Ata shtojnë se vlera e kredive konsumuese për ekonomitë familjare është 391.6 milionë euro.

Ekonomistët vlerësojnë se qytetarët janë të detyruar të marrin kredi, për të përballuar çmimet e larta në treg. Për shkak të inflacionit dhe çmimeve të larta në treg, qytetarët e vendit po u drejtohen bankave për kredi konsumuese, për mbulime të shpenzimeve ditore.

Njohësi i ekonomisë, Ardijan Sahiti, duke folur për Radio Kosovën, thotë se kriza ekonomike në vend dhe çmimet e papërballueshme, po i detyrojnë qytetarët që të marrin kredi për të mbijetuar.

“Aplikimi për kredi konsumuese vjen si rrjedhojë e rritjes së çmimeve dhe vonimit të Ligjit të Pagave, sepse jeta është bërë shumë e vështirë për një pjesë të popullatës dhe njerëzit nga halli nuk kanë se ku të marrin para dhe janë të detyruar që hyjnë kredi. Në një ekonomi normale, kreditë konsumuese nuk arrijnë në këto shifra, por situatat socio-ekonomike e kanë imponuar një gjë të tillë, për shkak se çmimet janë tejet të larta”, deklaroi Sahiti.

Por, kryeshefi Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, në një përgjigje elektronike për Radio Kosovën, thotë se në vitin 2022, në raport me vitin 2021, kemi zvogëlim në përqindjen e përbërjes totale të kredive të reja konsumuese.

“Në periudhën 2022, vlera e kredive konsumuese për ekonomitë familjare ishte 391.6 milionë euro apo 64.4 për qind, ndërsa në periudhën e njëjtë të një viti më parë ishte 401.8 milionë euro apo 69.1 për qind”, thotë Balija.

Nga të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, në fund të muajit shtator të këtij viti, vlera e kredive të reja ka arritur në 1,46 miliard euro, përderisa në periudhën e njëjtë me vitin e kaluar, kjo vlerë ishte 1,25 miliardë euro. Kështu thotë në një përgjigje elektronike për Radio Kosovën zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti.

Në bazë të këtyre të dhënave, vlera e kredive të reja për këtë vit ka shënuar rritje prej 16.2 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, thotë Ahmeti.

Shoqata e Bankave të Kosovës, thotë se nga totali i kredive të reja të këtij viti, 850 milionë euro janë kredi të lëshuara për korporatat jo financiare, përderisa 608 milionë euro, janë kredi të reja të lëshuara për ekonomitë familjare.