëzit e partisë në arsim, pa ju nënshtruar konkursit të rregullt.”Drejtoria e Arsimit ka punësuar njerëzit e PDK-së pa konkurs duke degraduar arsimin në këtë vend”, tha Mustafa.

Kuvendari i Bashkimit Demokratik(BD) Skender Susuri ka kërkuar nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja që të ndërrjë drejtorin e Drejtorisë së Arsimit, Nexhat Çoçajn.

Sipas tij, Çoçaj e ka shkatërruar sistemin e arsimit në Prizren.

“Gjendja e arsimit nuk është i mirë. Nexhat Çoçaj e ka politizuar skajshmërish”, ka thënë Susuri.

“Nexhat Çoçaj nuk zbaton ligjet e arsimit. Nuk hapë konkurs për punësime. Kam fakte dhe ato fakte do t’ia dorëzojë Ramadan Mujës në zyre”, ka thënë Susuri në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Prizrenit.

“Ky drejtor duhet të ndërrohet. PDK-ja ka njerëz që mund të bëjnë këtë punë më mirë”.

Drejtori i Arsimit Nexhat Çoçaj, ndërkaq akuzat e opozitës i ka quajtur politike. Ai ka thënë se opozita po shikon vetëm zi.

“Nuk është e vërtet se gjërat në arsim janë vetëm zi”, ka thënë ai.

Në pyetjet e kuvendarëve, ai i ka ikur rasteve konkrete. Gjatë fjalimit të tij më shumë është përqendruar në rregullimin e infrastrukturës nëpër shkolla.

Shantazhi i AAK-së për punësimin e kuvendarit Bujar Nerjovaj

Drejtori i Arsimit Nexhat Çoçaj nuk ka arritur t’i përballojë shantazhit të koalicionit të AAK-së. Ai është detyruar ta punësojë asamblistin e AAK-së, Bujar Nerjovajn, si mësimdhënës në shkollën “Pjetër Budi” në Lugishtë të Hasit.

“PrizrenPress” kishte raportuar se zyrtarët e AAK-së e kanë kërcënuar Mujën se nuk do të votojnë rishikimin e buxhetit për vitin 2015-2017 -të, nëse nuk do t’i punësojë militantët e partisë së tyre.

Punësimi i asamblistit të AAK-së, Bujar Nerjovaj është bërë, një ditë para votimit të buxhetit. Për të siguruar votat e mjaftueshme, ai është detyruar të plotësojë kërkesat për punësim të AAK-së.

Çoçaj në debatin “Ballafaqim” të organizuar nga Forumi Transparenca nuk ka qenë në gjendje të sqarojë mënyrën e punësimit të kuvendarit Bujar Nerjovaj. AAK shantazhin për votimin e buxhetit e ka përdorur për punësimin edhe të anëtarëve të tjerë të partisë.

Kryetari i Prizrenit Ramadan Muja, ndërkaq ka zgjedhur gjuhën e heshtjes për skandalet që kanë ndodhur në largimin dhe punësimin e mësimdhënësve nga Drejtoria e Arsimit. Ai deri më tash nuk e ka thënë së paku një fjalë për këto skandale.

Burimet e “PrizrenPress”-it bëjnë të ditur se kryetari Muja ka zgjedhur gjuhën e heshtjes për shkak se për të gjitha këto skandale ka qenë i njoftuar nga mësimdhënësit e dëmtuar.

“Kryetari Muja ka mbet në pozitë të keqe, sepse ai ka qenë i njoftuar për të gjitha këto skandale, prandaj edhe nuk flet”, tregon me kusht anonimiteti një zyrtar i lartë i Qeverisë “Muja”.

Sipas këtij burimi, shumica e mësimdhënësve që janë larguar jashtëligjshëm nga puna, janë takuar edhe me kryetarin Muja.

“Muja ka pritur thuaja të gjithë mësimdhënësit që janë larguar nga puna jashtëligjshëm në zyre. Ka biseduar me ta, por nuk e di pse nuk ka vepruar”.

“Nuk besoj se kryetari është përfshirë në këto skandale, por ai thjeshtë i ka besuar drejtorit të Arsimit”, tregon ai./PrizrenPress.com/

Më Shumë

I moshuari që u gjet i djegur në veturë është babai i prokurorit Gashi në Prizren

Gjatë ditës së sotme, një 82 vjeçar është gjetur i vdekur në veturën e tij e cila ishte përfshirë nga flakët në fshatin Leshan...

Shtetasi turk theri për vdekje vajzën në Prizren, plagosi gruan dhe vajzën tjetër, Prokuroria atje del me njoftim të ri

Prokuroria Themelore në Prizren ka lëshuar një komunikatë për rastin e rëndë që ndodhi mëngjesin e së martës në Prizren. Bazuar në hetimin fillestar, dyshohet...

Lajmet e Fundit