Gazetari Fahri Musliu ka publikuar në rrjetin social Facebook disa poezi të cilat i ka shkruar në fund të vitit ’70-të .
“Poezitë janë të pa redaktuara.Ndryshe poezitë e para i kam shkruan si maturant i gjimnazit në Prizren, e pastaj edhe si mësues (1967, 68, 69) në fshatin tim, të botuara në gazetën Flaka e Vllazimit të Shkupit”, shkruan Musliu.
BALADA PËR TY
E kërkoj rrugën në sytë e përlotur, dhe këndoj këngën e pafund, në horizontin e pikëllimit.
Sytë më ndihmojnë që ta gjejë atë rrugë, në qetësinë e pacaktuar, të vdekjes sime.
Me kot e thërras diellin, të humbur në ditën tënde, kur trëndafili i zbuluar, u zhduk në iluzion të shuar.
Ngadalë po shndërrohem në të kaluarën dhe i përkëdheli kujtimet, që më përngjajnë në ty…!
(Beograd, nëntor 1974)
KUR TË VDES
Kur të vdes edhe qiellin kam me e mbyllur me dry, ndërsa qiriri ka me qenë i vetmi ngushëllim imi.
Mos u pikëllo për mua, lot mos derdh. Mos ia trego askujt zemrën, të plagosur me pikëllim dhe atë, që me mua ke dashur me qenë e lumtur…!
(Beograd, dhjetor 1974)
JAM LODHUR
I lodhur jam nga këto gënjime, që po ikin, të skuqura nga turpi, aty, pranë meje.
I lodhur jam, dhe përplot dëshirë të trentë që të të mallkoj, dhe që përsëri të shkoj të blejë lule edhe për të njëzetenjëtën herë…!
(Beograd, nëntor 1974)