11.8 C
Prizren
E enjte, 18 Prill, 2024

Dy familje skamnore me të sëmurë në Planejë të Hasit, vizitohen nga drejtoresha e re e shëndetësisë në Prizren

Dy familje me mbiemër Shigjeqi në fshatin Planejë të Hasit, jetojnë në kushte të rënda banimi, ndërsa kanë edhe pjesëtarë të familjes që vuajnë nga sëmundje të ndryshme. Gjatë ditës së premte, këto familje janë vizituar nga drejtoresha e re e Shëndetësisë në Prizren, Flaka Siqeca.

Familja 6 anëtarëshe e Shefki Shigjeqit nga Planeja, jeton në një shtëpi të vjetër banimi dhe përballet me halle të natyrave të ndryshme. Përveç gjendjes së rëndë ekonomike, shtylla kryesore e familjes vuan nga probleme të ndryshme shëndetësore, dhe ai e ka të vështirë të sigurojë medikamente e as që bëhet fjalë të jetë i aftë fizikisht për të punuar dhe për të mbajtur gjallë familjen e tij me fëmijë të vegjël. Pothuajse në të njëjtën gjendje ndodhet edhe familja 6 anëtarëshe e Aziz Shigjeqit.

Kryefamiljari thotë se probleme shëndetësore në familjen e tij kanë bashkëshortja dhe një fëmijë, dhe në një objekt jo fort të përshtatshëm për banim ata mbijetojnë nga pensioni invalidor i familjarëve tjerë, pa të ardhura tjera materiale. Për të parë gjendjen reale të këtyre familjave, tre ditë pas emërimit në pozitë , drejtoresha e Shëndetësisë në Prizren, Flaka Siqeca, nuk kishte hezituar të vizitojë këto familje e shoqëruar nga koordinatori i këtij sektori, Nexhip Berisha.

Pas bashkëbisedimit me familjarët, ajo shprehu gatishmërinë e saj për të ofruar ndihmë në bazë të mundësive që ka komuna për të sëmurit e këtyre familjeve, si dhe tha se do të informoj edhe organet tjera kompetente për problemet sociale me të cilat përballen këto familje. Këtë vizitë të drejtoreshës Siqeca, e vlerësuan lartë kryefamiljarët, të cilët mbeten me shpresë së do të kenë përkujdesje më të duhur shëndetësore për anëtarët e sëmurë të familjeve të tyre dhe për vetë ata.

Vlen të përmendet se vitin e kaluar me material ndërtimor është ndihmuar nga komuna familja e Shefki Shigjeqit, si dhe nga një person vullnetarisht, por përveç ndërtimit të objektit, në mungesë të mjeteve materiale e ka të pamundur hyrjen në shtëpi të re për një jetë më të dinjitetshme. Ndërsa për mbështetje në rregullimin e çështjes së banimit, ka nevojë edhe familja e Aziz Shigjeqit./tv prizreni/

Më Shumë

Lajmet e Fundit