23.4 C
Prizren
E diel, 27 Korrik, 2025

Avokatë apo sekserë?!

Dukurive negative dhe të shëmtuara, që kanë lëshuar rrënjë tash e një kohë të gjatë në shoqërinë tonë, si duket nuk i kanë shpëtuar as avokatët e vendit, pasi, sipas njohësve të kësaj fushe, një pjesë e caktuar e tyre e luajnë rolin e dyfishtë me arsyen e vetme; atë të përfitimit, ku shpeshherë i tejkalojnë tarifat e caktuara, duke arritur kësisoj që të realizojnë pasuri e patundshmëri me përmasa të jashtëzakonshme e të paimagjinueshme.

Ndaj, së këndejmi është shtuar edhe dilema se a ka të tillë avokatë që janë në rolin e ‘sekserëve’ të gjyqtarëve ku verdiktet jepen në favor të atij që paguan më shumë. Për këtë dhe atë se sa masa disiplinore e dënime i ka shqiptuar këtë vit Oda e Avokatëve të Kosovës ndaj avokatëve që kanë shkelur ligjin dhe etikën e punës, flet shkrimi në vijim. Profesori universitar Mazllum Baraliu, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se avokatia është një nga hallkat shtyllë e sistemit të drejtësisë me një peshë dhe relevancë jashtëzakonisht të madhe dhe të përhershme.

Sipas tij, funksionimi i saj në baza ligjore dhe në bazë të Ligjit për avokatinë, por edhe në bazë të parimeve etike dhe ligjeve të tjera, do të ndihmonte shumë në forcimin e drejtësisë, ku tashmë të gjithë jo vetëm po e perceptojnë, por edhe po e thonë si opinioni publik vendor, por edhe ai ndërkombëtar, që thjesht drejtësia dhe gjyqësia brenda saj lënë shumë për të dëshiruar.

Nevojitet konsolidim më i madh

Sipas Baraliut, edhe sistemi i avokatisë, si një shërbim shtyllë i drejtësisë, dhe i një natyre specifike privato- publike, është një hallkë e rëndësishme e sistemit të drejtësisë derisa, sipas tij, çdo moskonsekuencë aty ose ndërlidhje e segmenteve të këtij shërbimi me segmentet e caktuara të shërbimeve të tjera dhe të hallkave të tjera institucionale të drejtësisë i bën dëm konsolidimit të shoqërisë tonë, demokratizimit të saj e veçanërisht konsolidimit të sistemit të drejtësisë.

“Prandaj, ajo që jo rrallëherë flitet e përflitet jo vetëm që perceptohet, por edhe konstatohet nga njerëz, por jo gjithherë në mënyrën e duhur ligjore dhe me shkrim se edhe brenda avokatisë ka ngecje e probleme të mëdha dhe ka edhe abuzime të caktuara të segmenteve të caktuara të këtij shërbimi, njerëz të caktuar që punojnë në avokati jo rrallëherë kanë verdikte në procedura, ose verdikte finale të instancave të caktuara gjyqësore, gjë që ishte dashur të ndërpritet puna e avokatisë, gjegjësisht ushtrimi i atij personi, por ja që nuk ndodh”, u shpreh ai.

“Po ashtu, shpeshherë flitet dhe përflitet, thuhet e konstatohet se ata për qëllime të përfitimit, segmente të caktuar, pasi sigurisht se aty ka edhe avokatë me përvojë, dije, përgjegjshmëri e etikë të plotë, por po them për atë pjesën e cila flitet që bëjnë rolin e dyfishtë vetëm e vetëm që të përfitojnë, t’i tejkalojnë tarifat e caktuara dhe bëjnë pasuri e përfitime të jashtëzakonshme, madje për disa thuhet se kanë edhe patundshmëri me përmasa të jashtëzakonshme e të paimagjinueshme, por edhe para e kapital tjetër”, ka thënë më tej Baraliu.

Sipas tij, fakti se kanë kapital e pasuri është krejt në rregull dhe shumë normale, nëse është në frymën e ligjit, por nëse nuk jep kontributin e duhur avokatia në realizimin të misionit kryesor të drejtësisë, plotësimit të së vërtetës materiale, të realizimit dhe të sendërtimit të drejtave deri në pafajësi të qytetarëve, të cilët i drejtohen me apo pa dëshirë këtyre institucioneve, atëherë mund të flasim për një hallkë institucionale që do të duhej të konsolidohej dhe të përmirësohej.

Nëntoka i korruptoi të gjithë

Ndërkaq, analisti Shefqet Dibrani thotë se tashmë po shihet se nëntoka e krimit të organizuar ka arritur që t’i korruptojë dhe t’i shantazhojë edhe institucionet e drejtësisë, madje, sipas tij, me të drejtë mund të dyshohet se edhe një pjesë e mirë e avokatëve janë pjesë e proceseve të ngatërruara, pasi, siç duket, disa sish janë në rolin e sekserëve për shokët e tyre gjyqtarë e prokurorë, ku bashkë me ta ndajnë gjahun, prandaj i bënë me përgjegjësi edhe ata.

” Andaj, kjo gjendje është mjaft shqetësuese, sepse kjo garniturë e involvuar në krim dhe kriminalitet as nuk ndajnë drejtësi, por edhe atë që e bëjnë e bëjnë në mënyrë selektive, gjë që po reflektohet në raste të caktuara, ku në nivel vendi gjendja është shqetësuese, pasi të gjitha raportet vlerësojnë për një gjyqësor të paaftë dhe joprofesional për të qitur drejtësinë në binarë, sepse drejtësia për shtetin është sikurse mjeku për shëndetin e njeriut”, theksoi ai. “Në këtë ndërthurje të interesave të shumta janë implikuar shumë faktorë, derisa në anën tjetër ne nuk mund të presim masa më të ashpra disiplinore nga Oda e Avokatëve, pasi askush nuk na garanton dhe askush nuk është i sigurt, nëse edhe dikush që thirret për drejtësi të mos jenë të involvuar në këto keqpërdorime. Dua të them se ka mundësi të bëhet mirë, por jo në këtë mënyrë”, potencoi Dibrani..

Më Shumë

QMF-ja në Zhur pajiset me autoambulancë – ndihmë më e shpejtë dhe efikase për banorët e zonës

Qendra e Mjekësisë Familjare në Zhur është pajisur sot me një autoambulancë të re, e cila do t’i shërbejë banorëve të kësaj zone dhe...

Arrestohet një person në Rahovec për dhunë ndaj bashkëshortes dhe armëmbajtje pa leje

Një person është arrestuar në Rahovec nën dyshimin për ushtrim dhune fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij. Ngjarja ka ndodhur më 23 korrik rreth...

Lajmet e Fundit