19.8 C
Prizren
E diel, 8 Shtator, 2024

Çeku mohon kabllogramet e Wikileaks

AgimCeku5-30

(E plotësuar) Agim Çeku e ka mohuar në mënyrë kategorike të ketë kërkuar që Kosova të ketë Parlament Dydhomësh, njërën dhomë për deputetë serbë dhe tjetrën për deputetë shqiptarë gjatë kohës sa ai udhëhiqte kryeministrinë. Një gjë të tillë ai e ka bërë të ditur për portalin publiku.net, duke hedhur poshtë konkluzionet e tilla.

“Absolutisht nuk është e vërtetë. As që më kujtohet të kem biseduar me dikë lidhur me këtë çështje. Kategorikisht e mohoj një gjë të tillë”, ka thënë Çeku.

Wikileaks: Çeku kishte pranuar Parlament Dydhomësh në Kosovë

Ish-kryeministri i vendit, Agim Ceku, në kohën sa e udhëhiqte Qeverinë e Kosovës ishte pajtuar që Kosova të ketë Parlament Dydhomësh, njërën dhomë për deputetë serbë dhe tjetrën për deputetë shqiptarë.
Kështu thuhet në një kabllogram të Ambasadës Amerikane (ish-zyrës amerikane), botuar nga Wikiliks.
Siç shkruan aty, ideja kishte ardhur nga këshilltari i tij serb joformal nga Kroacia, Milorad Pupovac, emri i të cilit është mbajtur fshehur nga Kabineti i atëhershëm i Çekut.

Pupovac është një nacionalist serb që jeton në Kroaci, ku e udhëheq Këshillin Nacional Serb, të ngjashëm me Këshillin Nacional Serb që vepron në veri të Kosovës.
Ndërkaq, kryeministri i atëhershëm i kishte dhënë përkrahje maksimale idesë që Kosova ta ketë një Parlament, të atillë çfarë e ka Bosnja, por kishte dashur që gjithçka të mbahet e fshehtë nga qytetarët e Kosovës.
Në kabllogram thuhet se tek qarqet ndërkombëtar ideja ishte dhënë nga ish-politikani serb, Nenad Radosavljeviç, i cili “përpos punës së tij si pronar dhe drejtor i TV Mir, gjithashtu ka sugjeruar disa mekanizma, për të cilët ai kishte thënë se do t’i siguronte serbët e Kosovës që në mënyrë efektive të marrin pjesë në institucionet e post-statusit”, transmeton indeksonline.

Ai kishte propozuar që të themelohet Asambleja mbarë Serbe në Kosovë menjëherë pasi të jetë deklaruar statusi, e cila më pas do t’i propozonte kandidatët për “dhomën e komuniteteve” në një Parlament të ri Dydhomësh të Kosovës.
“Kryeministri Çeku është duke e përkrahur në mënyrë diskrete nëpërmjet këshilltarit të tij serb nga Kroacia, Milorad Pupovac. Ne e inkurajuam Radosavljevicin (ish-politikanin serb) që të takohet dhe t’i diskutojë idetë e tij me kryeministrin Çeku, i cili më pas u pajtua”, shkruan në kabllogram.
“Propozimi nuk është ndryshe nga një Kongres mbarë-Serb i cili në mënyrë diskrete është duke u organizuar të ndodhë në dhjetor nga deputeti (serb) i Kroacisë dhe këshilltari jo-formal i kryeministrit Çeku, Milorad Pupovac. Kryeministri Çeku së voni i kishte thënë ambasadorit të atëhershëm amerikan, Wisner, se e përkrah planin e Pupovacit (këshilltarit të tij) si mënyrë për t’i integruar serbët, por ai deshi që kjo çështje të mbahet në një distancë diskrete në mënyrë që mos të njolloset projekti”, thuhet në kabllogram.
Rreth pranimit të Parlamentit Dydhomës nga Çeku në vitin 2006, gjegjësisht në kohën kur ende nuk ishte caktuar statusi final i Kosovës, të mërkurën ka reaguar analisti politik, Shpend Kursani.

Në profilin e tij në Facebook, ai është shprehur i shqetësuar se si në kohën kur po zhvilloheshin negociatat e Vjenës ish-kryeministri Çeku me aq lehtësi kishte qenë i gatshëm që Kuvendin e Kosovës ta ndajë në dy dhoma legjislative
“Këtë ide Agim Çeku ishte munduar ta nëpërmjet Milorad upovac, nacionalistit serb në Kroaci i cili e udhëheqë Këshillin Nacional Serb në Kroaci – formacion i ngjashëm me Këshillin Nacional Serb në veriun e Kosovës që është çerdhe e DSS (Koshtunices), SRS (Sheshelit), SNS (Vucicit), e që udhëhiqet nga Nebojsha Jovici i cili e kundërshton Kushtetutën e Kosovës edhe sot”, shkruan Kursani në Facebook.
Ai e përmend edhe faktin se në kabllogram thuhet gjithashtu se Pupovac sipas ish-ambasadores amerikane, Tina Kaidanow ka qenë këshilltar jo-formal i ish-kryeministrit Çeku, i cili tash është ministër i Ministrisë së Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, përkatësisht, përgjegjës për mbrojtjen e Kosovës nga jashtë.

Në vegzen e mëposhtme mund të lexohet kabllogrami i plotë për Çekun, ish-këshilltarin e tij sekret, dhe pranimin e Parlamentit dydhomësh.

http://www.wikileaks.org/plusd/cables/06PRISTINA924_a.html

Më Shumë

Prizreni vazhdon aktivitetet për shënimin e 26-vjetorit të Epopesë së Vërrinit

Të hënën kanë vazhduar aktivitetet përkujtimore për shënimin e 26-vjetorit të “Epopesë së Vërrinit”, me vizita në lapidarët dhe varrezat e dëshmorëve në fshatin...

Deputetët e Vetëvendosjes nga Prizreni vizitojnë mërgimtarët në Budapest

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) nga Prizreni, Artan Abrashi dhe Arbër Rexhaj, janë në një vizitë në Budapest të Hungarisë. Gjatë qëndrimit të tyre, ata...

Lajmet e Fundit