17.8 C
Prizren
E diel, 26 Maj, 2024

Kryeministri Kurti mori pjesë në hapjen e festivalit folklorik “Hasi Jehon 2024”

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, qëndroi në Gjonaj të Hasit, në hapjen e edicionit të 35-të të Festivalit folklorik “Hasi Jehon 2024”, i cili mbahet në datat 2, 3 dhe 4 në Kodrën e Pajtimit, të fshatit Gjonaj.

Në hapjen solemne të këtij festivali, kryeministri Kurti në fjalën e tij hapëse u shpreh se “Hasi Jehon” ka sfiduar vështirësitë dhe është forcuar nga aspekti i cilësisë, duke bërë kështu që ta marrë epitetin e një prej festivaleve më të rëndësishme të folklorit burimor të trojeve ku jetojnë shqiptarët.

“Për disa dekada ‘Hasi Jehon’ ishte vendtakim kulturor e artistik i shoqërive tona kulturore e artistike” tha kryeministri Kurti.

Teksa foli për ngritjen e kapaciteteve për mbështetjet financiare nga ana e Qeverisë së Kosovës, dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ai premtoi përkrahje në mënyrë të vazhdueshme për ansambletë, projektet e veçanta, studimet, botimet e aktivitetet e ndryshme në të gjithë Kosovën, në nivelin qendror dhe atë lokal.

Këtë vit Festivali folklorik “Hasi Jehon”, feston 35-vjetorin e jetës së tij artistike, dhe si çdo vit tjetër edhe këtë vit vazhdon fuqishëm të sjell program cilësor, të zgjedhur me profesionalizëm dhe të prezantuar me mjaft kujdes nga bartësit tanë të folklorit. Prandaj, si tha kryeministri festivalin “Hasi Jehon” e shohim si aktivitet kulturor të pandalshëm dhe të pandashëm me trashëgiminë tonë kulturore.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Kurti, potencoi se tradita, profesionalizmi, publiku, bashkëpunimi i sinqertë, serioziteti i vazhdueshëm kanë bërë që ky festival të jetë nën mbrojtje dhe përkrahje të shtetit të Kosovës.

Ai shprehu mirënjohjen dhe falënderimin e tij të përzemërta për organizimin, aktivitetet, angazhimin dhe punën e palodhshme të gjithë organizatorëve të festivalit, ndërsa i uroi suksese të gjithë pjesëmarrësve që marrin pjesë me shfaqjet e tyre në festival, e të pranishmëve shikim e përjetim të këndshëm gjatë tre netëve sa zgjatë festivali.

Me këtë rast ai bëri thirrje që në këto tre net të vijnë dhe ta vizitojnë Hasin dhe ta përcjellin festivalin sepse në këtë mënyrë e përcjellin trashëgiminë kulturore gjithandej, pasi që siç e cilësoi edhe kryeministri treva e Hasit është zemra e shqiptarisë.

fotografia e kryeministri

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuari, drejtor i Festivalit “Hasi Jehon”, z.Haziz Hodaj,
Të nderuara shoqëri kulturo-artistike nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali Zi, e nga mërgata jonë,
Të nderuar artdashës,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,

Folklori ynë burimor vazhdon të jehoj për çdo vjet në Hasi Jehon!
“Hasi Jehon” sepse folklori ynë ka jehonë, jehonë e cila nuk është ndalur nga asnjë vështirësi apo sfidë. Fatmirësisht, folklori ynë është ende i gjallë dhe zhvillohet natyrshëm dallueshëm nga vendet e tjera, ku rrallë mund të gjendet aq i pasur e i larmishëm ashtu siç e gjejmë anembanë trevave tona.

Prandaj, edhe popujt e tjerë edhe kulturat e tjera, nuk kanë pushuar së mahnituri me folklorin tonë, me kulturën tonë, me autoktonësinë tonë, e me identitetin tonë, e këtu një kontribut fort të çmueshëm e ka dhënë Hasi, kjo trevë e jashtëzakonshme e popullit dhe kombit tonë mbarë.

Përballë viteve të vështira nga shekulli i kaluar e gjerë më tani, “Hasi Jehon” ka sfiduar vështirësitë dhe është forcuar nga aspekti i cilësisë duke e marrë epitetin e një prej festivaleve më të rëndësishme të folklorit burimor të trojeve ku jetojnë shqiptarët. Tradita, profesionalizmi, publiku, bashkëpunimi i sinqertë, serioziteti i vazhdueshëm kanë bërë që ky festival të jetë nën mbrojtje dhe përkrahje të shtetit të Kosovës.

Për disa dekada “Hasi Jehon” ishte vendtakim kulturor e artistik i shoqërive tona kulturore e artistike. Edhe këtë vit, tradicionalisht, vazhdon fuqishëm të sjell program cilësor, të zgjedhur me profesionalizëm dhe të prezantuar me mjaft kujdes nga bartësit tanë të folklorit. Në këtë vend, në këtë skenë, me vite të tëra përmblidhet, bashkohet dhe festohet trashëgimia jonë e pasur etnokulturore në përgjithësi, e posaçërisht ajo etnomuzikore.

Sivjet festivali mbush plot 35 vite të jetës së tij artistike, dhe të gjithë së bashku, nisur nga ju të zotët e shtëpisë këtu, publiku hasjan dhe mbarë ai shqiptar e i huaj institucionet tona shtetërore dhe të gjithë të tjerët, e shohim festivalin Hasi Jehon si aktivitet kulturor të pandalshëm dhe të pandashëm me trashëgiminë tonë kulturore. Nga puna e juaj na janë shtuar edhe pritshmëritë që ky festival do të zhvillohet e do të pasurohet për çdo vit e më shumë.

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, ka ngritur kapacitetet e mbështetjes financiare për të gjitha sferat e kulturës në mënyrë të vazhdueshme. Duke përkrahur kësisoj në veçanti ansamblet, projektet e veçanta, studimet e ndryshme, botimet dhe aktivitetet në të gjithë Kosovën në nivel qendror dhe lokal. Në të njëjtën mënyrë ne kemi ngritur dhe kapacitetet e reimbursimit në nivel institucional për të gjithë akterët, përfshirë këtu të gjitha institucionet e kulturës dhe në këtë rast profilin e folklorit përmes Ansamblit Vokalo instrumental “Shota”.

Si Qeveri e Republikës së Kosovës do të jemi gjithmonë pranë trashëgimisë sonë kulturore e të pasur, do të ndihmojmë që ajo të ruhet e të dokumentohet, e në këtë formë edhe të kultivohet.
Me urimet më të përzemërta për organizimin, aktivitetet e shumta dhe punën e palodhshme, ne ju urojmë sukses të gjithë pjesëmarrësve, shikim e përjetim të këndshëm të gjithë atyre që do e përcjellin festivalin gjatë tre netëve të tij.

Mirënjohje, falënderim të gjithë atyre që punojnë, që angazhohen për trashëgiminë kulturore, për festivalin “Hasi Jehon”, i cili jehon jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj, jo vetëm për shqiptarët por edhe për të tjerët që i interesojnë për neve përmes kësaj jehone kaq të vlefshme të trashëgimisë tonë kulturore të përbashkët.

Faleminderit, e nga këtu bëj thirrje që sa më shumë qytetarë të Republikës së Kosovës në këto tri net dhe jo vetëm të vijnë t’iu vizitojnë në mënyrë që të marrin nga këtu pak trashëgimi kulturore dhe ta përcjellin gjithandej, sepse treva e Hasit është zemra e shqiptarisë.

Falemnderit!

Marketing

 

“Eli –Edona”, mobilieria me oferta më të mira në Prizren

 

“Guraziu” në Prizren, me 20 vjet përvojë pune në vendosjen e dyerve, laminatit, parketit, kuzhinave dhe dhomave të fjetjes

 

“Adi-Plast” në Prizren, një emër i njohur në tregun e Kosovës dhe ndërkombëtar për vendosjen e dyerve dhe dritareve

 

Banesa në shitje nga Renelual Tahiri  

 

Më Shumë

Në këto vende do të ketë sot ndërprerje të energjisë elektrike në Dragash

KEDS ka njoftuar se sot do të kryhen punime të domosdoshme për siguri të sistemit energjetik dhe si rezultat në disa vende nuk do...

Marina Vjollca rikthehet në ekran për dashurinë e vjetër! Ja ku do ta shohim!

Moderatorja e njohur Marina Vjollca do të rikthehet së shpejti në ekran. Marina pas pauzës në Tv, do të kthehet si moderatore sportive në...

Lajmet e Fundit