21.8 C
Prizren
E hënë, 20 Maj, 2024

“Drekat shqiptare”, një prezantim i kulturës mbarëshqiptare

Drekat shqiptare-sofraÇdo ushqim i mirë e ka një histori. Traditat, zakonet, mikëpritja si virtyt, veshjet tradicionale, këto janë historia që secili has kur vjen në trevat shqiptare.

E një emision po angazhohet që të shpërfaqë gjithçka, nga kjo kulturë, histori e gastronomi shqiptare.

Emisioni “Drekat Shqiptare” është një tip dokumentari i punuar në disa faza ku njëherit si ide sipas producentit Trim Musliut ka ardhur në kohën e 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar.

Producenti i këtij emisioni, Trim Musliu, tregon për KultPlus se ky është edicioni i tretë i emisionit “Drekat Shqiptare” që në këtë sezon kryesisht fokusohet jashtë Kosovës.

“Kur po them jashtë Kosovës, do të thotë se do të xhirojmë episode edhe në diasporë e njëra nga këto episode do të jetë në Zvicër. Këtë herë do t`i japim fokus më të veçantë diasporës për arsye që ta bëjmë pjesë tonën, që ti përfshijmë edhe shqiptarët tanë atje në projektet tona”, tha Musliu.

Emisioni, sipas Musliut ka shikueshmëri sepse përfshin grupe të ndryshme njerëzish, me temë kryesore shpalosjen e ushqimeve shqiptare, por duke mos lënë anash as muzikën, veshjet, traditën, kulturën e folklorin.

Pasi që këtë sezon “Drekat Shqiptare” do të fokusohet në diasporë, Musliu tregoi se nuk gjeti mbështetje nga Ministria e Diasporës, nga e cila u nda shumë i zhgënjyer.

“Kishim një takim me Ministrinë e Diasporës dhe ata nuk e panë të arsyeshme që të na financonin, sepse menduan se ka gjëra më të rëndësishme. Ne si produksion mbetëm shumë të zhgënjyer me ta sepse ky është emision i cili promovon diasporën dhe njerëzit atje. Ka njerëz e personazhe që i kemi zbuluar gjatë kohës sa kemi qenë atje, njerëz kreativë e që kanë suksese në jetë. Këtu askush nuk i ka promovuar” shton Musliu.

Ky emision realizohet me ndihmën e Digitalbit, i cili sipas Musliut është përkrahësi i vetëm deri më tash dhe është platforma ku edhe transmetohet ky emision.

Agim Poçari, Drejtor i Programacionit në Digitalb, thotë për KultPlus se është mjaft i kënaqur me punën që bënë Musliu dhe bashkëpunimi me të do të vazhdojë edhe më tutje.

“Shumë e suksesshme është ideja e çunave, ide kjo që është përkrahur nga ne si Digitalb. Janë gjithsej dhjetë episode që do i realizojmë për këtë sezon, pasi që ishim në vende të ndryshme të Kosovës. Më vonë, si ide e kemi zgjerimin e xhirimeve edhe jashtë trevave shqiptare dhe patjetër që duam të prekim edhe vendet tjera shqipfolëse” tha Poçari.

Trim Musliu tregoi se ekipi interviston familjet, bisedon me njerëzit dhe artistët, krijuesit, me komunat e bashkësitë të cilat i vizitojnë, drejt storieve e tregimeve më atraktive për publikun. Ai tregoi se në fillim të emisionit ka pasur pak vështirësi por tashmë ato nuk ekzistojnë sepse njerëzit veç e njohin “Drekën Shqiptare” dhe ka mirëkuptim kudo që shkon.

“Ky emision do të zgjasë minimumi edhe për katër ose pesë vite si i tillë, do të thotë me dreka, pastaj do të vazhdojmë edhe me artizanate dhe gjëra të ndryshme të cilat mendoj që janë harruar nga ne dhe nga ministritë”, përfundoi Musliu.

Xhirimet përpos në diasporë do të jenë edhe në Mal të Zi, Shqipëri, Maqedoni dhe Turqi.

Më Shumë

Prizren, deklarohen rreth fajësisë dy të akuzuarit për rastin e aksidentit fatal nga gara në autostradë

Gjykata e Prizrenit ia ka ndëprerë paraburgimin Arlind Sylës, njërit prej të akuzuarëve për aksidentin tragjik në një garë automobilistike që ndodhi më 2023...

Dëshmia e trishtë e vajzës së ish-kolonelit të Zogut: Mua dhe motrën na çuan në Belsh

“Kur unë isha vetëm pesëmuajshe, na morën në shtëpi, na hipën në një makinë dhe na çuan fillimisht në kampin e Beratit. Nënës i...

Lajmet e Fundit