Kandidati i Bashkimit Demokratik për kryetar të Prizrenit, Zafir Berisha, ka komentuar përkrahjen që Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, çdo ditë po ia bënë kandidatit të PDK-së, Ramadan Mujës. Ai ka sugjeruar Ministrin Hoxhaj, që t’i shikojë diplomatët që po dehën nëpër vendet e Evropës, e jo qytetin e Prizrenit. “Nuk i shikon punët e jashtme të Kosovës dhe diplomatët të cilët po dehën nëpër vendet e Evropës, e po ia dëmtojnë imazhin e Kosovës, por vjen në Prizren dhe e përkrah të pandehurin Ramadan Muja, i cili gjithnjë e më shumë po torturon qytetarin e respektuar të Prizrenit”, tha ai.
Sipas tij, ministri Hoxha e ka humbur rrugën në oborr. Berisha së bashku me kandidatët për Kuvendin Komunale të Prizrenit, është takuar me qindra banorë të fshatit Kobajë .
Ai në këtë takim bëri apel te qytetarët që të marrin pjesë në mënyrë masive në zgjedhje “dhe në mënyrë demokratike të dënojnë klasën e korruptuar politike që është në pushtet”.
Ai iu premtoi banorëve të fshatit Kobaj, se do të kenë mbështetje të fuqishme dhe subvencione në bujqësi dhe blegtori, si segmente të rëndësishëm të ekonomisë familjare.
“Pjesëmarrja masive e juaj nëpër takime elektorale është edhe një stimulim shtesë, për ne, që të jemi më të vendosur në rrugëtimin tonë për të mundësuar një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Prizrenit, dhe për këtë garancia dhe shpresa e vetme është numri 74 dhe Bashkimi Demokratik”. /PrizrenPress.com/