Njëzet drejtorë dhe tetë zëvendësdrejtorë të shkollave në Prizren, kanë mbetur peng i dështimit të vazhdueshëm të konkursit.
Ky konkurs nuk ishte shpallur nga Drejtoria e Arsimit në këtë komunë, por nga Zyra e Personelit.
Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, e kishte quajtur të jashtëligjshëm dhe kishte kërkuar anulimin e konkursit.Një veprim i tillë, sipas drejtorit të DKA-së në Prizren, Nexhat Çoçaj, vë në pah kundërshtimet e ligjit për shërbyesit civilë dhe ligjit për arsimin parauniversitar.
Por, Isa Gashi nga Zyra e Personelit, duke mos dashur të flasë para kamerës, ka thënë se çdo gjë po shkon si duhet sa i përket këtij konkursi, derisa ka shtuar se ai i raporton vetëm kryetarit Ramadan Muja,transmeton KTV.
Ndërkaq, në Ministrinë e Arsimit nuk kanë sqaruar se pse në komunën e Prizrenit është Zyra e Personelit ajo që zgjedh drejtorët e zëvendësdrejtorët, edhe pse ata duhet t’i japin përgjegjësi Drejtorisë së Arsimit.
Ndërkaq, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren Sylë Hoxha, ditë më parë ka konfirmuar hetimet që janë duke u zhvilluar për hapjen dhe mbylljen ‘maratonike’ të konkursit për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë të shkollave në këtë qytet.
Ai tha se personalisht ka kërkuar hetimin e këtij konkursi.
“Unë kam kërkuar hetimin e këtij konkursi”, pat thënë Hoxha për “PrizrenPress”. Ai tha se hetimet janë duke u zhvilluar nga policia.
“PrzrenPress” ka raportuar se Policia në kordinim me Prokurorinë në Prizren, kanë filluar hetimet për të zbardhur shkeljet e mundshme ligjore, që mund të jenë bërë gjatë hapjes dhe mbylljes së shpeshtë të konkursit për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë të shkollave.
Burime bëjnë të ditur se për këtë rast tashmë janë intervistuar edhe disa kandidatë të konkursit dhe zyrtarë të Komunës së Prizren.
“Ka disa ankesa të kandidatëve për shkelje ligjore të konkursit për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë të shkollave,prandaj edhe kemi filluar hetimet për të shikuar se a ka pasur apo jo shkelej ligjore”, tregon burimi brenda Policisë në Prizren.
Zyra e Personelit në Prizren, brenda një kohe të shkurtër ka hapur dhe mbyllur disa herë konkursin për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë të shkollave. Kandidatët që kanë konkurruar në këto konkurse konsiderojnë se mbyllja e tyre ishte bërë në kundërshtim me ligjin. Ata janë ankuar në organet e drejtësisë se nuk i din as arsyet pse është hapur e mbyllur kaq shpesh konkursi për këto poste të shkollave.
Zyra e Personelit në Prizren, muajin e kaluar ka zgjedhur disa zëvendësdrejtorë të shkollave, ndërkaq që drejtorët ende nuk janë zgjedhur.
Zëvendësdrejtorët e shkollave nuk kanë filluar punën, për shkak ankesave të kandidatëve të tjerë të konkursit./PrizrenPress.com/