3.6 C
Prizren
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

“EC Ma Ndryshe” kundërshton grumbullimin e të hollave nga nxënësit

Ec Ma Ndryshe Elmendina BaxhakuOrganizata Joqeveritare “EC Ma Ndryshe”, gjatë muajve të kaluara ka pranuar ankesa individuale nga prindërit e nxënësve në lidhje me mjetet që kërkohen nga menaxhmentet e shkollave publike të Prizrenit për pagesën e sigurimit fizik, mirëmbajtjes, rregullimit të sanitarive apo pagesa tjera shtesë. Monitoruesja Elmedina Baxhaku tha se prindërit janë ankuar edhe për mungesë të transparencës në menaxhimin dhe shpenzimin e këtyre mjeteve shtesë.

“EC Ma Ndryshe” përmes mekanizmit të qasjes në dokumentet zyrtare ka kërkuar informata nga Drejtoria Komunale për Arsim rreth kësaj praktike. DKA-ja e ka arsyetuar atë me ekzistimin e “Udhëzimit Administrativ nr. 28/2012 të datës 31.10.2012, që ka të bëjë me Këshillin e Prindërve” dhe dokumentin ia ka bashkëngjitur përgjigjes së saj”, tha Baxhaku.
“EC Ma Ndryshe”, sipas saj, konsideron se sigurimi fizik, mirëmbajtja, sikurse edhe riparimi i sanitarive hyjnë në kategorinë e shërbimeve dhe jo të projekteve, të cilat duhet të ofrohen nga shkollat e institucionet përgjegjëse për arsimin parauniversitar. “Ashtu si e parasheh UA përkatës mjetet nga nxënësit respektivisht prindërit mund të grumbullohen, por për realizimin e projekteve që do të shkonin në dobi të avancimit të mësimnxënies dhe mësimdhënies në shkollat publike”.

Baxhaku tha se përderisa praktika e grumbullimit të hollave për pagesën e sigurimit fizik, mirëmbajtjes, rregullimit të sanitarive apo pagesa tjera të ngjashme vazhdon nga viti në vit, menaxhmentet e shkollave, këshillat e prindërve por edhe vet DKA-ja ende nuk e kanë zhvilluar ndonjë fushatë serioze për vetëdijesimin apo tejkalimin e vështirësive me të cilat ballafaqohen shkollat, që po ashtu parashihet në UA 28/2012.

“EC Ma Ndryshe’ kundërshton grumbullimin e të hollave nga nxënësit për pagesën e sigurimit fizik, mirëmbajtjes, etj., në shkollat publike të Prizrenit duke u bazuar në argumentin se prindërit e tyre janë taksapagues dhe se të njëjtit detyrohen që shërbimin e njëjtë ta paguajnë dy herë. Prandaj kërkon nga mekanizmat dhe institucionet përgjegjëse që t’i japin fund kësaj praktike”, tha Baxhaku.

Ajo i bërë thirrje DKA-së dhe kryetarit të komunës së Prizrenit që të shfrytëzojnë pushimet verore dhe të vendosin dialog të afërt me MASHT-in, në mënyrë që lëshimet paraprake gjatë ndarjes së buxhetit për DKA-në e Prizrenit, të mos përsëriten më, por të ketë planifikim shumë preciz të pozicioneve buxhetore për rojet e natës, personelin ndihmës, pedagogët, psikologët, etj. në shkollat publike të komunës së Prizrenit.

“EC Ma Ndryshe” rekomandon shkollat, këshillat e prindërve dhe DKA-në që praktika e mbledhjes së fondeve për projekte të caktuara nga bashkësia dhe donatorët të përcillet me nivel të duhur të transparencës, duke i publikuar të dhënat për projektin, kohëzgjatjen, mjetet e grumbulluara dhe të shpenzuara dhe detajet tjera në tabelat e shpalljeve në shkolla, në ueb faqen zyrtare të komunës dhe në mjetet lokale të informimit./PrizrenPress.com/

Më Shumë

Operacion anti-drogë në Prizren: Arrestohen dy persona, konfiskohen 31 doza marihuanë

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në rrugën “Mujo Ulqinaku” në Prizren, mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 21:23, nën dyshimin për posedim...

Trajnime falas për tregun e punës në Prizren

Oda e Ndërmarrësve dhe Zejtarëve në Prizren, bashkë me ITI Pro Kosova, do të organizojnë trajnime falas për tregun e punës. Ky trajnim mbështetet nga...

Lajmet e Fundit