11.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Evropa mendon se Putini po përgatit diçka edhe më të keqe se lufta

Në javët e fundit të Luftës së Parë Botërore, një gjeneral gjerman i dërgoi një telegram aleatëve të tij austriakë, për të përmbledhur situatën. Ishte, siç shkruante ai, “gjendje serioze por jo katastrofike”.

Një përgjigje i erdhi mbrapsht: “Këtu situata është katastrofike, por jo serioze”.

Është një shaka, sigurisht. Por e përmbledh më një fjali të vetme, mosmarrëveshjen midis Amerikës dhe Evropës mbi situatën në Ukrainë.

Për SHBA-të dhe presidentin Joe Biden, i cili të mërkurën formalisht aprovoi dërgimin e trupave amerikane në Evropën Lindore, një pushtim rus i kryesuar nga Vladimir Putin është “një mundësi e largët”.

Për Evropën, jo dhe aq. Një diplomat i lartë gjerman e përmblodhi gjithë divergjencën.

“SHBA-të mendojnë se Putini do të shpërthejë një luftë të plotë. Evropianët mendojnë se ai po luan blofin”.

Ndoshta kjo është e pritshme. Fundja, një luftë e plotë është kryesisht e paimagjinueshme për një publik evropiano-perëndimor, po aq sa një pushtim alien.

Dekadat e shumta të paqes në Evropën Perëndimore, të ndërthurura me varësinë e thellë të gjithë kontinentit nga nafta dhe gazi rus, i shtyjnë zyrtarët të pandehin se një lëvizje agresive ruse, duhet të jetë një mashtrim.

Por, tendenca evropiane për të mirëpritur Rusinë, nuk shpjegon se pse zyrtarët ukrainas, pas alarmit fillestar, tashmë duken sikur kanë të njëjtin këndvështrim.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, javën e shkuar, e uli mundësinë e një kërcënimi lufte, duke sugjeruar se situata ishte “e rrezikshme, por e paqartë”. Për një vend, i cili kërcënohet nga 130 mijë trupa ruse në kufi, është një deklaratë goditëse. Çfarë fshihet në të?

Përgjigja është e habitshme, madje paradoksale!

Evropianët dhe ukrainasit janë skeptikë për një pushtim të madh rus në Ukrainë, jo sepse kanë një shëmbëlltyrë më të mirë për Putinin se sa amerikanët. Në të kundërt, është sepse ata e shohin atë si më keqdashës.

Lufta, sipas arsyetimit të tyre, nuk është loja e Kremlinit. Në të kundërt, është një gamë taktikash të dizajnuara për të destabilizuar Perëndimin. Për Evropën, kërcënimi i luftës mund të kthehet në një ngjarje më shkatërruese se vetë lufta.

Amerika dhe Evropa nuk janë të ndara në atë çfarë Putini dëshiron. Për gjithë spekulimet mbi arsyet, një gjë është e sigurt: Kremlini dëshiron një ndarje simbolike nga vitet 1990, duke varrosur rendin e pasluftës së Ftohtë.

Kjo do të merrte formën e një arkitekture sigurie të re evropiane, e cila e njeh Rusinë dhe influencën e saj në hapësirën post-Sovjetike dhe refuzon universalitetin e vlerave evropiane.

Më shumë se vlerat nga restaurimi i Bashkimit Sovjetik, qëllimi është rekuperimi nga ajo çfarë Putini e njeh si “Rusia historike”.

Në Washington dhe në Bruksel, mesazhi ka kaluar. Ka një dakordësim të përgjithshme në të dy krahët e Atlantikut se Kremlini, pavarësisht nga çfarë mund të marrë si hap të radhës, se nuk mund të rrihet pa vepruar. Rusia nuk do të sprapset aq thjesht.

Por, ndërsa amerikanët anojnë të besojnë se Putini ka nevojë për një luftë të nxehtë në Ukrainë për të realizuar ambicien e tij të madhe, evropianët dhe me gjasë edhe ukrainasit, besojnë në një strategji hibride – prezencë ushtarake në kufi, armatizimi i burimeve të energjisë dhe sulmet kibernetike – e cila do t’i shërbejë më mirë atij.

Kjo është e bazuar në disa arsyetime bazë. Një inkursion rus në Ukrainë, mundet, në një mënyrë perverse, të shpëtojë rendin aktual në Evropë. NATO nuk do të kishte asnjë zgjidhje tjetër, përveçse t’i përgjigjej bindshëm, duke sjellë sanksione të reja dhe duke vepruar si një trup unik.

Duke ashpërsuar konfliktin, Putini mund të shpjerë në kohezion kundërshtarët e tij. Duke u sprapsur, në kontrast, efekti i kundërt mund të jepet: Politika e maksimizimit të presionit – pa pushtim – mund të përfundojë në ndarjen dhe paralizimin e NATO-s.

Për të parë se si gjërat mund të luhen, mjafton të hedhim sytë nga Gjermania. Përpara krizës, Gjermania ishte aleati më i afërt i Amerikës në Evropë, duke gëzuar edhe një raport të veçantë me Moskën dhe ishte partneri më i rëndësishëm për Evropën Qendrore dhe Lindore.

Sot, disa njerëz në Washington, e kanë vënë në pikëpyetje vullnetin e vendit për të përballur Rusinë, raporti i Berlinit me Moskën po përkeqësohet me shpejtësi dhe shumë evropianë lindorë janë tensionuar nga ngurrimi i dukshëm gjerman për t’i ardhur në ndihmë atyre, në rast pushtimi.

Gjermania, në mënyrë vendimtare, nuk ka ndryshuar – por bota në të cilën vepron, po. (Shteti është si një tren që qëndron i palëvizur në stacionin hekurudhor dhe ka marrë flakë).

Sot, fuqia gjeopolitike është e vendosur jo nga fuqia ekonomike që mund të shfaqë, por nga sa dhimbje mund të durojë. Armiku juaj, ndryshe nga Lufta e Ftohtë, nuk është dikush pas një perdeje të hekurt, por dikush me të cilin ju tregtoni, prej të cilit ju merrni gaz dhe të cilit ju i eksportoni të mira të mëdha teknologjike.

Fuqia e butë i ka lënë vend qëndrueshmërisë.

Ky është një problem për Evropën. Nëse suksesi i Putinit do të vendoset nga aftësia e shoqërive perëndimore për të çelikëzuar veten nga presioni i çmimeve të larta energjike, dezinformimi dhe destabiliteti politik në një kohështrirje të gjatë, atëherë ai ka arsye të mira për të qenë shpresëplote.

Ashtu si po qëndrojnë gjërat, Evropa e vetme, është e papërgatitur për këto sfida.

Rregullimi i kësaj, nëpërmjet investimeve në logjistikë ushtarake, diversifikimin energjetik dhe ndërtimit të kohezionit social, duhet të jetë fokusi i gjithë kontinentit.

Evropianët kanë të drejtë të mendojnë se mësymja ruse në Ukrainë nuk është e paevitueshme – dhe mund të jetë madje e saktë se nuk është skenari më i mundshëm.

Por, nuk mund të mashtrojmë veten duke shmangur sfidën e qëndrueshmërisë.

“Nëse e ftoni një ari në kërcim, nuk jeni ju, ata të cilët vendosni kur kërcimi përfundon”, thotë një fjalë e urtë ruse. “Është ariu”.

/Albanianpost.com

Më Shumë

Malishevë/ Në 25-vjetorin e rënies u përkujtua dëshmori Brahim Morina

Në 25-vjetorin e rënies në altarin e lirisë, u përkujtua dëshmori i kombit, Brahim Morina, nga fshati Drenoc. Në përkujtim të rënies së tij,...

Sonte El Clasico — mund të përcaktohet titulli i kampionit

La Liga, një nga ligat më atraktive në futbollin evropian, vjen sonte me ndeshjen më të madh të këtij sezoni. Dy rivalët e përbetuar, Real...

Lajmet e Fundit