Prof. dr. Xhafer Beqiraj
Çështja e statusit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk mund të trajtohet vetëm si çështje teknike e administratës shtetërore, as si kërkesë politike e një bashkësie etnike. Ajo është, para së gjithash, çështje e barazisë kushtetuese, e dinjitetit qytetar dhe e funksionimit demokratik të një shteti shumetnik.
Sipas regjistrimit zyrtar të popullsisë në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët përbëjnë 29.52% të popullsisë së përgjithshme të regjistruar (por kjo përqindje mund të jetë edhe më e lartë).
Kjo e dhënë demografike dëshmon se shqiptarët nuk janë një pakicë e rastësishme, e vogël apo periferike, por një bashkësi e rëndësishme, historikisht e pranishme, politikisht e organizuar dhe si etni shtetformuese.
Prandaj, statusi i gjuhës shqipe në këtë shtet nuk mund të mbetet i varur nga interpretime të ngushta administrative, nga zbatime të pjesshme ligjore ose nga praktika institucionale që e relativizojnë barazinë e saj me gjuhën maqedonase.
Kështu që, në këtë aspekt, krahasimi me Republikën e Kosovës është i domosdoshëm dhe shumë domethënës. Në Kosovë, komuniteti serb përbën rreth 3.31% të popullsisë sipas të dhënave të regjistrimit të vitit 2024, ndërsa serbishtja, megjithatë, gëzon statusin e gjuhës zyrtare në nivel shtetëror, krahas shqipes. Ky fakt tregon se Republika e Kosovës ka pranuar një model të gjerë të barazisë gjuhësore, jo mbi bazën e përqindjes numerike, por mbi bazën e parimit demokratik të mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve dhe të qytetarëve të saj.
Duke u nisur nga kjo pikëpamje, lind një pyetje e arsyeshme dhe krejtësisht e drejtë: nëse një komunitet që përbën rreth 3.31% të popullsisë në Kosovë gëzon të drejtën që gjuha e tij të jetë gjuhë zyrtare në nivel shtetëror, atëherë si mund të arsyetohet që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, të cilët përbëjnë një të tretën e popullsisë së përgjithshme të regjistruar, të mos e gëzojnë shqipen si gjuhë plotësisht të barabartë në jetën institucionale të shtetit?! Kjo nuk është çështje privilegji, por çështje parimi, kërkesë e drejtë, legjitime dhe e pamohueshme.
Kështu që barazia gjuhësore nuk i dobëson shtetet shumetnike, përkundrazi, i forcon ato dhe i bën më demokratike. Një shtet që e njeh dhe e zbaton në mënyrë të plotë gjuhën e bashkësive të veta themelore nuk humb kohezionin, por fiton legjitimitet demokratik. Përkundrazi, mohimi, kufizimi ose zbatimi i pjesshëm i të drejtave gjuhësore prodhon ndjenjë përjashtimi, pabarazi institucionale dhe mosbesim ndaj rendit juridik e shetëror.
Gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi. Ajo është bartëse e identitetit, e kujtesës historike, e kulturës, e arsimimit dhe e pjesëmarrjes qytetare. Kur një qytetar nuk mund ta përdorë gjuhën e vet në mënyrë të barabartë në institucione, në arsim, në drejtësi, në administratë dhe në procedura publike, atëherë ai nuk përballet vetëm me pengesë gjuhësore, por edhe me kufizim të pjesëmarrjes së plotë qytetare.
Andaj, në këtë kuptim, kërkesa e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për zbatimin e barabartë të gjuhës shqipe është e drejtë, e arsyeshme dhe e pamohueshme. Studentët nuk kërkojnë privilegj mbi të tjerët, por kërkojnë barazi me të tjerët.
Ata nuk kërkojnë rrënim të rendit juridik, por kërkojnë zbatim të tij mbi parimin e barazisë. Ata nuk kërkojnë përjashtim, por përfshirje të denjë në jetën institucionale të shtetit ku jetojnë, studiojnë dhe kontribuojnë.

Një demokraci e vërtetë nuk matet vetëm me ekzistencën e zgjedhjeve, të partive politike ose të institucioneve formale. Ajo matet edhe me mënyrën se si shteti i trajton gjuhët, kulturat dhe identitetet e qytetarëve të vet. Nëse një bashkësi e madhe qytetare nuk e ndien gjuhën e vet të barabartë në institucionet e shtetit, atëherë barazia mbetet e paplotë, ndërsa demokracia mbetet më shumë formale sesa përmbajtësore dhe njëkohësisht diskriminuese.
Prandaj, mbështetja e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut është mbështetje për kërkesën e tyre legjitime dhe thelbësore: gjuha shqipe duhet të zbatohet si gjuhë e barabartë e një populli shtetformues, pra të ketë status si maqedonishtja.
Kjo e drejtë nuk do të duhej dukur as e tepërt, as e diskutueshme për një shtet demokratik. Ajo është kërkesë e natyrshme për barazi qytetare, drejtësi kushtetuese dhe për bashkëjetesë të qëndrueshme në një shtet shumetnik, nëse synon të jetë shtet demokratik pa trazira e stabil.