Donika Gërvalla, vajza e Jusuf Gërvallës, nuk do të jetë pjesë e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Këtë, e ka thënë vet Gërvalla në rrjetin social të Facebook. Thotë se e di qe disa prej njerëzve janë të zhgënjyer nga vendimi i saj, por që kërkon mirëkuptimin e të gjithëve.
Më poshtë po e sjellim vendimin e plotë të Donika Gërvalla- Schwarz
Të nderuar miq,
gjatë muajve të fundit jam pyetur nga një numër i madh njerëzish – qytetarë të thjeshtë dhe aktivistë të LDK-së, jo pak prej tyre e kanë kërkuar madje me ngulm nga unë, se a do të kandidoj për deputete në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Lista e LDK-së vendoset sot dhe nesër dhe unë nuk do të jem pjesë e kësaj liste. Jam e ndërgjegjshme që disa prej jush do të ndihen të zhgënjyer nga vendimi im, shpresoj megjithatë që shumica të më kuptojë:
1. Lidhjes Demokratike të Kosovës i uroj sukses në këto zgjedhje. LDK, me virtytet që përfaqëson, fuqinë e saj elektorale, potencialin e jashtëzakonshëm në radhët e aktivistëve të saj, por edhe me të gjitha dobësitë që mund të manifestojë, është në rrethanat aktuale megjithatë zgjidhja më e mirë për Kosovën. Lidhja Demokratike e Kosovës duhet ta qeverisë vendin pas datës 8 qershor 2014.
2. Një kandidim i imi në këto zgjedhje në listën e LDK-së është i pamunduar. Arsyeja ime për këtë është mungesa e guximit të drejtuesve të LDK-së për të përjashtuar qartë dhe me vendosmëri – para zgjedhjeve – çdo kompromis me përfaqësues të krimit dhe korrupsionit nga të gjithë krahët e mundshëm.
3. Elektorati i LDK-së mund të votojë megjithatë qartë kundër krimit dhe korrupsionit, të cilat po e mbajnë peng çdo zhvillim të vendit. Votuesit do të mund t’ia japin votën e tyre 5 kandidateve dhe kandidatëve të guximshëm në qëndrimet e tyre, të shquar në profesionalitetin e tyre dhe të tillë ka plot në listën e LDK-së. Unë njoh shumë prej tyre dhe sidomos atyre iu uroj të gëzojnë një mbështetje masive.
Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të gjithë mbështetësve të saj iu uroj të fushatë zgjedhore të guximshme dhe pa kompromise të dëmshme. Në mënyrën time do të mundohem të ndihmoj që vendi ynë të ketë një të ardhme më të mirë.