17.8 C
Prizren
E hënë, 16 Shtator, 2024

Efektet anësore të një pranvere

Enver HasaniShkruan: Enver Hasani

Shtjellimet metafizike të doktrinës islame nga ana e vehabisto-sauditëve duhet trajtuar më me seriozitet nga strukturat e shtetit të Kosovës. Ky është misioni i Kosovës, si pjesë e botës euroatlantike, stofi kulturor i së cilës assesi nuk guxon të modelohet sipas recetave që kalojnë larg brigjeve të Bosforit. Kosova ka potencial moral, intelektual, social, politik dhe tjetër për ta tejkaluar këtë situatë. Pa asnjë dyshim
Kur nisi në Egjipt, në fillim të vitit 2011, Pranvera arabe nuk u cilësua si serioze, e aq më pak si një lëvizje me potencial për ndryshim në atë pjesë të botës. Kjo u pa nga fakti se me Egjiptin, Pranvera në fjalë mbaroi me ardhjen me referendum në pushtet të gjeneralëve disa muaj para kësaj.

Kjo, në fakt, këtu edhe nuk ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi këtu dhe me këtë rast lidhet me efektet anësore të kësaj pranvere në Kosovë dhe përreth saj, efekte që nuk mund të kuptohen pa u kuptuar situata ndërkombëtare dhe raportit i forcave para 11 shtatorit 2001 dhe pas kësaj date.

Lufta e Ftohtë, pika konstante e referimit

Duhet të kalojë kohë e gjatë për t’u fshirë pasojat e sistemit ndërkombëtar që u krijua gjatë Luftës së Ftohtë. Balanci i forcave që u krijuan gjatë asaj kohe domosdo që ka pasur dhe ka efekte serioze në gjendjet dhe ndodhitë në botën arabe. Kjo për faktin se gjatë asaj kohe, ish-perandoria sovjetike, të cilën presidenti rus Vladimir Putin po synon ta emitojë, krijoji sisteme politike oligarkike, të cilat sunduan për gjysmë shekulli, duke lënë pas elita e kultura politike, privilegjet e të cilave vështirë se mund të eliminohen aq lehtë.

Vendet kyç të asaj bote, si: Egjipti, Siria, Irani, etj., kanë qenë nën ndikimin dominant ushtarak dhe ekonomik të ish-Bashkimit Sovjetik, gjendje që ka ndryshuar vetëm pas Pranverës arabe. Në fakt, me përjashtim të Arabisë Saudite, asnjë vend tjetër me peshë të madhe ndërkombëtare i asaj bote, nuk ka qenë në ndikimin kyç të vendeve të Perëndimit. Ndikimi i Perëndimit në këtë vend, duke qenë tolerant ndaj fesë në përgjithësi, ka prodhuar një situatë e cila ka prodhuar dhe po prodhon efekte paradoksale: ndërkohë që sauditët konsiderohen si vendi kyç ku ka lindur profeti Muhamed dhe versioni më i përhapur i islamit, islami sunit, orientimi i tij perëndimor, sikur ka paraqitur një hendikep për familjen mbretërore atje, hendikep që ata në mënyrë të vazhdueshme kanë synuar ta kompensojnë nëpërmjet ndihmës financiare dhe tjetër në përhapjen e versionit vehabisto-saudit të islamit. Ndjenja e të qenit vend i lindjes dhe i vdekjes së profetit Muahmed pa asnjë dyshim që e bën të pamundur që ky vend të mos jetë përhapësi dhe mbështetësi kryesor i islamit të versionit vehabisto-saudit. Toleranca perëndimore ndaj këtij pozicioni saudit ka qenë dhe mbetet e pandryshuar, si në kohën e Luftës së Ftohtë, ashtu dhe pas mbarimit të saj.

Kjo tolerancë ka nënkuptuar edhe lejimin e oborrit mbretëror saudit që të jetë aktiv ndaj vendeve e rajoneve që kanë pasur një islam sunit, por të një prejardhje krejt tjetër, siç është rasti i vendeve të Ballkanit (Kosova, Maqedonia, Bosnja e Hercegovina dhe Shqipëria).

Në të njëjtën kohë, me këtë pozicionim të Arabisë Saudite, vendet e tjera kyç arabe, të cilat kanë qenë nën ndikim direkt sovjetik, kanë vijuar politikën e tyre sikur të mos kishte ndodhur asgjë pas vitit 1990. Regjimet e tyre represive vazhduan me avazin e vjetër në politikën e jashtme, duke qenë peng i Rusisë, trashëgimtarit të ish-Bashkimit Sovjetik. Kjo gjendje u ndërpre me fillimin e Pranverës arabe, në fund të vitit 2010. Pranvera arabe, në vendet që kishin qenë nën influencën sovjetike, u tregua më e pamëshirë, më e dhunshme dhe më jotolerante, sepse nxori në syprinë konfliktet etnike dhe peshën konstante gjeopolitike e gjeostrategjike të këtyre vendeve në konstelacion ndërkombëtar.

Derisa konfliktet etnike reflektonin tërë barbarinë e regjimeve të kaluara nën të cilat kishin qenë të ngrira për dekada të tëra, konfliktet gjeopolitike e gjeostrategjike në këto vende dhe rreth këtyre vendeve, ish-satelitë të Bashkimit Sovjetik dhe më pastaj të Rusisë, ndikuan me intensitete të ndryshme në kohezivitetin e aleancave euroatlantike kundrejt botës arabe. Kjo, në veçanti, u pa pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, sulme që ndryshuan në tërësi prioritetin e agjendave të vendeve euroatlantike në planin ndërkombëtar.

11 shtatori, bingoja e Rusisë së Putinit

Pakkush ka mundur të vërejë pasojat afatgjata të ngjarjeve të 11 shtatorit 2001 në politikën e jashtme ruse. Koheziviteti i krijuar në botën perëndimore dhe konsensusi i plotë i kësaj bote për sulmet në Afganistan, sikur u duk se po krijonte një “Pax Americana”, ku edhe rusët janë të një mendje.

Në fakt, kjo nuk ishte kështu. Pëlqimi rus në Këshillin e Sigurimit për sulme ushtarake ndaj regjimit taleban në Afganistan diktohej nga arsye krejt pragmatike që lidheshin me tri segmente. Në rend të parë, rusët e panë se angazhimi perëndimor kundër talebanëve dhe Al Kaeda-s do të ishte i gjatë dhe i kushtueshëm. Së dyti, kjo jo vetëm që do t’i shpenzonte burimet financiare e ushtarake të Perëndimit, por edhe kohën e mendjen. Dhe, së fundi dhe më kryesorja, rusët do të përfitonin nga kjo rrethanë për të eksportuar gazin e tyre natyror dhe për të krijuar një vartësi të një pjese të Perëndimit nga ky gaz, për t’i përdorur resurset financiare nga ky gaz për rivitalizimin e aparatit represiv policor e ushtarak.

Gati për një dekadë, Perëndimi sikur nuk është marrë me Rusinë, gjë që krijohej përshtypja se ajo përbënte një partner strategjik të Perëndimit në luftën e përbashkët kundër terrorizmit ndërkombëtar, me bazë islamin politik. Kjo mund të jetë dukur kështu edhe për faktin se Rusia ka një shumicë të konsiderueshme myslimane brenda saj, por edhe përreth vetes. Kjo dukje, nuk mund të jetë vetëm e tillë, dukje, e cila mashtron thellësisht, sepse problemet e Rusisë me islamin janë probleme për zgjerim territorial, siç janë problemet e tyre me të gjitha vendet e tjera, ndaj të cilëve ata kanë pretendime territoriale.

Thënë shkurt, tragjedia e 11 shtatorit 2001, për rusët ka qenë një bingo, sepse i ka mundësuar atyre të riorientojnë forcat e tyre në rivitalizimin e forcës represive dhe të ekonomisë së bazuar në oligarkinë ruse me në krye Vladimir Putinin, gjë që ka qenë e pamundur deri atëherë për shkak të rraskapitjes së brendshme të shoqërisë ruse dhe të humbjes së aftësisë konkurruese të saj në tregun e jashtëm (në të gjitha aspektet e tij). Kjo gjë ndryshoi me fillimin e Pranverës arabe.

Pranvera arabe, Siria, Kosova dhe kleri i saj mysliman

Në pjesën më të madhe të saj, Pranvera arabe ka pasur një diksurs që nuk ka dalluar nga ai i vendeve të ish-Evropës komuniste pas mbarimit të Luftës së Ftohtë. Kjo do të thotë se, krejt në mënyrë normale, popujt dhe elitat e këtyre revolucioneve përdorën recetat tanimë të njohura mbi liritë dhe të drejtat njerëzore dhe të minoriteteve, demokracinë dhe sundimin e ligjit.

Kjo qasje nuk u kontestua për një kohë të gjatë, derisa në Egjiptin pasrevolucionar u instalua një president që synonte me çdo kusht themelimin e një teokracie fetare që bazohej në një interpretim tjetër të islamit, që dallonte nga ai vehabisto-saudit, sepse ishte më nacionalist dhe më radikal ngaqë e vinte Izraelin në tapetin e fajit për çdo të keqe që kishin arabët. Sado që ka qenë i madh ndikimi rus në ekonominë e Egjiptit, megjithatë roli dhe ndikimi i ushtrisë në këtë vend u provua si vendimtar për moskthimin e këtij vendi nën orbitën ruse. Kështu nuk ndodhi me Sirinë.

Në fillim, ngjarjet në Siri u dukën si diçka që mund të tejkalohej me dialog e në mënyrë paqësore. Kjo, jo vetëm pse presidenti Bashar El Asad në fillim u tregua i gatshëm për lirimin e disa të burgosurve politikë dhe për fillimin e reformave, por edhe nga fakti se Perëndimi ndenji anash duke lënë opozitën siriane që vetë të ballafaqohej me situatën e krijuar. Situata e tillë nuk zgjati shumë, sepse regjimi në Damask e kuptoi se, në çdo kombinim, pakica alevite, në emër të së cilës sundonte ky regjim, nuk mund të mbijetonte. Mbijetesa e tij i dedikohej kryesisht pozitës së tij gjeopolitike dhe gjeostrategjike kundrejt Rusisë dhe Iranit.

Ky i fundit, pa asnjë dyshim, e kishte Sirinë si aleatin më të mirë për t’u mbrojtur nga akuzat e Perëndimit për armë bërthamore, kurse vetë Rusia e përdorte Sirinë për t’ia lidhur duart Perëndimit, në mënyrë që të vazhdonte konsolidimin e oligarkisë financiare e ushtarako-policore të presidentit Vladimir Putin. Kjo politikë ruse shpjegon edhe kundërshtimin e thellë të Moskës për ndërhyrje ushtarake ndaj regjimit në Damask, rrethanë që u pranua nga presidenti Barack Obama, me kusht që Bashar al Asad t’i dorëzonte armët kimike që posedonte. Ky dorëzim u krye në mënyrë të qetë dhe me kaq Perëndimi mbaroi punën e vet në Siri, duke lënë Pranverën arabe të kthehej në një atavizëm të vërtetë. Sado i qetë, ky proces u vonua tepër shumë dhe kjo vonesë i hapi rrugë mbytjes së opozitës properëndimore siriane dhe ngritjes në skenë të formacioneve radikale të diktuara nga islami politik i llojit më të skajshëm.

Shteti shqiptar, në këtë vonesë, dha, për fat të keq, një kontribut që do të ketë pasoja afatgjata në marrëdhëniet e tij me faktorin amerikan, aleatin kryesor të shqiptarëve në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ka qenë kjo periudhë e vonesës në largim të armëve kimike në Siri, që edhe në Kosovë është ndier dhe atë në disa aspekte.

Gjithçka nisi në kohën e UNMIK-ut

Pas mbarimit të luftës në Kosovë, më 1999, ishte krejt naive të besohej dhe të pritej që administrata e Kombeve të Bashkuara do të kujdesej për rregullimin e statusit të bashkësisë islame në Kosovë. Kjo për faktin e thjeshtë se administratat e tilla, kudo që kanë qenë të pranishme, kanë treguar jokompetencë dhe jokohezivitet në ushtrimin e pushtetit politik, duke i lënë dyert e hapura për të gjitha llojet e proceseve negative, duke filluara nga korrupsioni, prostitucioni e deri te tolerimi i lëvizjeve radikale (fetare dhe ideologjike).

E njëjta gjë ndodhi edhe në Kosovë: kryesisht sauditët, por edhe vendet e tjera myslimane, ishin të pranishme me shuma të mëdha parash pas mbarimit të luftës, duke u fokusuar kryesisht në vendet e goditura më së shumti nga regjimi serb. Drenica, ta zëmë, e cila asnjëherë nuk ka qenë e njohur për ndonjë traditë të madhe fetare, u bë qendër e ndihmës financiare, me qëllim indoktrinimi të këtyre vendeve myslimane. Ndihma pa kontroll financiare e këtyre vendeve ka krijuar domosdo një shtresë njerëzish që kanë përfituar personalisht nga një gjendje e tillë, por që, për hir të vërtetës, ka lanë prapa një indoktrinim real te një pjesë e popullsisë, pasojat e së cilës po i shohim çdo ditë e më shumë.

Indoktrinimi intensiv, i bazuar në ndihmë nga jashtë, u ndërpre papritur vetëm me fillimin e Pranverës arabe, sepse këto vende filluan të merren me veten e tyre dhe me problemet e brendshme. As sauditët nuk ngelën imunë nga kjo pranverë, nisur nga frika deri në palcë që krijuan këto lëvizje për oborrin mbretëror saudit. Ka qenë kjo frikë nga ndryshimi i nxitur nga Pranvera arabe që shpjegon faktin pse ky oborr filloi koncesionet e para ndaj femrës myslimane atje, në disa sfera deri dje të paimagjinueshme. Efekti kryesor, ndërkaq, i kësaj pranvere kundrejt Kosovës dhe rajonit të Ballkanit në përgjithësi, konsiston në atë se të gjitha ato vende, pa asnjë përjashtim, edhe për dekada të tëra do të orientohen nga vetvetja dhe jo nga jashtë, sepse, thjesht, më nuk mund të projektojnë asnjë forcë financiare, politike dhe tjetër jashtë kufijve të tyre politikë.

Efekti tjetër anësor kundrejt Kosovës është negativ. Kleri i Kosovës, një kohë të gjatë pas luftës, ishte në luftë të heshtur me elementet radikale të islamit kosovar të importuar nga vendet arabe, duke luftuar me fanatizëm për ruajtjen e posteve udhëheqëse klerikale, të cilat ky element i synonte pandërprerë. Kjo luftë e heshtur ndërmjet islamit tradicional kosovar dhe elementeve të importuara në kohën e UNMIK-ut, shkoi aq larg sa këta të fundit themeluan edhe vendet e faljes, xhamitë, nëpër vende e sipas mënyrave të pamiratuara nga Bashkësia Islame e Kosovës.

Kosova ka potencial për tejkalimin e situatës

Si çdo konflikt social, edhe ky ndërmjet këtyre dy forcave për dominim në islamin kosovar, ka një zhargon dhe diskurs që arsyeton një pozicion apo një tjetër. Kleri kosovar, në vend se të përmirësojë gabimet e tij të bëra gjatë kohës së UNMIK-ut, me fillimin e Pranverës arabe, në veçanti me dështimin perëndimor në Siri si pasojë e mashtrimit rus me armët kimike dhe me dështimin e shtetit shqiptar, u angazhua në diskursin e urrejtjes ndaj çdo gjëje që shihej si islam tolerant, me bindje se me këtë do të fitonte simpatitë e popullsisë shumicë në Kosovë. Ky diskurs krejtësisht hakmarrës, nxitës, antisemit dhe anti çdo gjëje perëndimore, u duk sikur tolerohej nga publiku kosovar.

E, ky publik nuk është se e toleronte një diskurs të tillë. Më shumë qëndron fakti se publiku mbeti i tmerruar dhe gojëhapur nga çudia se si mund të predikohej aq hapur një islam i tillë, i paparë në Kosovë deri atëherë. Mbi të gjitha, kosovarët u çuditën dhe ngelën gojëhapur pse kleri mysliman i Kosovës duhet të merrej qoftë me rekrutim të të rinjve tanë për të luftuar në Siri, apo me dënimin e shkuarjes së të rinjve tanë atje. Kleri ka vetëm një detyrë, atë të predikimit të fesë sipas librave të shenjtë dhe jo të merret me punët e shkuarjes apo të mosshkuarjes së njerëzve tanë në Siri. Marrja e klerit mysliman me çështje të tilla nuk është aspak e çuditshme, sepse buron nga fakti se i njëjti kler nuk ka kuptuar që misioni i tij primar është ruajtja dhe kultivimi i islamit tradicional dhe jo hyrja në garën retorike me vehabisto-sauditët e rinj për interpretimet e Kuranit dhe të doktrinës islame në përgjithësi. Kjo garë duhet të ndërpritet. Ky efekt anësor, tejet i dëmshëm për Kosovën, duhet të adresohet nga institucionet e shtetit, jo të lihet monopol i askujt, qoftë ajo edhe vetë Bashkësia Islame e Kosovës. BIK-u mund të luajë një rol, dhe duhet ta luajë, vetëm atëherë kur një gjë e tillë i kërkohet nga institucionet e shtetit të Kosovës. Fundja, këtë detyrë ata vetë e dinë që ia kanë borxh Kosovës. Thënë me fjalë të tjera, cikli i Pranverës arabe është mbyllur njëherë e mirë, ndërkohë që pasojat anësore të saj janë të mira dhe të këqija.

Të mira janë ato që lidhen me faktin se bota arabe, që deri dje ka prodhuar forcë indoktrinuese jashtë kufijve të vet, tanimë nuk mund të bëjë asgjë, sepse duhet të merret me vetveten e saj për dekada të tëra që po vijnë. Pasoja të këqija anësore janë ato që lidhen me faktin se në Kosovë ka një rreth, sado margjinal, të njerëzve të magjepsur me shtjellimet metafizike të doktrinës islame nga ana e vehabisto-sauditëve, të cilët duhen trajtuar më me seriozitet nga strukturat e shtetit të Kosovës. Ky është misioni i Kosovës, si pjesë e botës euroatlantike, stofi kulturor i së cilës assesi nuk guxon të modelohet sipas recetave që kalojnë larg brigjeve të Bosforit. Kosova ka potencial moral, intelektual, social, politik dhe tjetër për ta tejkaluar këtë situatë, pa asnjë dyshim.
(Autori është kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare)

Më Shumë

Aksident mes autobusit dhe kamionit në Carralevë – Intervenojnë zjarrëfiksit për t’i nxjerr pasagjerët nga autobusi

Sot në orët e para të mëngjesit ka ndodhur një aksident mes një autobusi dhe një kamioni, në rrugën Carralevë – Duhël. Lajmin për teve1,info...

Borë në viset malore të Kosovës

Mot i vranët dhe me shi është duke mbizotëruar në vendin tonë, e mot i ngjashëm pritet të mbajë deri në fund të muajit. Përveç...

Lajmet e Fundit