Prof. Gani Rudaj
Artet përfshijnë çdo aktivitet të krijuar nga faktori njeri. Secili art ka qëllime komunikuese që shprehin ide. Në shekullin XX kemi një ndarje të arteve që u hartua fillimisht nga poeti italian Riccioto Canudo në vitin 1923 dhe më pas u zgjerua nga kritiku francez Claude Beylie në vitin 1964.
Skulptura është një degë e artit pamor tredimensional. Ajo është një prej arteve plastike. Një skulpturë e punuar në gurë mbijeton më mirë se sa disa vepra të tjera të punuara në materiale, të cilat prishen më lehtë.
Emri statujë që ndryshe këtë emërtim mund ta njohim edhe si
Shtatore ose trupore, është skulpturë e lirë në të cilën paraqiten figura të gjera realiste të personave dhe këto bëhen të gdhendura në një material të qëndrueshëm si druri, metali apo guri.
Statujat tipike janë të përmasave reale të jetës ose afër madhësisë reale. Një skulpturë që përfaqëson personin në figurë të plotë dhe atë me përmasa dukshëm më të vogla se ato reale, atëherë ajo quhet statoretë, ndërsa një shtatore me përmasa dukshëm më të mëdhaja se e përmasave reale, quhet statujë kolosale.
Statujat janë prodhuar në shumë kultura që nga parahistoria e deri në ditët tona. Statuja më e vjetër e njohur deri më tani daton rreth 30.000 vite më parë. Shumë statuja janë vendosur në vende publike si një formë e artit publik.
Statuja Uniteti është shtatorja më e lartë në Botë dhe është me një lartësi prej 182 m. dhe ndodhet pranë digës Normada në Gujarat që është në Indi.
Secili shtet, secili komb dhe qytet, krenohet kur aty është një bust ose një skulpturë. Pos njohjes profesionale që duhet ta ketë skulptori, ai duhet të ketë njohuri të mjaftueshme për historinë e filozofinë e atij populli.
Qyteti i Prizrenit, në muajin nëntor u pasurua me një skulpturë të bukur të Gjergj Katriotit – Skënderbeut. Autori i kësaj vepre të bukur është skulptori z. Sinan Aliaj.
Ky është një skulptor me ambicie të mëdha pune. Veprën e punoi nga këndvështrimi i tij. Me këtë vepër ai mes të tjerash bëri një parantezë për popullin shqiptar kudo që është. Kjo skulpturë bëri që populli ynë, sidomos ai prizrenas, të dalë nga skotoma.
Komentet në lidhje me këtë vepër ishin të llojllojshme. Shumica që komentonin ishin kundër në lidhje me vendin se ku është vendosur skulptura. Mbase edhe kishin të drejtë, por ky problem nuk ka fare të bëjë me anën profesionale të skulptorit.
Me këtë problem duhet të merret KK e Prizrenit. Disa të tjerë shprehnin mendime në lidhje me pamjen e kryeheroit tonë. Dikush tha se fytyra e GJERGJ KASTRIOTIT as që i përngjan atij, e shumë komente të këtij lloji.
Shumica prej këtyre që dhanë mendime negative për skulpturën ishin laikë në këtë fushë. Disa të tjerë ishin të helmuar nga xhelozia dhe flisnin me gjuhën e saj. Një gjë po harrojmë se në Kosovë nuk është vetëm ky djalosh skulptor, kemi edhe të tjerë.
Aty është dashur të mblidhen të gjithë skulptorët vendorë dhe të huaj dhe të japin mendimet e tyre profesionale. Mjafton të them se skulptori Aliaj mori guximin për të bërë një punë madhore të tillë.
Skulptura nxori Prizrenin nga errësira, ajo i dha shkëlqim qytetit. Autorit i lumtë dora e mendja!
Faleminderit ARTIST!