16.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Diplomaci me dron

StilolapsiShkruan: Arben Latifi

Vizita e gjashtëdhjetë e tetë viteve më parë ishte një vizitë ndryshe. Pozicioni i Shqipërisë në rajon atëbotë ishte inferior; e sapo dalë nga lufta, e gjendur në mes të një pansllavizmi në njërën anë, nga rreziku i greqizimit në anën tjetër. Nga ana perëndimore mund të thuhet se ishte ”porta’’ më e cënueshme e Bllokut Lindor. Natyrisht se ky inferioritet ndihej edhe në vizitën e Enver Hoxhës në Jugosllavinë e Titos.

Tani, 68 vite më pas, Shqipëria dhe shqiptarët ndodhen në pozicion shumë më të mirë gjeopolitik; Shqipëria në NATO, Kosova e pavarur, të dyja të vendosura si kurrë më parë për një të ardhme evropiane. E rreshtuar mirë politikisht, natyrisht se e ka luksin të bëj vizita edhe në ato vende ku nuk janë të mirëpritur.

Roli që Kryeministri Edi Rama mori në Konferencën e Berlinit në gusht të këtij viti, veç sa e konfirmoi këtë. Realizimi i objektivave dhe konkluzioneve të Konferencës së Berlinit, medoemos duhej të fillonte me një takim të dy kryeministrave, shqiptar dhe serb. Serbia, e rreshtuar politikisht në të njejtën linjë me Rusinë, me projekte politike fashiste e shoviniste qindravjeçare ndaj fqinjëve e sidomos ndaj shqiptarëve, sigurisht që s‘mund të ofroj bashkëpunim rajonal dhe stabilitet në Ballkan e lëre më të flitet për evropianizimin e tij.

Dhe kaluan muaj e erdhi tetori. Vizitës së 22 tetorit, e caktuar qysh prej Konferencës së Berlinit, i paraprinte një ndeshje futbolli midis dy kombëtareve, të Shqipërisë dhe Serbisë. Por, vet kjo vizitë i paraprinte nje vizite tjetër, asaj të Kryeministrit të Rusisë Vladimir Putin në Serbi.

Ndeshja ishte caktuar, me kërkesë të Federatës së Futbollit të Serbisë, të zhvillohej pa praninë e tifozëve shqiptarë (me gjasë serbët i dinin të metat e tyre). Lojtarët dolën në fushë, u priten si mos më keq. U kënduan këngë çetnike nga tifozët, “u shurdhua” hymni shqiptar nga koret raciste të tifozëve, u nëpërkëmb flamuri shqiptar, u bënë thirrje fashiste dhe raciste si “vdekje e shqiptarëve’’, “vrisni shqiptarët”. E megjithatë ndeshja filloi, ndërkaq që thirrjet raciste s’kishin pushuar. Filluan të hidheshin edhe gjësende në fushë nga tifozët, për ç‘gjë u ndërpre edhe ndeshja. Fluturoi edhe një dron me një hartë të Shqipërisë Etnike dhe dy figurave emblematike të kombit shqiptar. Gjithë urrejtja për një komb të tërë, që deri atëherë në fushë ishte shfaqur me fjalë fyese, filloi të shfaqej edhe fizikisht. Vërshuan tifozët në fushë, ushtruan dhunë ndaj lojtarëve të kombëtares shqiptare, e cfare nuk u bë tjetër.

E ndodhur në këtë situatë të papritur (që mund të jetë edhe e pritur; mund ta kenë bërë vet serbët në funksion të vizitës së Putinit), Serbia u kujdes ta bënte çështjen politike; u tha që droni ishte komanduar nga vëllai i Kryeministrit të Shqipërisë. Vërshuan deklaratat e lidershipit serb që u shëmbëllenin thirrjeve të tifozëve. Të gjitha ato thonin se si serbët paskeshin qenë provokuar nga shqiptarët përmes një droni, gjë që në vendet perëndimore do të quhej vetëm si gjest interesant sportiv. Ngjarja mori jehonë. U tha e u shkrua gjithkah për dronin, në mediat vendore e ndërkombëtare; u tha se e bëri vëllai i Kryeministrit Rama; u tha se e bënë vet serbët; u tha se e bëri Ballisti; e thanë të tjerë se e bëmë ne. Gjithcka flitej vetëm për dronin. Thuajse raportet ndërmjet dy vendeve vareshin nga ai dron, nga autori i tij. U harruan gati krejtësisht thirrjet raciste dhe gjithë çka ndodhi në stadium, që vetëm futboll nuk kishte. Besoj që çdo shqiptar do të jetë ndier i fyer nga ato që ndodhen atë ditë dhe ditëve në vijim. Duhet të jetë fyer edhe Kryeministri Rama, edhe si shqiptar edhe si përfaqësues i gjithë shqiptarëve të fyer.

Krejt kjo ndodhi në prag të vizitës së Edi Ramës në Serbi. E thanë gati të gjithë se duhej të anulonte vizitën. Por, ai ishte i vendosur të shikonte përpara dhe të realizonte vizitën. Tregoi se nuk po shkonte veç si një kryeministër i një vendi, tregoi se kishte marrë përsipër të barte edhe një pjesë të agjendës evropiane, na tregoi të gjithëve se është lideri më i kompletuar në rajon.

Në këtë situatë, politika e Serbisë, në mes agjendës të saj evropiane dhe para një takimi me Vladimir Putin, e kishte të vështirë të priste në takim Kryeministrin e Shqipërisë. E gjendur gjithmonë midis Evropës dhe Rusisë, nuk mund të pranonte kurrsesi faktorizimin e popullit shqiptar, nuk mund të pranonte një lider shqiptar që i ishte dhënë një rol prijës në Ballkanin Perëndimor për të shtyrë përpara një pjesë të agjendës evropiane të përcaktuar në gushtin e këtij viti në Berlin. Kështu pra, Serbia ishte gati të anulonte takimin me Edi Ramën edhe për faktin se nuk mund t’i thoshte pas dy ditësh Putinit se Serbia ka vendosur t’i shkoj deri në fund agjendës evropiane. U desht ndërhyrja dhe presioni ndërkombëtar që të takimi të mos anulohej. Kështu, Serbia zgjodhi një rrugë të ndërmjetme. Pranoi të shtynte takimin.
Erdhi edhe 10 nëntori dhe takimi u realizua. Kryeministri i Shqipërisë e tha aty ku duhet dhe aty ku është më vështirë të thuhet, në Beograd, në Pallatin Serbia; “Kosova është shtet i pavarur dhe një realitet krejt i pandryshueshëm; se shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të gëzojnë të drejta sa serbët e Kosovës; që shqiptarët kudo që ndodhen duhet t’i kenë të drejtat e garantuara“ dhe la të kuptohet se marrëdhëniet ndërmjet dy popujve ndërtohen mbi bazën e këtyre realiteteve. Kurse, Kryeministri i Serbisë Vuçiç, tregoi se Serbia nuk është ndarë nga e kaluara e saj e errët e që është po ajo që ka qenë; me projektin “Serbia e Madhe“ në sirtar, me urrejtjen patologjike ndaj shqiptarëve dhe me flatra të kthyera nga Rusia.

E, se kush e hodhi dronin në stadium, tani, pak kush mund ta di. Koha do ta tregoj se kush e bëri. Deri atëherë, ngjarjet e muajit të fundit do të kujtohen për tri gjëra; për “mikpritjen serbe“ dhe të Kryeministit Vuçiç; dronin si “dron shqiptar” dhe; një “dorë e fortë“ e diplomacisë shqiptare.

Më Shumë

Ndahet nga jeta në moshën 92-vjeçare shkrimtarja kanadeze dhe fituesja e çmimit Nobel, Alice Munro

Autorja kanadeze, Alice Munro, fituese e çmimit Nobel për Letërsinë në vitin 2013, ka vdekur në moshën 92-vjeçare. Munro shkroi tregime të shkurtra për më...

Bayern dëshiron ta mbajë Tuchel-in si trajner

Pas një kthese të befasishme, Bayern Munich thuhet se dëshiron të mbajë Thomas Tuchel-in si trajner. Në shkurt, Bayern njoftoi se do të ndahej me...

Lajmet e Fundit