0.3 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Diplomacia në shtëpinë e Pashës në Prizren

Nijazi Kryeziu dhe Enver HoxhajNjë objekti në qendër të pjesës së vjetër të qytetit të Prizrenit po i rikthehet fama që kishte qysh në vitin 1878, në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Atëbotë, shtëpia e Shuaip Pashë Spahisë ishte konaku më i bukur në Prizren. Ndërsa, pronari i këtij konaku, vet Shuaipi ishte zgjedhur ministër i Ekonomisë dhe Financave i Qeverisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Për shkak të bukurisë që kishte shtëpia e tij dhe nevojës së asaj qeverie për asete, Shuaip Pasha kishte vendosur që konakun e tij t’ia falë Qeverisë. Pak vite më vonë, në këtë shtëpi, ishte vendosur misioni diplomatik austro-hungarez. Ndërsa, vite më vonë, shtëpia e ministrit ishte shfrytëzuar edhe nga aktori i njohur shqiptar Bekim Fehmiu i cili ka jetuar për një periudhë të jetës së tij në këtë ndërtesë. Këtë fakt, Fehmiu vet e ka të theksuar në autobiografinë e tij. Prej dekadash, pas shfrytëzimit të ndërtesës nga ana e Fehmiut, ajo kishte filluar të dëmtohej deri në rrënim, ndërsa disa herë persona të pandërgjegjshëm kanë tentuar ta ndezin. Në shkatërrim e sipër të objektit, Kuvendi Komunal i Prizrenit më në fund ka reaguar për ta shpëtuar. Kështu u vendos që ky objekt dhe prona rreth tij të shpallet në interes të përgjithshëm dhe të shpronësohet. U propozua edhe kompensim për familjen që është trashëguese e kësaj prone. Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prizrenit, i cili nënshkroi vendimin për shpalljen në interes të përgjithshëm të objektit në fjalë, Nijazi Kryeziu, ka treguar për Tribunën për rëndësinë e këtij objekti dhe procedurat që janë ndjekur deri në marrjen e objektit në pronësi të Komunës.

Kryeziu ka shpjeguar se Kuvendi Komunal, kur ka vendosur ta marrë objektin nën pronësi, e kishte parasysh idenë që atë objekt t’ia jep në shfrytëzim Akademisë Diplomatike të Kosovës. “Me vendim të Kuvendit Komunal, ai objekt i është dhënë në shfrytëzim Akademisë Diplomatike të Kosovës. Ajo pronë ku do të vendoset Akademia Diplomatike në fakt është shpallur zonë me interes të veçantë dhe komuna e ka tani në pronësi. Edhe pse ende juridikisht prona është në kontest pronësor me familjen që e ka poseduar si trashëgimtare atë pronë. Por ne në Kuvendin Komunal kemi marr vendim për shpronësim si dhe kompensim të asaj prone me interes të përgjithshëm. Pra ligjërisht qëndrojmë mirë”, ka thënë Kryeziu.
Fazën e parë të renovimit të objektit e ka financuar vet komuna e Prizrenit me buxhet të saj, si pronare legale tanimë e shtëpisë. “Renovimi fillestar i rimëkëmbjes së shtëpisë së vjetër është kryer nga Komuna. Tani po kryhet faza finale e punëve, apo pjesa dekorative e objektit. Objekti po bëhet afërsisht ngjashëm siç ka qenë atëkohë kur është ngritur, me ato dizajne klasike. Punët finale të objektit tani janë nën organizimin dhe financimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme si shfrytëzuese e objektit”, ka thënë Kryeziu,shkruan Tribuna.

Shtëpia e Shuaip Pashë Spahisë i cili ka qenë ministër i Ekonomisë dhe Financave i dalë nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit është bërë e famshme kur vet Spahija siç thuhet ia ka dhuruar Qeverisë së atëhershme shtëpinë e tij si seli për shkak se thuhet se ajo shtëpi ishte konaku më i mirë në Prizren. “Për një kohë të gjatë, pas lidhjes shqiptare të Prizrenit, kjo shtëpi thuhet se ka shërbyer si seli diplomatike e austro-hungarezëve”, ka thënë ai.
Kryeziu është i bindur se Akademia Diplomatike do t’ia kthejë Prizrenit namin e dikurshëm dhe dinjitetin si një qytet që do të përgatisë diplomatët e rinj të Republikës së Kosovës por edhe diplomatë që do të shkollohen aty nga Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit. “Qysh e kemi ne Akademinë e brishtë, pra të re, sikur qysh e kemi edhe diplomacinë e re, besoj shumë se kjo Akademi Diplomatike e vendosur në një vend me histori diplomatike, do tu ndihmoj gjitha trojeve shqiptare. Ky projekt do ta ketë mbështetjen e komunës për të gjitha nevojat që ka”, ka thënë Kryeziu.

MPJ në pritje për dislokimin e Akademisë Diplomatike në Prizren

Akademia Diplomatike e Kosovës e cila pritet të vendoset në objektin që tashmë e ka nën shfrytëzim në Prizren, tanimë ka filluar punën e saj gjatë këtij viti. Deri tani janë organizuar një sërë trajnimesh, të ofruara ekskluzivisht nga institucione me renome botërore në fushën e diplomacisë. Siç ka treguar Artan Behrami, drejtor i Zyrës për Informim në Ministrinë e Jashtme, Akademia Diplomatike e Kosovës aktualisht posedon një zyrë në kuadër të ndërtesës së Komunës së Prizrenit si dhe ka një kontakt zyrë në kuadër të MPJ-së, prej nga zhvillon kontaktin e drejtpërdrejtë me administratën e MPJ-së si dhe me institucionet ndërkombëtare në Prishtinë. “Meqë ndërtesa e Shuaip Pashës ende nuk është e përfunduar nga ana e brendshme, dhe duke qenë se janë të nevojshme mjete financiare për ta funksionalizuar, mbetet të funksionojmë nga dy qendra”, ka thënë Behrami. Ai ka treguar edhe se si kanë ardhur deri tek vendosja për marrjen në shfrytëzim të shtëpisë së Shuaip Pashës në Prizren. “Duke kërkuar ndërtesë reprezentative për të vendosur Akademinë Diplomatike, ndërtesa e Shuaip Pashës na është propozuar nga autoritetet e Kuvendit Komunal të Prizrenit. Meqë është në qendër të pjesës së vjetër të qytetit, jo larg shatërvanit, mendojmë se Akademia Diplomatike e situuar në Konakun e Shuaip Pashës, do të mbaj epitetin e një institucioni prestigjioz”, ka thënë Behrami.

Aktualisht, për shkaqe të mungesës së financave, Akademia Diplomatike ka pak staf, ndërsa Ministria e Jashtme po përgatitë bazë të re ligjore për ta funksionalizuar sa më shumë dhe për të shtrirë aktivitetin e Akademisë dhe për të ngritur kapacitetet diplomatike të vendit përmes përgatitjes së kuadrove të reja. “Akademia Diplomatike udhëhiqet nga Drejtori i saj. Për shkaqe buxhetore, ajo do të vazhdon që edhe gjatë vitit 2014 të ketë dy zyrtarë të lartë dhe një asistent. Meqë është punuar drafti i parë i Ligjit për Akademinë Diplomatike i cili do të ngritë kapacitetet e kuadrit, pretendojmë që të trajnojmë numër optimal të diplomatëve junior, ata me gradë të mesme dhe diplomatë sendor”, ka thënë Behrami. Pëër ti realizuar këto qëllime, Behrami ka thënë se tashmë janë nënshkruar Memorandume të Mirëkuptimit me shume institucione prestigjioze ndërkombëtare, si: Instituti Diplomatik Holandez – Clingendael (MoU trevjeçare); Institutin e MPJ-së së Kroacisë; Marrëveshje me Akademinë Diplomatike të Vjenës, etj. “Akademia ka punuar strategjinë e punës dhe kurrikulen e saj, si dhe ‘induction cours’ për diplomatët që do të shkojnë në misione diplomatike”, ka thënë Behrami.

Më Shumë

Komuna e Prizrenit merr vendim që tri hapësira parkingjesh të vihen në shërbim të mërgimtarëve

Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit ka njoftuar se tri hapësira parkingjesh do të vihen në shërbim të mërgimtarëve gjatë festave të...

Ylli shkëlqen ndaj Tiranës

Golden Eagle Ylli fitoi përballjen ndaj Tiranës me rezultat 87:59 (32:12, 16:22, 26:14, 13:11), në javën e parë të Ligës Unike. Te vendasit u dalluan...

Lajmet e Fundit