Shefja e KQZ-së Valdete Daka firmosi memorandume me shumë institucione në përpjekje për të krijuar një ambient më të mirë për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.
Pos ministrisë së Drejtësisë, Daka nënshkroi ujdi me Këshillin Prokurorial dhe atë gjyqësor, Panelin Zyrtar për Ankesa dhe Parashtresa dhe Policinë.
Këto zhvillime po thuhet që sjellin klimë më të mirë kur të votohet, pas një muaji e gjysmë.
“Për herë të parë këto institucione kanë shprehur gatishmëri që të jenë kujdestarë atë ditë, dhe të parandalojnë mundësinë që atë ditë të bëhen manipulime”, theksoi kryetarja e KQZ-së Valdete Daka si mysafire e Kushtrim Sadikut në Info Magazine të Klan Kosovës.
Daka ndër të tjera deklaroi se nga ky moment manipuluesit e zgjedhjeve janë në disavantazh karshi institucioneve të Kosovës.
“Këtë herë institucionet janë një hap para tyre dhe janë më të përgatitur dhe dihen format se si kryhen këto manipulime. Që nuk ka qenë rasti në vitin 2010”, konstatoi e para e KQZ-së përcjell Orainfo.
Por përkundër këtij avancimi po thuhet se një faktor tjetër është garanti më i fortë i zgjedhjeve të lira.
“Nuk garanton proces të lirë dhe demokratik. Nuk varet e gjitha nga kjo anë, varet nga subjektet politike dhe komisionerët e tyre, të cilët në ditën e zgjedhjeve kenë rol të jashtëzakonshëm”, deklaroi Daka.
Kryetarja e KQZ-së bëri të ditur se në fazën e ardhshme KQZ do të verifikojë komsionerët dhe vëzhguesit që do të jenë pjesë e procesit zgjedhor të 3 nëntorit.